Tri janë pikat kryesore që turistët preferojnë të vizitojnë kur hyjnë në zonën e Shkodrës, thotë drejtori i Agjencisë së Administrimit të Zonave të Mrojtura Agim Dardha: “Shkodër qytet ku përfshihet Kalaja, Muzeu Marubi, Pedonalja me vendet ku tregtohen prodhime të artizanatit, Velipoja me plazhin dhe peizazhin detar, si dhe Thethi”.

Shkodra është qendra më e rëndësishme e Shqipërisë së Veriut dhe me një traditë mjaft të pasur kulturore. Ajo konsiderohet si “portë hyrjeje” për në Alpet e Shqipërisë dhe një pikë nga ku mund të udhëtosh për në plazhin ranor të Velipojës, në detin Adriatik.

Zona e Shkodrës dallohet për veçoritë e spikatura natyrore dhe për trashëgiminë e pasur kulturore. Në këtë zonë, krahas objekteve të rëndësishme natyrore, si: liqeni i Shkodrës, lumi Buna, laguna Kune-Vaini, lumi Drin, Alpet shqiptare, Malësia e Madhe, gjiri i Drinit etj. ndodhen edhe qytetet e rëndësishme historike, Shkodra dhe Lezha.

Potencialet turistike të zonës së Shkodrës janë të shumta, çka jep mundësi të zhvillohet ai lloj turizmi që parapëlqehet. Këtu mund të zhvillohet turizmi bregdetar, me përqendrim në zonën e Velipojës, e cila është vetëm 30 km larg nga Shkodra dhe në zonën e Shëngjinit, shumë afër Lezhës, të cilat kanë edhe një infrastrukturë turistike relativisht të mirë.

Turizmi liqenor, në pjesën e liqenit të Shkodrës. Turizmi malor, për klimën e shëndetshme dhe për mundësinë e ushtrimit të sporteve malore, që ofrojnë zona të tilla, si Razma, Boga dhe Thethi, të cilat ndodhen vetëm 40 km larg qytetit në mes të zonës së Alpeve. Çdo ditë në këtë zonë vijnë me qindra vizitorë duke mundësuar kështu dhe një aspekt ekonomik për biznesin shkodran.

Vetëm 6 km nga Shkodra ndodhet fshati Shirokë. Nën hijen e malit të Taraboshit dhe buzë liqenit, fshati i hershëm i peshkatarëve mahnit me pamjen e tij. Gojëdhënat rrëfejnë se në Shkodër “ka rënë shprehja, fryn n’Shirokë”. Ç’ka do të thotë se fryn një erë e lehtë nga jugu, prej nga mendohet se ka marrë dhe emrin fshati.

Teksa mbërrin me makinë mund të ndalosh pranë pedonales së rikonstruktuar rishtazi. Me siguri do të marrë vëmendjen mozaiku i shtruar me motive të qilimit, një ftesë për të hyrë në traditën e zonës. Në fakt për banorët dhe vizitorët pedonalja është qendra, sepse të gjitha rrugicat e shtëpive të nxjerrin aty. E shtëpitë janë të vendosura lart, si një kurorë shkodrane e banorëve besnikë.

Investimi në Shirokë, në kuadër të programit “Rilindja Urbane”, synon kthimin e saj në një qendër turistike, argëtuese dhe të pasur me aktivitete sociale në shërbim të komunitetit. Projekti përfshiu restaurimin e 2000 m2 fasada, ndërtimin e 1500 m2 çati të reja, si dhe ndërtimin e një hapësire, prej 1700 m2 parking publik. Hapësira e rikonstruktuar e sheshit është 20.000 m2 në total.

Malësia e Madhe shtrihet në veriperëndim të Alpeve. Në përbërje të saj ka kurrize malore, blloqe e male të larta (Bjeshkët e Namuna me lartësi 2400 – 2500 m) si dhe disa pllaja të larta (Veleçik – Bridashe) dhe disa lugina: e Vermoshit, e Cemit, e Përroit të Thatë etj.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në një distancë 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të Alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2630 hektarë dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2570 metra mbi nivelin e detit.

Razma është një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshtekne. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet etj.

Vermoshi ndodhet në një distancë prej 95 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit.

Velipoja është plazhi më verior i Shqipërisë me bukurinë dhe kontrastet e forta që e karakterizojnë.

Plazhi i Velipojës, me ujin e tij të pastër e të kthjellët, ndërthuret me gjelbërimin e pishave që pushtojnë bregdetin. Në Velipojë gjendet një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri. Rëra me efektin e saj kurativ të këtij plazhi, ndërthurja me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, bëjnë për vete çdo vit pushues të shumtë.

Në mbi 14 kilometra plazh në Velipojë, ajo që të tërheq vëmendjen, është rëra e “zezë”, që në të vërtetë është një rërë ngjyrë bojëkafe e mbyllur. Arsya e kësaj ngjyre, që ka lidhje me përqendrimin e pazakontë të jodit, është se pjesa më e madhe e buzëdetit të Velipojës, ishte para viteve ’90, një zonë e egër dhe që ruhej si një zonë ushtarake, çka ka bërë të ruajë natyralitetin e saj.

Velipoja mbetet një nga zonat më të frekuentura nga turistët e vizitorët e shumtë.

Ndërsa rruga Shëngjin-Velipojë, tashmë është një kantier ku ka nisur puna për ndërtimin e saj dhe pritet të hapë një front të tërë zhvillimi të qëndrueshëm për zonën Shkodër-Lezhë, duke krijuar në gjithë këtë brez, një tjetër front të zhvillimi përmes turizmit të paeksploruar ende mirë në këtë rajon.

Etleva Xhajanka