Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare për vitin 2021 pritet të jetë me ritme të ngadalta si pasojë e krizës së pndemisë Covid-19. Në raportin e fundit për “Pasqyrën Ekonomike Globale”, FMN vlerëson se ekonomia do të rritet me 5% gjatë vitit 2021, duke ulur dhe pritshmëritë , pasi në vlerësimin e fundit parashikonte një rritje prej 6.1%.

Sa i përket vitit të kaluar, ekonomia shqiptare ka pasur ecuri më të mirë sesa pritej, por rimëkëmbja vlerësohet që të jetë më e ngadaltë sesa pritej këtë vit.

Për vitin 2020, FMN raportoi se ekonomia e vendit u tkurr me 3.5%, një rezultat i ngjashëm me vlerësimet zyrtare të INSTAT, prej -3.31%.

Në krahasim me pritshmëritë e raportit të prillit dhe tetorit 2020 prej -7.5%, rënia është shumë më e moderuara.

Ndërsa për vitin 2021, FMN e ka rishikuar në ulje pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në +5%, nga +6.1% që ishte në vlerësimin e tetorit. Në vitin 2022 vendi pritet të rritet me 4%, për tu ngadalësuar më pas në 3.5%.

Në raport me rajonin, Shqipëria rezulton me rënien më të ulët pas Serbisë , ndërsa më i prekur nga pandemia është Mali i Zi për shkak edhe të varfërisë së lartë nga turizmi, ekonomia e të cilit u tkurr me 15.2% një vit më parë , duke patur ecurinë më negative nga e gjithë Europa në Zhvillim.

Ndërsa në vendet e tjera të rajonit si Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnjë Hercegovinë recensioni ka qenë më i zbutur duke mos e kaluar 6%. Parashikimi i institucionit financiar ndërkombëtar shkojnë thuajse në të njëjtën linjë me atë të vetë qeverisë e cila pret që ekonomia të rritet me 5.5% këtë vit, ndërsa banka qëndrore është më konservatore në vlersimet e saja dhe ka një pritshmëri për rritje ekonomike në nivelin e 4.9%.

Një tjetër shtet me varësi të lartë nga turizmi, Kroacia, u tkurr me -9%, sipas tabelave të FMN-së. Shteti i vetëm me rritje në Europën në zhvillim është Turqia, me +1.8%.

Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej –3.3 për qind në 2020, ekonomia globale parashikohet të rritet me 6 për qind në 2021, duke u moderuar në 4.4 për qind në 2022.

Tkurrja për vitin 2020 është 1.1 pikë përqindje më e vogël se sa parashikohej në tetor në “Parashikimin Ekonomik Global”, duke pasqyruar kështu rezultatet e rritjes, më të larta se sa pritej në gjysmën e dytë të vitit, për shumicën e rajoneve, pas lehtësimit të bllokimeve dhe pasi ekonomitë u adaptuan në mënyra të reja të të punuarit.

Parashikimet për 2021 dhe 2022 janë 0.8 pikë përqindje dhe 0.2 pikë përqindje më të larta se në raportin e Tetorit 2020, duke reflektuar mbështetje shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha dhe rimëkëmbjen e parashikuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit.

Rritja globale pritet të arrijë në 3.3 për qind për një periudhë afatmesme, duke reflektuar dëmtimet në zinxhirin e furnizimit, rritjen e ngadaltë të forcës së punës, si rrjedhojë e plakjes në ekonomitë e zhvilluara dhe disa ekonomi të tregut në zhvillim.

Falë përgjigjes së pashembullt të politikës, recesioni COVID-19 ka të ngjarë të lërë plagë më të vogla se sa kriza financiare globale e vitit 2008. Sidoqoftë, ekonomitë e tregjeve në zhvillim dhe vendet në zhvillim me të ardhura të ulëta janë goditur më rëndë dhe pritet të pësojnë humbje më të konsiderueshme afatmesme.

Sipas raportit të FMN-së, një vit pas pandemisë COVID-19, humbja e jetëve njerëzore vazhdon të jetë shqetësim, edhe pse është rritur mbulimi me vaksina. Pasiguria e lartë rrethon perspektivën ekonomike globale, si rrjedhojë e paqartësive për rrugën që do ndërmarrë pandemia.

Tkurrja e aktivitetit në vitin 2020 ishte e pashembullt, për historinë e njerëzimit, duke pasur parasysh shpejtësinë e rënies dhe natyrën e saj të sinkronizuar.Por mund të kishte qenë shumë më keq.

Megjithëse është e vështirë të përcaktohet saktësisht, vlerësimet e stafit të FMN-së sugjerojnë që tkurrja mund të kishte qenë tre herë më e madhe, nëse s’do të ishin zbatuar politikat e mbështetjes së jashtëzakonshme të politikave. Mbetet shumë për të bërë për të mposhtur pandeminë dhe për të shmangur divergjencën në të ardhurat për frymë në ekonomi dhe rritjen e vazhdueshme të pabarazisë, brenda vendeve.

Elida Lazi