Sektori më i goditur nga pandemia Covid-19 gjatë vitit 2020 ishte turizmi.Që nga fillimi i pandemisë në mesin e muajit mars, të gjitha udhëtimet për një periudhë disa mujore u ndërprene, por dhe më pas ato mbetën të kufizuara dhe vijojnë të jenë të tilla.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri u përgjysmuan, duke zbritur në 989 milionë euro. Në vend, në total kanë hyrë rreth 1.1 miliardë euro më pak, dhe kjo si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve. Në tremujorin e dytë dhe të tretë, tkurrja ishte edhe më e fortë.

Ndërkohë të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se numri i shtetasve të huaj që hynë në vend në 2020 ra me 58.5%, pasi viti i mëparshëm kishte qenë më i miri në historinë e turizmit shqiptar. Sa i përket rezervime tw verës nga agjencitë e huaja në Europë, si Polonia, Çekia, vendet nordike, Gjermania etj u anuluan.

Turizmi u mbajt në këmbë nga rajoni, kryesisht nga shtetasit e Kosovës, të cilët shpëtuan hotelet nga rënia edhe më e thellë e të ardhurave. Në 2020-n, turistët nga Kosova zunë 52% të totalit, nga 34% që ishte një vit më parë.

Sipas të dhënave të INSAT, në sektorin e akomodimeve, të cilat janë të lidhura drejpërdrejt me turizmin janë rreth 1,400 ndërmarrje aktive. Ndërkohë që kriza nga COVID-19 vazhdon të prek strukturat më të mëdha akomoduese të Shqipërisë.

Edhe përsa i përket sezonin të ri, operatorët janë pesimistë për rikthimin e normalitetit, pasi skenari i turizmit patriotik dhe ai mbarë shqiptar është më i mundshmi edhe këtë vit. Ata e konsiderojnë të domosdoshëm vaksinimin e punonjësve të sektorit të turizmit.Sipas tyre, edhe në këtë sezon, turizmi do të përqendrohet me pushuesit vendas.

Ndërkohë që kërkesat nga grupet turistike çeke dhe polake vijojnë të ketë edhe për këtë vit , por për operatorët turistik nuk është e sigurt nëse ato do të finalizohen, pasi ekziston frika e infektimit. Kjo është dhe arsyeja që nga ana e tyre kërkohet që shteti të vaksinojë punonjësit e strukturave akomoduese në të gjithë vendin, pasi ky do të ishte një sinjal pozitiv për pushuesit e huaj dhe vendas.

Sipas të dhënave të INSTAT, aktiviteti i hoteleve ka shënuar një rënie të fortë që nga tremujori i dytë i vitit, me 63%. Në periudhën e verës humbjet u reduktuan, me një tkurrje prej 34%, ndërsa fundi i vitit dhe rikthimi i karantinës e përkeqësuan më tej aktivitetin, duke sjellë një rënie të volumit të aktivitetit me 41%.

Ndërkohë që të huajt nuk kishin kufizime për të hyrë në Shqipëri që nga muaj maj, Bashkimi Europian ndaloi udhëtimin e shtetasve shqiptarë prej mesit të marsit dhe ende nuk lejon lëvizje për qëllime turistike. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga vendi , gjatë vitit 2020-n ra me 51%.

Ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë ranë me 58% në vitin 2020, duke zbritur në 667 milionë euro.Në total janë rreth 915 milionë euro “të kursyera”, si rrjedhojë e pamundësisë për të lëvizur.

Njësoj si me shpenzimet e shtetasve të huaj, edhe ato të shqiptarëve ranë me ritmet më të larta në tremujorin e dytë dhe të tretë.

Ndërkohë bilanci i turizmit (diferenca mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë) në vitin 2020 ishte pozitiv prej 321 milionë euro, por të ardhurat e munguara nga turizmi kanë dëmtuar ndjeshëm industrinë vendase.

Ulja e numrit të turistëve dhe shpenzimet e munguara të tyre çuan në krizë aktivitetin hotelier shqiptar. Sipas INSTAT, volumi i aktivitetit të këtij sektori që vitet e fundit kishte marrë hov për shkak të rritjes së numrit të turistëve, ra me 63% gjatë periudhës së karantinës.

Kjo situatë ka vënë në vështirsi pronarët e këtyre bizneseve duke thelluar pamundësitë financiare për kryerjen e pagesave të interesit të kredive bankare. Ndërkohë bëhet e pamundur dhe mbajtja në punë e të gjithë punonjësve.

Pas një rikuperimi në muajt e verës, por që mbeti sa dy të tretat e vitit 2019, që ishte më i miri historik për turizmin, shitjet e këtij sektori ranë sërish me 41% në muajt e fundit të vitit, pas rikthimit të pjesshëm të karantinës.

Ndalimi i udhëtimeve dhe i aktiviteteve turistike, që ende po vijon, ka bërë që edhe agjencitë e udhëtimit të jenë më të goditurat në vend nga pandemia. Ky sektor nuk po arrin të marrë veten.

Pas rënies së aktivitetit me 86% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, vera vijoi me tkurrje prej 57%, sipas INSTAT. Ndërsa në tremujorin e fundit, rënia u përshpejtua sërish në -66.4%, teksa as të huaj nuk erdhën dhe as shqiptarët nuk udhëtuan jashtë për festat e fundvitit.

Elida Lazi