Gjatë pandemisë, zakonet e konsumatorëve ndryshuan. Koha e kaluar në kuzhinë u rrit, raftet e marketeve u boshatisën dhe karrocat u mbushën me produkte më jetëgjatë. Situata ishte e njëjtë në thuajse gjithë Evropën, duke marrë parasysh atë që u paraqit në media, por edhe nga studimet mbi blerjet dhe konsumimin e ushqimit gjatë pandemisë.

Sondazhi, mbi synimin për të matur ndryshimet në sjelljet e lidhura me ushqimin pas bllokimeve dhe masave të ndryshme kufizuese të miratuara në të gjithë Evropën, u krye nga “EIT Food”, në bashkëpunim me një konsorcium të universiteteve, dhe përfshiu mbi 5000 konsumatorë nga 10 vende: Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Spanja dhe Suedia.

Ndryshimet në zakonet e konsumatorit janë vërejtur në të gjitha vendet dhe kanë të bëjnë me mënyrën në të cilën bëhet blerja dhe zgjedhjen e produkteve për t’u vendosur në tryezë. U vu re rritja e përqindjes së blerjeve në internet në të gjithë Evropën, në rreth 45% të pjesëmarrësve, si me dorëzimin në shtëpi ashtu edhe me mbledhjen në pikën e shitjes. Një bum i vërtetë është regjistruar në Greqi, ku 60% e konsumatorëve thonë se kanë rritur shpenzimet e tyre në internet.

Gjatë pandemisë, për pothuajse gjysmën e pjesëmarrësve (47%), tendenca për të bërë blerje të mëdha gjithashtu u rrit, në mënyrë që të kishte furnizime për t'u përballur me shtrëngimin e papritur të masave të vendosura nga qeveritë, për të përmbajtur përhapjen e virusit.

Konsumatorët të cilët planifikojnë me kujdes blerjet e tyre janë rritur gjithashtu (45%), ndoshta me qëllim që të kalojnë sa më pak kohë të jetë e mundur nëpër supermarkete. Vështirësitë ekonomike që kanë prekur shumë konsumatorë evropianë, 34% thonë se kanë përjetuar një rënie të të ardhurave, janë reflektuar gjithashtu në sjelljen e njerëzve. Në të gjitha vendet, veçanërisht në Spanjë, ekziston një trend i caktuar drejt blerjes së ushqimeve më të lira, dhe rënie përkatëse në produktet më të shtrenjta (përveç se në Francë, ku ato janë rritur).

Në përgjithësi, konsumi i të gjitha kategorive të produkteve ushqimore u rrit, me fruta dhe perime në krye. Përdorimi i miellit në gatim është rritur gjithashtu në Evropë dhe nuk është për t'u habitur të zbulosh se vendi ku ka ndodhur më shumë është Italia, ku pothuajse një në dy njerëz thonë se kanë rritur blerjet e tyre (49%).

Konsumimi i produkteve të qumështit, mishit të pulës, ëmbëlsirave, çokollatës dhe ushqimeve të vogla gjithashtu u rrit, ndërsa ranë vetëm dy kategori, pijet alkoolike dhe mishi i kuq.

Mes pandemisë dhe protestave për klimën, vëmendja është rritur edhe për paketimin e produkteve, e cila e gjen veten në qendër të trendeve konfliktuale. Nga njëra anë, një e treta (33%) e konsumatorëve të anketuar thonë se preferojnë ushqime të paketuara më shumë se më parë për arsye higjienike, nga ana tjetër një përqindje e ngjashme (29%) e njerëzve thonë se përpiqen të blejnë më shumë produkte me shumicë ose me paketim 100% të riciklueshëm.

