Besimi i biznesit dhe konsumatorëve në ekonomi duket se është përmirësuar, duke i bërë ata më optimistë për të shpenzuar.Përmirësimi i situatës ekonomike në 6 mujorin e dytë të vitit të kaluar, si pasojë edhe e lehtësimit të masave kufizuese të diktuara prej pandemisë, ka ndikuar menjëherë tek besimi i bizneseve dhe konsumatorëve.

Mbështetur në vrojtimin e besimit dhe biznesit të konsumatorit, të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u rrit me 10.3 pikë përqindje në tremujorin e parë të këtij viti, duke arritur në 91.8%.

Por, me gjithë përmirësimin ky tregues mbetet sërish në nivele të ulëta, duke reflektuar edhe pasiguritë e krizës. Këtë tremujor përmirësimi erdhi nga rritja e njëkohshme e besimit si për bizneset, ashtu edhe për konsumatorët.

Ndërkohë kjo tendencë pozitive u përcaktua nga rritja e fortë e besimit kryesisht në sektorin e industrisë, ku bazohet edhe pjesa dërrmuese e eksporteve shqiptare si rrjedhojë e përmirësimit të kontratave porositëse, por edhe nga pritshmëritë për punësimin.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë shënoi rritje të fortë gjatë tremujorit të parë, me 9.5 pikë përqindje, duke u zhvendosur mbi mesataren historike për herë të parë, që pas goditjes negative të një viti më parë. Kjo i detyrohet kryesisht rritjes së balancës së prodhimit, me 20.3 pikë përqindje dhe rritjes së balancës së kontratave porositëse, me 11.8 pikë përqindje. Ecuri të përmirësuar shfaqën edhe balancat e tjera si gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, si edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.

Ndërkohë, besimi rezultoi i përmirësuar edhe në sektorin e ndërtimit që pavarësisht krizës nuk ka njohur rënie, duke mbajtur të zbutur edhe recesionin vitin e kaluar.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 8 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë, por vijon të mbetet nën mesataren historike. Rritja u përcaktua kryesisht nga rritja e balancës së aktivitetit ndërtues me 15.2 pikë përqindje, në një kohë që balanca tjetër formuese e treguesit, kontratat porositëse, shënoi rritje të lehtë me 0.8 pikë përqindje.

Midis balancave të tjera, rritje shënuan edhe gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm.

Treguesi i besimit u rrit edhe për sektorin e tregtisë dhe shërbimeve gjatë këtij tremujori, e kjo si rrjedhojë e kërkesës dhe ecurisë më të mirë bizneseve në këto sektorë si dhe pritshmërive më optimiste për të ardhmen si në ecurinë e punësimit.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve shënoi rritje gjatë tremujorit të parë, me 9.5 pikë përqindje. Megjithatë, edhe për këtë sektor treguesi vazhdon të mbetet nën mesataren historike. Rritja erdhi kryesisht nga përmirësimi i ecurisë së biznesit, me 13.1 pikë përqindje dhe nga rritja e kërkesës, me 6 pikë përqindje.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 5.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë dhe rezulton aktualisht mbi mesataren historike. Përmirësimi i atribuohet kryesisht rritjes së balancës së ecurisë së biznesit, me 8.6 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël rritjes së komponentit tjetër përbërës, balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, me 2.2 pikë përqindje. Rritje shënuan edhe balancat e tjera të vrojtimit si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm.

Paralelisht, tendencë pozitive ka shënuar edhe besimi i konsumatorëve që u rrit me 1.1%, por pavarësisht kësaj vijon të jetë poshtë mesatares historike. Rritja tremujore u ndikua nga përmirësimi i tre prej balancave përbërëse: blerjet e mëdha, me 3.9 pikë përqindje; situata financiare e pritur e familjes, me 1.3 pikë përqindje; dhe situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend, me 0.8 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca e katërt përbërëse e treguesit të besimit të konsumatoriut, të ardhurat dhe shpenzimet, shënoi rënie me 1.7 pikë përqindje, duke i shtyrë ato më tej drejt kursimit.

Ndërkohë që pritshmëritë për të ardhurat dhe e shpenzimet shënoi rënie, duke reflektuar edhe dobësitë e mëdha në buxhetet e familjeve shqiptare, e lidhur ngushtësisht edhe me treguesit e punësimit, ku shumë prej tyre dolën si të papunë nga mbyllja e bizneseve apo shkurtimeve në staf për të reduktuar shpenzimet.

Edhe në tremujorin e fundit të vitit 2020 pati një rritje të besimit në përmirësimin e ekonomisë nga ana e biznesit dhe konsumatorit , treguesit mbeten ndjeshëm nën mesataren e veta historike, të ndikuar nga goditja e fortë negative në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Elida Lazi