Banka e Shqipërisë ka përfshirë në 2020, edhe monedhën kineze Renminbi dhe dollarin australian në valutat, në të cilat mbahet rezerva valutore e shtetit shqiptar. Banka e Shqipërisë bën të ditur se ekspozimi në Renminbi dhe në Dollar Australian pasqyron vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për investimin e një pjese të rezervës sipas shportës së SDR-së së Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rezerva valutore e Shqipërisë mbahet në pjesën më të madhe në Euro, që edhe edhe valuta e huaj me të cilën kryhen pjesa më e madhe e veprimeve tregtare dhe financiare të vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 Euro përbënte, 64.9% të rezervës valutore, e ndjekur nga Dollari Amerikan me 19%, SDR me 5.8%, Ari me 3.5%, Paundi britanik me 2.1%, Jeni japonez me 2%, Renmindi kinez me 1.5% dhe Dollari Australian me 1.5%.

Rezerva valutore është e investuar në aktive likuide, kryesisht me afat maturimi 0 deri në 3 vjet. Megjithatë, pesha e instrumenteve të borxhit me afat mbi 5 vjet, është rritur dhe përfaqëson rreth 7% të portofolit të rezervës në mbyllje të vitit, kundrejt rreth që zinte 1% në vitin 2019.

Ekspozimet sipas emetuesit në transaksion përfaqësohen nga qeveritë dhe bankat qendrore, me 68.7%, ndjekur nga agjencitë me10.1%, institucionet shumëpalëshe me 9.8%, banka dhe institucione të tjera financiare nga 9.0%, institucione të garantuara nga qeveritë.

Gjatë vitit 2020 u realizuan disa ndryshime në rregulloren “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore” me qëllim kryesor përfshirjen në instrumentet e lejuara për investim të klasës së re të instrumenteve – obligacione të mbështetura në kredi hipotekare (Mortgage Backed Securities, MBS).

Investimi në këtë klasë të re instrumenti financiar do të realizohet përmes Bankës Botërore në rolin e administratorit të jashtëm dhe do të shtrihet për një horizont kohor investimi përtej 1 vit, duke u bërë pjesë e transhit të investimit të rezervës valutore.

Rregullorja “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore” ka përcaktuar si objektiva parësorë të procesit të administrimit të rezervës likuiditetin dhe sigurinë. Sigurimi i të ardhurave nga administrimi i rezervës përfaqëson objektivin e tretë, përsa kohë nuk cenohen objektivat e likuiditetit dhe të sigurisë.

Në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore e Shqipërisë kishte vlerën e 3.94 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore të vendit u rrit me 17.3% gjatë vitit të kaluar. Rezerva valutore është një instrument i rëndësishëm në mbështetje të politikës monetare, stabilitetit financiar dhe atij të kursit të këmbimit.

Madhësia e rezervës valutore të vendit vlerësohet e kënaqshme në raport me objektivat kryesorë të saj, një nga të cilët është mbulimi i katër muajve importe.

Mbështetur në të dhënat e tregtisë së jashtme për vitin 2020, vlera mesatare mujore e importeve ishte rreth 410 milionë euro. Vlera bruto e rezverës valutore në fund të vitit 2020 do të mjaftonte për të mbuluar rreth 9.6 muaj importe mallrash.

Qëllim kryesor i rezervës valutore është pikërisht edhe mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj.

Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit.

Për të qenë e përgatitur ndaj nevojave të mundshme në të ardhmen, Banka e Shqipërisë në vitet e fundit e ka rritur ndjeshëm rezervën valutore dhe duket se do të bëjë të njëtën gjë edhe për vitin në vazhdim.

Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë me mbi 56 milionë euro rezervën valutore gjatë vitit 2021.

Gjatë këtij viti janë planifikuar të zhvillohen 14 ankande për shitjen e bonove të thesarit me shuma rreth 4 deri 6 milionë euro në secilin ankand. Në total, shuma e parashikuar për t’u blerë arrin midis 56 deri 84 milionë eurove.

Në totalin e saj rezerva valutore përbëhet nga depozita valutore, obligacione dhe në rezerva ari.

Etleva Xhajanka