Kohët e fundit, provinca Hubei e Kinës Qendrore ka publikuar të dhënat ekonomike për tremujorin e parë të këtij viti. Për arsye që Hubei ka qenë zona më e goditur kineze nga epidemia e COVID-19, publiku i ka kushtuar rëndësi të madhe gjendjes ekonomike të kësaj province.

Në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e GDP-së në mbarë provincën Hubei ishte mbi 987.26 miliardë juanë, 58.3 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shifër është më e lartë se në tremujorin e parë të vitit 2019. Kjo tregon që ekonomia në Hubei është mëkëmbur në mënyrë të gjithanshme.

Mëkëmbja kaq e shpejtë e ekonomisë në Hubei është rezultat i kontrollit efektiv të epidemisë dhe ka treguar elasticitetin e modelit të zhvillimit ekonomik të Kinës, pasi mëkëmbja dhe zhvillimi i Hubeit nuk varet vetëm te vetvetja, por mbështetet nga politikat e shtetit dhe të të gjithë njerëzve në Kinë.

Në tremujorin e parë, vlera e shtuar industriale në ndërmarrjet mbi përmasa (me të ardhura vjetore mbi 20 milionë juanë) është rritur me 96 % në krahasim me vjet dhe 6.2 % më shumë se në 2019-n. Sektori i prodhimit me teknologji të lartë shënoi rritje me 129 %. Prodhimi i makinave me energji të reja, fibrave optike, kompjuterave tablet dhe i pajisjeve të printimit 3D është shtuar përkatësisht 7.5, 1.6, 3.3 dhe 25.6 herë.

Këto shifra janë rezultat i politikave favorizuese nga qeveria qendrore. Në fillim të shpërthimit të epidemisë, qeveria qendrore shpalli politika të shumta mbështetëse për Hubein, si ulja e taksave e stimujt financiarë, duke inkurajuar ndërmarrjet e mëdha e të mesme të shtojnë investimet në Hubei. Si rezultat, në vitin 2020 sistemi tatimor në Hubei bëri një ulje të re taksash me vlerë mbi 96.26 miliardë juanë, më shumë se 57.42 miliardë juanë ndër të cilat për ndërmarrjet private, që janë grupi më i favorizuar nga politikat e shkurtimit të taksave. Vjet institucionet financiare në mbarë Hubein kanë dhënë kredi të reja me një vlerë prej 763 miliardë juanësh, ndërsa bilanci i kredive është 14.6 % më shumë se një vit më parë. Në vitin 2021, mbështetjet në këtë drejtim janë në vazhdim dhe deri në fund të shkurtit, bilanci i kredive është rritur me 14.4 % në mbarë Hubein, dhe lidhur me fondet financiare, si obligacionet e posaçme shtetërore kundër COVID-19, Hubei ka marrë mbështetjen më të madhe në mbarë vendin.

Pas rifillimit të punës dhe prodhimit, politikat favorizuese janë në vazhdim dhe qeveria ka ndihmuar në rregullimin e zinxhirëve të prodhimit, duke zbutur presionet e ndërmarrjeve në financim, furnizim dhe shitje. Kjo ka luajtur rol të dukshëm nxitës për mëkëmbjen e shpejtë ekonomike.

Krahas këtyre, si një provincë e brendshme në Kinë, në tremujorin e parë të sivjetshëm, vëllimi i import-eksportit në Hubei në tre muajt e parë të vitit u rrit 88.1 %, 58.9 % më shumë se mesatarja e vendit, duke u renditur në vendin e 2-të në Kinë. Po në tremujorin e parë, investimet e drejtpërdrejta nga jashtë vendit në Hubei ishin mbi 3.09 miliardë dollarë, 25.6 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Këto shifra pozitive janë të pandashme nga promovimi në rang kombëtar. Këto ditë, Ministria e Jashtme e Kinës zhvilloi aktivitetin e promovimit global “Hubei Heroik: Rilindja dhe rilulëzimi”, ku morën pjesë diplomatë nga 155 vende dhe përfaqësues të 21 organizatave ndërkombëtare dhe të qarqeve të biznesit nga brenda e jashtë Kinës.

Mbështetja nga banorët e thjeshtë ka ardhur kryesisht nëpërmjet udhëtimeve në Hubei, konsumit në Hubei dhe blerjes së mallrave nga Hubei. Të dhënat tregojnë që në tremujorin e parë të këtij viti, shitja me pakicë e mallrave të konsumit në Hubei ishte 62.7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020. Gjatë pushimeve të festës "Qingming", fluksi i njerëzve në zonën e biznesit në kryeqendrën e provincës, Wuhan, u mëkëmb me 127 % dhe niveli i shitjes me 132 %. Krahas kësaj, të ardhurat e banorëve në Hubei janë në rritje të vazhdueshme. Të ardhurat urbane dhe rurale janë shtuar me 8.5 % dhe 14.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në një periudhë kur vijon nga të gjitha drejtimet mbështetja me politika, fonde dhe projekte stimuluese, Hubei e ka kapur këtë rast, duke publikuar 30 masa konkrete për nxitjen e zhvillimit ekonomik-shoqëror. Ndërkohë, Hubei ka publikuar dokumentin zyrtar për shpejtimin e projekteve të mëdha dhe për zgjerimin e investimeve efektive. Në shkurt 2021 janë nisur 215 projekte kryesore me investime totale prej 330.54 miliardë juanësh, duke shënuar rekord për qytetin Wuhan. Në mars janë nënshkruar kontrata për 112 projekte investimesh nga jashtë Wuhan-it dhe niveli i investimeve arriti në 34.62 miliardë juanë, një rekord tjetër në historinë e këtij qyteti.

Mëkëmbja e Hubeit dëshmon suksesin e modelit të Kinës me mbështetje kolektive për një vend në vështirësi. Si një vend i madh, është e pashmangshme që ndonjëherë të ketë vështirësi në ndonjë krahinë të Kinës, por kjo nuk është e tmerrshme, sepse me këtë model të suksesshëm, Kina mund të kalojë çdo vështirësi. (Jiang Lei)