Prej vitit 1991 deri në 1998 agronomi Dhimitër Miçi nga fshati Llazati, Himarë në jug të Shqipërisë, e nisi aktivitetin e tij të biznesit në fushën e fidanishtes në Larisa të Greqisë. Atje kishte 15 punëtorë. Më pas, mendoi të vinte në Shqipëri, ku punon edhe sot e ka shtrirë aktivitetin e prodhimit të fidanëve në të gjithë Shqipërinë.

Klientët e Fidanishtes “Miçi” janë fermerë që kultivojnë ullirin, arra, vreshta e pemëtore të ndryshme. Ata janë të shumtë dhe i gjen nga jugu deri në veri të Shqipërisë.

Para pandemisë dhe sot

“Para kohës së pandemisë ne në fidanishte kishim 10-fishin e prodhimit të sotëm të fidanëve. Në prodhimin e fidanëve të ullirit kemi arritur deri në 30.000 fidanë. Por sot, nuk arrijmë më shumë se 5-6000 fidanë ulliri”, -thotë Miçi.

Sipas tij, me nisjen e pandemisë klientët ishin më të rezervuar, por dora-dorës, ai shpreson se situata do të ndryshojë.

“E kështu, që sot e kemi ulur disi prodhimin e fidanëve. Jemi përqëndruar se fundi në prodhimin e fidanëve të ullirit, duke kultivuar fidanë spanjollë për vaj, fidanë me lloje autoktone shqiptare, si dhe fidanë greke për vaj dhe të shartuar për përdorim të dyfishtë”, – shprehet ai.

Miçi tregon se veç fidanëve të ullirit është përqendruar në prodhimin e fidanëve të arrës hibride amerikane, që sipas tij “është një prodhim që i përket të ardhmes”.

“Këto fidanë hibride të arrës kaliforniane kanë disa veçori: kanë prodhimtari të lartë, mbillen nga zero deri në 800 metra mbi nivel të detit. Dhe Shqipëria me tokat e saj në këto kuota, e favorizon shumë prodhimin e arrës”, – rrëfen Dhimitri.

Ai shprehet se “ka prodhimtari të lartë, deri në 50-60 kg/për bimë me shërbime. Kanë cilësi të lartë të frutit. Sot njerëzit ende nuk ia kanë idenë. Por nesër do jetë ndryshe se do të shohin leverdinë. Ai tregtari do të vijë dhe do shikojë një kokërr arre. Do ta thyejë një kokërr arre dhe do të shohë tulin me ngjyrë kafe dhe do të thotë: “këtë nuk e marr”. Nëse do të shohë një tul bukë arre me ngjyrë të bardhë, siç është arra kaliforniane që ne kultivojmë , varieteti “candler”, e merr se i pëlqen dhe i leverdis”.

Nga hapat e parë të hapjes së biznesit

Hapat parë të aktivitetit në Shqipëri të Dhimitrit ishin në vitin 1999. Por në të vërtetë këto hapa u hodhën në shtetin grek më herët. “Këtu në Shqipëri nisa punën në vjeshtë të vitit 1999. Më parë kisha fidanishte në Larisa të Greqisë. Aty punova në biznesin tim nga viti 1994 deri në vitin 1998. Kisha 15 ha fidanishte me personel të përhershëm që punonte normalisht, 15 punëtorë e specialistë”, – tregon Dhimitër Miçi në fidanishten e tij në Livadhja.

“Ne shqiptarëve na pëlqen vendi i origjinës”, shton ai. Kështu Miçi e transferoi biznesin e kultivimit të fidanëve nga Larisa në Livadhja, në vendlindjen e tij”.

“Gjeografia” e fidanëve

Kryesisht 80% e aktivitetit, pra të produkteve tona shtrihen që nga Mallakastra, Përmeti, Tepelena, Fieri, etj, tregon Dhimitri. Aai shton se “ne punojmë edhe me Fierin, Shkodrën, me tërë zonat në Shqipëri.

“Kjo shikohet si leverdi edhe nga biznese te tjera, si të thuash “jashtë profilit”, të cilët vijnë këtu në fidanishten tonë”, shprehet Miçi.

Ai na tregon se, një biznesmen nga Fieri që merret me hidrosanitare, erdhi në fidanishten e tij dhe kërkoi të dinte më shumë dhe bëri porosi për fidanë fistiqe.

“Dha porosinë dhe ne ia morëm përsipër për qindra rrënjë fidanë fistiqe, por edhe arra. Fistiqet nuk janë të kultivuara deri më sot në Shqipëri, por biznesmeni ishte optimist që të provonte kultivimin e tyre me finadët e përgatitur nga ne dhe sot pemët e fistiqes në token e tij janë rritur mbarë”, - thotë agronom Miçi.

