Në raportin e fundit ekonomik për rajonin, në seksionin e Shqipërisë, Banka Botërore thekson se vendi u godit rëndë, fillimisht nga tërmeti i Nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia COVID-19.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u zvogëlua me rreth 3.3 për qind, si pasojë e tkurrjes së shpejtë të turizmit dhe shërbimeve. Megjithatë, banka vlerëson se rindërtimi dhe stimujt e lidhur me COVID-19 ndikuan në zbutjen e tronditjeve, por hapësira fiskale u ngushtua.

Rimëkëmbja ekonomike për vitin 2021 pritet të ketë si shtyllë kryesore, rindërtimin. Ndërkohë, BB vlerëson se pas vitit 2021, hapësira e kufizuar fiskale ka të ngjarë të çojë në pakësim të shpenzimeve qeveritare. Situata fiskale mund të përkeqësohet nëse mbledhja e të ardhurave nuk rritet. Në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të ulë shpenzimet kapitale për të mbajtur nën kontroll raportin e borxhit ndaj PBB-së.

Konsumi privat dhe vendimet për investime u shtynë për shkak të pasigurisë në lidhje me përfundimin e krizës dhe rritjes së numrit të infektimeve. Investimet u tkurrën me 1.8 për qind në vitin 2020, ndërsa konsumi privat ra me 2.4 për qind. Ndërkohë ulja e numrit të porosive për prodhimin e veshjeve çoi në një rënie të eksportit të mallrave prej 6.7 për qind, ndërsa vizitat turistike ranë me 60 për qind. Kontributi i eksporteve neto në rritjen ekonomike ishte pozitiv me 0.5 pikë për qindjeje, për shkak se importet u tkurrën më shumë sesa eksportet në përgjigje të rënies së kërkesës private.

Sipas raportit të BB, treguesit e tregut të punës u korrigjuan relativisht shpejt me rihapjen e ekonomisë pas mbylljes fillestare, pavarësisht problemeve strukturore që patën.

Në verë, punësimi nisi të rikuperohej për shkak se një pjesë e humbjeve të vendeve të punës në sektorin e prodhimit u thithën nga sektorët e turizmit dhe ndërtimit.

Rritja e shpenzimeve sociale dhe rindërtimi pas tërmetit zbutën ndikimin e pandemisë në varfëri. Ndërkohë që shpenzimet publike u rritën në 33.2 për qind të PBB-së, dhe të ardhurat totale publike ranë në 26.5 për qind të PBB-së, pavarësisht granteve për financimin e rindërtimit.

Rritja e deficitit fiskal dhe zgjatja e garancive shtetërore post-COVID për sektorin privat bëri që borxhi publik të rritej në 77.4 për qind të PBB-së.

Sa i përket inflacionit, ai ka qëndruar nën kufirin e synuar, megjithëse pas izolimit ai filloi të reflektojë kosto më të larta në transport dhe prodhim. Inflacioni mesatar arriti 1.6 për qind në vitin 2020, kryesisht për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit gjatë periudhës së izolimit. Kontribuuesi më i madh në inflacion kanë qenë çmimet e ushqimeve.

Me një inflacion në nivele të ulëta, politika monetare ishte akomoduese: Banka e Shqipërisë (BSH) uli normën e politikës monetare dhe injektoi likuiditet në sistemin bankar. Si kundërpërgjigje ndaj goditjes së COVID-19 në ekonomi, BSH uli sërish normën bazë të interesit me 50 pikë bazë, duke arritur një minimum të ri historik prej 0.5 për qind.

Ndërsa kursi i këmbimit vijon të jetë fleksibël, gjë e cila i jep mundësi Shqipërisë të asimilojë goditjet e jashtme. Kredia për sektorin privat u rrit me 6.7 për qind në fund të 2020, deficiti i llogarisë korente u rrit në 8.9 për qind të PBB-së në vitin 2020 ndërsa deficiti tregtar në terma nominalë u zgjerua. Remitancat vijuan të hyjnë në vend, pavarësisht krizës në vendet e BE-së ku jetojnë emigrantët.

Pakësimi i fluksit të turistëve, ulja e porosive të përpunimit të tekstileve si dhe ulja e çmimeve të naftës çoi në rënie të eksporteve me 28.6 për qind në terma vjetorë. Ndërkohë që nvestimet e huaja direkte ranë në 6.9 për qind të PBB-së.

Sa i përket rritjes ekonomike, ajo u tkurr me 3.3 për qind në vitin 2020. Megjithatë, tronditja ndaj themeleve të ekonomisë dhe rritjes ekonomike ishte dukshëm më e vogël nga sa u mendua fillimisht.

Duke parë prespektivën ekonomike dhe rreziqet në të ardhmen, raporti i BB vëren se, në rast se do të duhen disa vite deri në përfundim të procesit të vaksinimit në të gjithë botën, ka të ngjarë që turizmi dhe udhëtimet të mbeten të kufizuara. Në këtë rast, PBB-ja në vitin 2021 do të rritet me rreth 4.4 për qind si rezultat i rimëkëmbjes së eksporteve, konsumit dhe investimeve. Sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga turizmi, dhe ndërtimi pritet të jenë nxitësit kryesor të rimëkëmbjes, pjesërisht falë investimeve në procesin e rindërtimit, siç ka ndodhur pas katastrofave të ngjashme natyrore në ekonomitë në zhvillim.

Në vitet e ardhshme, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, duke mbështetur përpjekjet e rindërtimit. Investimet private do të kontribuojnë në rritje për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe do të rritet aksesi i biznesit në financa. Pas vitit 2021, hapësira e kufizuar fiskale ka të ngjarë të çojë në pakësim të shpenzimeve qeveritare. Situata fiskale mund të përkeqësohet nëse mbledhja e të ardhurave nuk rritet.

Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet në 7.7 për qind të PBB-së në 2021 duke u ulur më tej në 6.4 për qind, në linjë me trendin e periudhës para krizës. Eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi dhe operacionet e procesit të biznesit me zgjerim të shpejtë, duhet të çojnë në ngushtim të deficitit tregtar në periudhë afatmesme. Rritja e importit në 2021 do të jetë e lartë në 15,8 për qind si rezultat i përshpejtimit të investimeve në infrastrukturë.

Me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të rriten në 27.6 për qind të PBB-së gjatë periudhës 2021-2022.

Sipas raportit të BB, në 2021 parashikohet një ulje e lehtë e borxhit publik të Shqipërisë, në 77.3 për qind të PBB-së. Perspektiva e punësimit varet së tepërmi nga rimëkëmbja e sektorëve të shërbimeve dhe nga rindërtimi.

Elida Lazi