Eksportet shqiptare shënuan një tendencë pozitive, gjatë muajt janar, por që nuk arritën ta ruajnë atë edhe gjatë muajit shkurt. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, vihet re se në muajn shkurt, shitjet jashtë vendit ishin 4.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 1% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Për dy mujorin, eksportet kanë shënuar një rritje të lehtë prej 1%, si rrjedhojë e ecurisë së mirë në janar.

Sektori i tekstileve dhe ai i këpucëve po shfaqin më shumë vështirësi. Shitjet e këtij grupi ranë me 18.5% në shkurt, ndërsa për 2 mujorin tkurrja është 11.8%. Eksportuesit pohojnë se ata janë në vështirësi të mëdha, për shkak të rënies së kërkesës nga partnerët e huaj, pas karantinave të reja që janë zbatuar nga shumë shtete muajt e fundit. Nëse situata vijon e tillë, do të mbyllin aktivitetet dhe shkurtojnë punonjësit, shprehen eksportuesit.

Sipas tyre, nuk bëhet më fjalë për kompani të vogla që u prekën që në fillim, por janë biznese të mëdha në aspektin e numrit të punonjësve që kanë. Një pjesë e tyre po përpiqen të mbijetojë duke bërë shkurtime. Ka kompani që kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës me qindra punonjës. Ndërkohë që janë në pritje të ndryshimit të situatës me shpresën se do përmirësohet diçka në tregjet jashtë.

Duke iu referuar të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, grupi i tekstileve dhe këpucëve zë peshën kryesore të eksporteve në vend. Për 2 mujorin, ai zinte 36% të totalit, nga 42% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky sektor është dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj, me mbi 60 mijë të punësuar,

Florian Zeka përfaqësuesi i Shoqatës Pro Eksport-Albania tha për “Monitor.al” se përkeqësimi i situatës ishte paralajmëruar që në muajin qershor të vitit të kaluar.

“Rënia e eksporteve vjen për shkak të lockdown në vendet ku ne eksportojmë veshjet dhe këpucët. Për shkak të krizës nga Covid-19 për herë të parë në këto 30 vjet prodhimi i veshjeve të punës ka shënuar rënie drastike, në disa ndërmarrje të tjera është mbyllur prodhimi. Kjo ka ardhur pasi fabrikat që kërkonin veshje pune në Itali, Gjermani, Francë dhe Angli janë mbyllur. Sektori i veshjeve të modës kërkon edhe një vit pas kthimit të normalitetit të stabilizohen. Kjo situatë ka sjellë që shumë manifaktuara në vend të mbyllen, të tjera të reduktojnë prodhimin. Nga muaji shkurt vazhdon dalja e punonjësve në asistencë, ndërsa shumë kompani janë në pamundësi financiare për të paguar detyrimet”, u shpreh Florian Zeka

Kryetari i Shoqatës ProEksport -Albania, Edvin Prençe tha se sektori i këpucës është më i godituri, duke pasur një rënie me mbi 63% të porosive.

“Mbyllja e Italisë nga dje e ka çuar ne kolaps e bllokim dhe atë programim që ishte bërë. Po humben mesatarisht 200 vende pune në javë. Muaji mars i dha goditje tjetër fatale sektorit. Tekstili është në rënie më të lehtë, por edhe ky sektor është në kolaps, pasi prodhimet e materialeve njëpërdorimshe, janë bllokuar dhe shtetet mundohen të ngrenë ekonomitë e tyre duke bërë prodhim brenda vendit. Nëse i shtojmë kësaj mungesën e investimeve për rritje të sasi/cilësi që kërkohet dhe ja ku po dalim jashtë kompetitivitetit ballkanik. Nuk ka reagim në mbështetje të sektorit nga Qeveria dhe si ne dhe klientët tanë, duhet te presim 26 prillin për të parë se çfarë do të ndodhë. Lufta për mbijetesë ka qenë e ashpër, por tani po bëhet e papërballueshme nga sektori”, tha Prençe.

Grupi me ecurinë më të mirë është “Materiale Ndërtimi, metale”, që është rritur me 32.6% për 2 mujorin. Rimëkëmbja e këtij sektori filloi që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, ndërsa Kurum, prodhuesi më i madh zgjeroi edhe tregun rajonal në Serbi, krahas kërkesës që u rrit nga shtetet e tjera fqinjë. Si rrjedhojë, ky grup ka kaluar në eksportuesin e dytë më të madh në vend, me 18% të totalit.

Mineralet dhe lëndët djegëse shënuan një rënie të lehtë me 4.6% për dy mujorin. Ky grup ka kaluar i treti, me 17% të totalit. Eksportet drejt Spanjës, që është destinacioni kryesor i prodhuesit të naftës Bankers Petroleum, eksportuesit më të madh në vend, ranë me 25%.

Ushqimet pijet dhe duhani kanë vijuar tendencën e tyre pozitive, duke shënuar një rritje prej 22.8% në janar-shkurt me bazë vjetore.

Me rritje ishin dhe makineritë, pajisjet, pjesë këmbimi (+9.8%), që ka shënuar ecuri pozitive muajt e fundit pas rritjes së numrit të fabrikave që montojnë pjesë këmbimi për sipërmarrjet e mëdha të automjeteve.

Sipas INSTAT, gjatë muajit Shkurt 2021, rënia e eksporteve prej 0,9 %, krahasuar me Shkurt 2020, është ndikuar nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -7,6pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,5pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,9pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,9pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,3pikë përqindje.

Në dymujorin e parë të 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 49 mld lekë, duke u rritur me 1,0%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 98 mld lekë, duke u rritur me 4,3%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 49mld lekë, duke u rritur me 7,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, gjatë muajit shkurt , në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova, Greqia dhe Kina. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia, Spanja dhe Gjermania.

Elida Lazi