Mbi 20 mijë fermerë aplikuan në vetëm 75 ditë për t’u bërë pjesë e skemës mbështetëse për të marrë kartën e naftës falas. Sipas drejtoreshës së përgjithshme të Angjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karcanaj, Skema Kombëtare Mbështetëse me Karburant u shtri në të gjithë vendin, në datat 15 janar-31 mars.

Për herë të parë, fermerët patën mundësi të aplikonin online nëpërmjet e-Albania, pa asnjë burokraci, duke u dhënë një mundësi të gjithëve, të bëheshin pjesë e një prej skemave, që mbështesin direkt bujqësinë.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Bujqësisë, fermerët fitues do të pajisen me kartën e tërheqjes të naftës në agjencitë bujqësore dhe agropikat.

Për të gjithë fermerët e aprovuar për të marrë një sasi nafte falas, me emrin e tyre do të prodhohet një kartë nafte nga operatori i shpërndarjes se naftës.

Ndërkohë Ministria e Bujqësisë sqaron se fermerët e shpallur fitues duhet t’i drejtohen agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ose agropikave për t’u pajisur me kartën e naftës falas. Çdo fermer fitues pasi pajiset me kartë mund të tërheqë naftën në një pikë karburanti. Fermerëve që u është pranuar aplikimi për përfitimin e naftës falas kanë të drejtë ta tërheqin atë deri në 30 nëntor 2021.

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka kryer verifikimin e përputhshmërisë së dokumentave të deklaruara nga fermeri me ato që ka depozituar. Deri me 30 mars, janë kualifikuar/miratuar rreth 2,000 përfitues, për të cilët vazhdon pajisja me kartën e naftës, sipas sasive respektive.

Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT. Aplikimet u kryen nga fermerë të të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korçës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës.

Parimi kryesor është që mbështetja me naftë bujqësore bëhet për bimë të kultivuara, si perimet e serës dhe dru frutorë.

Nga skema e naftës do të përjashtohen fermerët që deklarojnë tokë të kultivuar me ullishte, kullota, bimë dekorative etj.

Ministria e Bujqësisë më herët ka specifikuar se nëse fermeri që aplikon sipërfaqen e tokës e ka 5 dynym dhe parcelat i ka mbi 1 dynym, por një pjesë toke (3 dynym) është e mbjelle me ullinj, kushti i pranimit prej 4 dynym (0.4 Ha) tokë bujqësore, duhet të jetë sipërfaqja me kultura të pranuara. Pra pjesa e mbjellë me ullinj përjashtohet nga llogaritja. Nëse duke hequr pjesën e mbjellë me ullinj, sipërfaqja e mbetur është më pak se 4 dynym, atëherë aplikanti nuk ka mundësi te përfitojë për mbështetje me naftë bujqësore.

Për rastet kur brenda një blloku me ullinj është mbjellë (për shembull jonxha) nuk do të pranohet për t’u përllogaritur mbjellja brenda bllokut, pasi kulturat bashkëshoqëruese nuk mund të përfitojnë nga mbështetja me naftë. “Në këtë rast jonxha është “bashkëshoqëruese” në një parcelë me ullinj. Nuk përfiton nga mbështetja me naftë”, thuhet më udhëzim.

Regjistrimin e një sere të mbjellë me vreshta, Ministria e Bujqësisë e kategorizon si rast të veçantë dhe për efekt të aplikimit, ajo do të regjistrohet në seksionin “Pemëtore me kategorinë Dru frutore të tjera/Vresht. “Nuk do të regjistrohet si serë në parcelë. Ky është edhe rasti i serave me limon. Pra në këto raste, sipërfaqja nuk do të trajtohet si Serë por si Pemëtore – vetëm për efekt të aplikimit dhe përllogaritjes së normatives.

Fermerët do të përfitojnë nga 56 litër për hektar deri 106 litër për hektar. Ndërkohë nafta pa taksë do të shpërndahet për fermerët që kanë mbjellë tokën me një nga kulturat bujqësore të ndara në 3 grupe si përfituese të skemës të re.

Për 1 ha tokë të mbjellë me misër dhe fasule, që përfshihet te grupi “Bimë arash” do të shpërndahet 106 litra naftë falas për hektar. Për të gjitha llojet e frutave, agrumeve dhe vreshtave pjesë e grupit të dytë “Dru frutore” për aplikimet e pranuara do të shpërndahet 90 litra për hektar falas, ndërsa për të mbjellat me mollë 106 litra naftë për hektar.

Në total janë 3 grupe kulturash bujqësore që rimbursohen nga skema dhe 11 nëngrupe. Për perimet e fushës që kultivohen në sezonin e parë të mbjelljes, duke përfshirë të gjitha llojet e perimeve, si edhe shalqi, pjepër, luleshtrydhe normativa e llogaritur e naftës për t’u shpërndarë është 84 litra për hektar. Fermerët që kultivojnë perime sere për sezonin e parë të mbjelljeve do të mbështeten me 95 litra naftë për hektar dhe perimet e mbjella në sezonin e dytë do të mbështeten me 78 litra naftë për hektar.

Sasia e naftës që përfiton aplikanti do të varet nga sipërfaqja e tokës të deklaruar dhe kultura bujqësore që ai ka mbjellë apo që do të mbjellë. Secili nga fermerët mund të bejë vetë llogaritë sesa litra naftë në total do të përfitojë nga skema.

Fillimisht do të llogaritet sasia e naftës falas për te gjithë ata fermerë që kanë deklaruar toke bujqësore deri në 10 hektar. Më pas, llogaritet sa ka ngelur nga fondi limit i naftës dhe për të gjithë ata që kanë më shumë se 10 hektar, për pjesën mbi 10 hektar, shërbehen me sasinë e korrektuar te naftës sipas koeficientit.

Subjekte përfituese nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë do të jenë fermerët individualë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, personat fizikë apo juridikë, të cilët kryejnë veprimtari bujqësore.

Ndërkohë në platformën e-Albania vazhdojnë aplikimet për një tjetër skemë që ka përsëri në fokus fermerët.

Skema Kombëtare e Mbështetjes për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural u jep mundësi të gjithë fermerëve të aplikojnë online në e-Albania për të përfituar direkt nga mbështetja financiare e Qeverisë Shqiptare. Aplikimet nisën në datën 24 mars dhe përfundojnë më 15 prill, si një hapësirë e re që falë teknologjisë do të jetë gjithëpërfshirëse, duke rritur prodhimin vendas dhe formalizuar tregun.

Elida Lazi