Sipas tij, ka njerëz që kanë bërë prokopi të madhe me ullinjtë. Kanë mbjellë vitin e parë 150 fidanë. Pastaj kanë kërkuar sërish 200 edhe më pas 300 dhe kanë bërë sot dhjetra ullishte në shumë vende të Shqipërisë. Sipas Miçit, ”sot ka shumë fermerë që kanë krijuar biznese shumë fitimprurëse me kultivimin e ullirit kokërrmadh të Halkidhikisë, që veçohen për prodhim të bollshëm vaji”.

Miçi, agronomi i talentuar, shprehet se, falë mbështetjes nga Skema Kombëtare ka arritur të shtojë numrin e fidanishtes “Miçi” edhe në Korçë e Përmet, duke përshtatur sipas kushteve klimaterike dhe kultivimin e fidanëve pemëtore (si kumbull apo mollë).

“Kam marrë tokat me qira në këto zona dhe fidanët i kam blerë përmes subvencionit nga Skema Kombëtare. Pa dyshim që kjo është një ndihmë e konsiderueshme për ekonominë time, por edhe për zhvillimin e biznesit tim”, – tha ai.

Ndërsa bën apel se në këtë periudhë të pandemisë, më shumë se kurrë ka dalë në pah domosdoshmëria për t’u marrë me prodhimin bujqësor dhe për të punuar tokën.

“Toka është po ajo. Ne do rrojmë këtu, fëmijët tanë do rrojnë këtu. Do këshilloja që kushdo që ka mundësi të kultivojë tokën është mirë të zgjedhë ullinj edhe fruta të thata si arra, lajthi, fistiqe, bajame. Sepse janë kultura me kërkesa në rritje. Prodhimi vendas dhe ai botëror është defiçit për këto fruta të thata.

Dhe ato kanë vetinë që të futen shpejt në prodhim, kanë aftësinë të magazinohen për një kohë të gjatë. Kështu që njerëzit asnjëherë nuk do dalin me humbje nga këto kultura”, – shprehet Miçi.

Vasili është djali 32 vjeçar i Dhimitrit. Punonte familjarisht në Greqi, por tani është kthyer dhe punon në fidanishten “Miço”.

“Herën tjetër Vasilin do ta gjeni këtu si “administrator”, shprehet Miçi. Ndërsa shton se –“Unë do të jem thjesht një këshilltar i tij”.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po i kushton rëndësi të veçantë, certifikimit të farërave dhe fidanëve, si baza të rëndësishme që garantojnë cilësinë e prodhimit bujqësor. Në këtë kontekst, ministria e Bujqësisë, krahas certifikimit po sheh me prioritet edhe rajonalizimin e bujqësisë, duke financuar projekte për kultura që përbëjnë avantazhe krahasues për një zonë të caktuar.

Katër varietete italiane të ullirit, qershisë, kumbullës dhe mollës, po testohen për t’u kultivuar në fidanishten e Zëmblakut, Korçë, për prodhim të një cilësie dhe rendimenti të lartë për eksport.

Për rajonalizimin e fidanëve frutorë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, projekti “Rural Korçë”, ka nisur në fidanishten e Zëmblakut procesin e kultivimit të katër varieteteve të reja frutore, mbi baza shkencore.

Shkëlqim Mullaji, ekspert i bujqësisë shprehet se, “nisma synon të sjellë varietetet e reja të mollës, ullirit, qershisë dhe kumbullës, mbi bazën e studimeve shkencore, për t’i provuar në zonën e Korçës. Përshtatja e tyre në rajonin tonë do të japë impakt shumë pozitiv në prodhim, eksport dhe rritjen e të ardhurave për fermerët”.

Sipas tij, testi do të kryhet për të parë se cilat nga këto varietete përshtatet më mirë në zonën e Korçës, pasi jo çdo gjë e sjellë nga jashtë mund të përshtatet për rajonin e Korçës.

Por ndryshe nga herët e tjera, thotë Mullaji, kjo është një iniciativë mbi baza studimore dhe është mirëpritur nga fermerët e zonës, që dallojnë për prodhimin e frutorëve.

“Në këto vite fermerët kanë eksperimentuar me lloje të ndryshme varietete të bimëve të ndryshme, pa u orientuar nga ekspertë të mirëfilltë të fushës dhe ka pasur raste që është gabuar. Teknikisht ndodhte që ditët e prodhimit të bimëve nuk përkonin me kushtet mjedisore dhe klimaterike të Korçës ndaj dhe rendimenti i prodhimit të tyre nuk ishte në pritshmëritë e duhura”, shprehet Mullaji.

Ai thotë se, iniciativa e këtij lloji që zbatojmë sot, vjen mbi baza shkencore nga ekspertët shqiptarë dhe italianë dhe fermerët kultivues të fidanëve, e kanë mirëpritur si risi që do të përmirësojë standardet e prodhimit të frutikulturës në këtë zonë, për furnizimin e tregun vendas dhe të huaj.

Etleva Xhajanka