Në të gjitha vendet, koha e kaluar në kuzhinë është rritur, veçanërisht për grupin e konsumatorëve të anketuar mes moshës 18 dhe 35 vjeç, 43% e të cilëve thonë se kanë gatuar më shumë. Për më tepër, 39% e njerëzve raportojnë të kenë eksperimentuar më shumë me receta të reja, veçanërisht në Spanjë, Itali dhe Greqi. Si pasojë, ky rizbulim i gatimit korrespondon me një rënie në blerjet e vakteve të gatshme dhe zakonin e shkuarjes në restorante për rreth një të tretën e konsumatorëve, me përjashtim të grupmoshës 18-35 vjeç në të cilën një e treta e njerëzve raportojnë se kanë rritur porositë nëpër restorante.

Bllokimi i vendosur nga autoritetet për të zbutur përhapjen e Covid-19 ka pasur në mënyrë të pashmangshme ndikim, jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por edhe në zakonet tona të jetës së përditshme. Muajt e fundit, mënyra se si punojmë, studiojmë, takohemi, argëtohemi dhe, në mënyrë të pashmangshme, edhe mënyra e blerjes ka ndryshuar. Mbyllja e dyqaneve duket se ka përshpejtuar procesin e transformimit të mënyrës se si blejmë.

Një studim nga konsorciumi “Netcomm” zbuloi se në periudhën e karantinës, 77% e kompanive që shesin produktet e tyre në internet patën blerje nga klientë të rinj. Sipas një analize tjetër të kryer nga “Revolute”, dy tregjet kryesore globale, “Amazon” dhe “AliExpress”, sidomos në mes të pandemisë, panë rritje të vëllimin e tyre të transaksioneve në shumë vende evropiane. Trendi i rritjes në shitjet e produkteve të konsumit ishte veçanërisht pozitiv, i cili, sipas sondazhit, regjistroi në +162% në kulmin e mbylljeve pandemike.

Duke parë të dhënat e fundit nga Eurostat për tregtinë digjitale në Kontinentin e Vjetër, mund të shohim se 60% e qytetarëve evropianë bënë të paktën një blerje në një portal të tregtisë elektronike gjatë vitit 2020. Kjo është 4% më shumë se një vit më parë.

Rritja e regjistruar merr një vlerë edhe më domethënëse nëse marrim parasysh se të dhënat mesatare nga Mbretëria e Bashkuar nuk merren më parasysh, e cila vitet e fundit ka qenë gjithmonë në krye të renditjes së tregtisë digjitale.

Evropianët që blejnë më shumë janë përsëri danezët (84%) dhe suedezët (82%). Në fund të renditjes gjejmë Italinë (38%), Rumaninë (23%) dhe Bullgarinë (22%). Mallrat dhe shërbimet më të blera në internet vitin e kaluar përfshinin veshje (63%), shërbime udhëtimi (52%), filma, muzikë dhe libra elektronikë (50%), sende shtëpiake (43%) dhe bileta të eventeve (38%).

Bota e tekstileve ishte për fat të keq një nga ato që u godit më shumë nga pandemia. Midis mbylljes së detyruar të dyqaneve dhe frikës së njerëzve për të provuar veshje në dyqanet fizike, sektori po lufton për të rifilluar. Kompanitë thonë se patën rënie të mëdha të shitjeve fizikisht nëpër dyqane, por kanali i shitjeve të tregtisë elektronike të kompanive përjetoi rritje deri në 50%.

Në vitin 2020, lulëzoi edhe më shumë kategoria "shpërndarja e ushqimit", që në gjysmën e dytë të vitit befasoi me shfaqje të konsiderueshme dhe në rritje të vazhdueshme. Rritja erdhi kryesisht nga vetë tregtarët, të cilët vendosën të përqendroheshin në kartat dhuratë si një mjet marketingu.

Sipas ekspertëve, disa tendenca të krijuara tashmë, të diktuara nga pandemia nuk do të ndalen, pasi janë ndryshuar shumë zakone në përditshmërinë e njerëzve. Situata do të varet edhe nga gatishmëria e tregtarëve për t'u përballur me ndryshimet digjitale që ndodhin, duke vendosur teknologji të reja dhe përvojën e klientit në qendër të aktiviteteve të tyre të marketingut.

Përgatiti: Irma Paloli