Për të gjithë individët që humbën punën gjatë periudhës mars-dhjetor 2020, qeveria vendosi të zgjasë afatin e skemave për subvencionimin e pagës minimale deri në fund të vitit. Ky vendim i qeverisë është parë pozitivisht nga ana e industrisë fasone.

Përfaqësuesit e saj e vlerësojnë si pozitiv zgjerimin e afatit deri në fund të këtij viti për rimarrjen në punë nga kompanitë private, por shtojnë se programet e deritanishme nuk kanë funksionuar siç duhet. Sipas tyre, kjo për shkak të burokracive dhe kritereve rigoroze të përcaktuara nga ekzekutivi.

“Kuptohet që është një program për t’u përshëndetur, por vështirë të zbatohet në praktikë. Masë në situatë të jashtëzakonshme dhe trajtohen si në kohë të zakonshme. Dua të them ka burokraci, kërkesa të shumta për dokumentacion që e bën programin të parealizueshëm. Shihet në të dhënat e listën ku u dha pagesa për pagën minimale dhe bonusin 40 mijë lekë”, shprehet një përfaqësues i industrisë fason.

Prodhuesit e industrisë fason shpjegojnë se janë në krizë likuiditeti dhe çdo ditë po bëjnë shkurtime të stafit. Ata bëjnë thirrje për ndihmë direkte për të mbajtur në punë punonjësit aktualë dhe për t’i mbijetuar krizës.

“E mirë si masë, por duket e parealizueshme sepse në radhë të parë ne duhet të ndihmojmë kompanitë të mbajnë në punë punonjësit aktualë dhe më pas të mund të rimarrim të larguarit nga puna, sepse në industrinë që unë përfaqësoj largohen çdo javë rreth 250 mijë punonjës. Puna që vinte nga jashtë është bllokuar fare dhe prodhimi po lëngon dhe ato pak likuiditete që kishim u shfarosën dhe kjo do vazhdojë edhe më tej. Shifra më të këqija na presin në të ardhmen” thotë një drejtues i industrisë fason.

Si një mënyrë për të zbutur goditjen e tregut të punës, skemat e punësimit 4, 8 dhe 12 mujore të punësimit u lançuan vitin e kaluar nga qeveria. Programet parashikonin subvencionim të pagës minimale dhe kontributeve shoqërore e shëndetësore për periudhat përkatëse sipas skemave.

Ndërkohë për punësimin te privati, skema ndryshon. Qeveria do të mbështesë me subvencionimin e pagës minimale të gjithë të papunët e dalë nga periudha 10 mars-31 dhjetor 2020, në rast se do të punësohen nga biznesi.

Më herët programi për nxitjen punësimit te kompanitë private parashikonte subvencionimin nga shteti të pagës minimale dhe kontributeve për të papunët e dalë nga 10 marsi-23 qershor 2020 nga kriza e Covid-19.

Në Fletoren Zyrtare u botuan ndryshimet për zgjerimin e afateve të atyre që humbën punën dhe skemës të subvencioneve të pagës minimale. Afati i zbatimit të kësaj skeme do të jetë deri më 31 dhjetor 2021. Programi parashikon që paga minimale në shkallë vendi 30 mijë lekë do të subvencionohen nga shteti për 2 muaj, nëse kompania punëson me kontratë 4-mujore punëkërkuesin dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punësuarit për gjithë periudhën.

Për programin 8-mujor të punësimit subvencionimi nga shteti i pagës minimale do të jetë për 4 muaj dhe të kontributeve për gjithë periudhën. Nëse lidhet kontratë 1-vjeçare punësimi, shteti merr përsipër të subvencionojë vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme për 12 muaj.

Ndërkohë për t’u bërë pjesë e programit të punësimit, punëdhënësi duhet të plotësojë disa kritere, të jetë i regjistruar si person fizik ose juridik (nga shoqëri tregtare që parashikonte vendimi i mëparshëm), të mos ketë shkelur ligjin e punësimit përpara shpalljes të pandemisë, vendi i punës i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit, të mos ketë detyrime ndaj tatimeve etj.

Programi i punësimit është një program 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi; Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg.

Për programin e punësimit katërmujor, financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, kompensohet nga shteti në muajin e parë dhe të katërt të kontratës.

Ndërkohë që kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura edhe këto në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, kompensohen çdo muaj.

Ndërsa për programin e punësimit tetëmujor, financimin e pagës në shumën 100% të saj, për të gjithë pjesëmarrësit në program, kompensohen në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës. Ndërsa kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore ofrohen gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara nga shteti çdo muaj.

Edhe për programin e punësimit 12 mujor , shteti subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme të ofruara gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

Elida Lazi