Në janar të këtij viti, në Shqipëri hyri në fuqi ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”. Ligji reflekton direktivën e Bashkimit Evropian dhe sjell ndryshime të ndjeshme në tregjet e pagesave. Në Shqipëri, rëndësia e këtij ligji nuk është ende shumë e prekshme, megjithatë, ligji i ri krijon kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve financiare të pagesave.

Koncepti më novator që sjell ligji i ri për shërbimet e pagesave, është ai i open banking (bankingut të hapur). Kjo do të thotë se, do të krijohen dy shërbime të reja, ai i informacionit mbi llogaritë dhe shërbimi i inicimit të pagesave. Aktualisht, individët mund t’i aksesojnë llogaritë e tyre bankare vetëm përmes platformave të bankave përkatëse.

Me ligjin e ri, individët dhe bizneset do të kenë mundësi që t’i aksesojnë të gjitha llogaritë e tyre në banka të ndryshme, nëpërmjet një platforme të vetme dhe gjithëpërfshirëse, që mund të ofrohet nga institucionet financiare që do të licensohen për këtë qëllim. Edhe inicimi i pagesave mund të bëhet përmes një platforme të vetme, përmes së cilës klienti mund të kryejë pagesa nga llogari që mund të ndodhen në banka të ndryshme.

Por ndërkohë Strategjia Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël parashikon një sërë projektesh të tjera, si sistemet për shlyerjen kombëtare të pagesave në euro, për procesimin lokal të pagesave me kartë, pagesat e çastit (instant payments) apo debitimin direkt ndërbankar.

Ekspertët janë të mendimit se, pandemia mund të krijojë një terren të favorshëm që nismat e reja ligjore dhe operacionale t’i japin hovin e nevojshëm modernizimit të pagesave në Shqipëri.

Ndërsa shifrat flasin për një përdorim të gjerë të parasë fizike.

Një studim i Bankës Botërore i vitit 2018 tregon se konsumatorët shqiptarë dërgojnë dhe marrin pagesa ditore në shumicën dërrmuese në para fizike (cash), me 96% e pagesave të iniciuara dhe 90% të pagesave të marra. Gjithashtu, 95% e transfertave individ me individ kryhen në cash. Edhe pse pagesat e qeverisë kanalizohen në një masë të madhe drejtpërsëdrejti në llogarinë bankare të përfituesit.

Kryerja e pagesave është një aktivitet që bart kosto në para dhe në kohë shumë më të madhe nga sa mund të mendojmë. Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore për kostot dhe kursimet e pagesave me vlerë të vogël ka treguar se në total, këto pagesa kanë një kosto sa rreth 2.5% e PPB ose pothuajse 300 milionë dollarë në vit.

Pjesë më e madhe e këtyre kostove paguhen nga konsumatorët, por edhe nga bizneset. Një zëvendësim gradual i pagesave cash me forma të tjera dhe kryesisht pagesa elektronike do të sillte kursime të konsiderueshme për ekonominë dhe veçanërisht për konsumatorët.

Nëse 50% e pagesave të faturave në cash zëvendësohen me debitime elektronike direkte, konsumatorët do të kursenin rreth 750 milionë lekë, bizneset do të kursenin rreth 1 miliard lekë, ndërsa ofruesit e pagesave përafërsisht 1.8 miliardë lekë.

Një studim i përbashkët mes Bankës Botërore dhe Universitetit të Cambridge, publikuar në vitin 2020, tregoi se vetëm 28.8% e shqiptarëve kanë kryer ose kanë përfituar një pagesë me kartë në 12 muajt e fundit. Studimi tregon gjithashtu se 7.7% e shqiptarëve kanë përdorur një kartë bankare për pagesë dhe vetëm 8% e shqiptarëve zotërojnë një kartë krediti,

Megjithatë, pandemia që shpërtheu vitin e kaluar solli një lloj shkundjeje pozitive. Kufizimet e vendosura dhe frika se kontakti me paranë cash mund të shtonte rreziqet e infektimit bënë që shqiptarët të përdornin më shumë instrumentet e pagesave jo cash. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i transaksioneve përmes kanaleve bankare në distancë, si internet banking apo mobile banking, për vitin 2020 arriti shifrën rekord prej 4.12 milionë, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë Strategjia kombëtare e pagesave me vlerë të vogël, parashikon mes të tjerash krijimin e një platforme kombëtare procesimi të kartave për të gjithë emetuesit. Studimet kanë treguar se ngritja e një platforme të tillë do të sillte ulje domethënëse të kostove, me të paktën 30% për transaksionet kombëtare me kartë. Aktualisht, në Shqipëri ekziston një operator skeme kombëtare të pagesave me kartë, kompania PayLink.Ekspertët shpjegojnë se përfitimet do të ishin të konsiderueshme për sistemin shqiptar të pagesave, nga ngritja e një skeme të tillë.

Etleva Xhajanka