Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, për muajin Janar të këtij viti, fitimi neto i sektorit bankar shënoi vlerën 1.6 miliardë lekë ose rreth 13 milionë euro.

Krahasuar me janarin e vitit të kaluar, fitimi neto i bankave është 23% më i lartë. Rritja e fitimit reflektohet edhe në tregues më të mirë të rentabilitetit. Kthimi nga kapitali, i përshtatur me bazë vjetore, ishte 11.64%, nga 10.01% që kishte qenë në Janarin e vitit 2020.

Rritja e fitimit në muajin Janar ka ardhur pas një viti, kur ky tregues rezultoi në rënie të ndjeshme. Sipas statistikave të BSH-së, vitin e kaluar fitimi neto i sektorit bankar zbriti në nivelin më të ulët që prej vitit 2016, në një vlerë totale prej 16.9 miliardë lekësh ose rreth 137 milionë eurosh. Tkurrja e fitimeve erdhi kryesisht nga një rritje e ndjeshme e shpenzimeve për provigjione. Duke qenë se zërat e tjera të të ardhurave dhe shpenzimeve kanë një luhatje më të ngadaltë dhe graduale në kohë, ecuria e provigjioneve është zakonisht faktori me ndikimin kryesor në ndryshimin e përfitueshmërisë së sektorit bankar nga njëri vit në tjetrin.

Viti 2021 përmban shumë të panjohura lidhur cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Deri tani, masat rregullative dhe vazhdimësia e kreditimit kanë ndihmuar që raporti i kredive me probleme të mbahet nën kontroll. Është e pritshme që me shfuqizimin e këtyre masave, pas muajit mars, efekti i krizës në portofolin e kredisë të fillojë të bëhet më i prekshëm. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se bankat kanë ndjekur një qasje të kujdesshme për sa i takon provigjionimit qysh vitin e kaluar, një pjesë e efektit të pritshëm financiar edhe mund të jetë amortizuar.

Në janar të këtij viti raporti i kredive të këqija ndaj kapitalit aksioner të sektorit bankar shqiptare ka rënë në nivelin më të ulët të shtatë viteve të fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi që mat raportin mes kredive me probleme, neto nga provigjionet, me kapitalin aksioner të bankave për muajin janar të këtij viti ra në 9.7%.

Ndërkohë që raporti i kredive me probleme arriti në janar 2021, në nivelin e 8.2%, nga 8.11% në fund të vitit 2020. Rritja minimale e fillimit të vitit megjithatë nuk e shmang këtë tregues nga nivelet e qëndrueshme tëregjistruara në vitin 2020.

Rritja e lehtë e raportit në muajin Janar mund të jetë ndikuar edhe nga zvogëlimi i portofolit të kredisë për periudhën. Ndërsa stoku i kredisë për ekonominë në fund të Janarit kishte vlerën e 606.4 miliardë lekëve, rreth 2.6 miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit 2020.

Qëndrueshmëria e raportit të kredive me probleme u ndikua shumë nga masat rregullatore lehtësuese që ndërmori Banka e Shqipërisë. Shfuqizimi i përkohshëm i kërkesës për të riklasifikuar kreditë e ristrukturuara ka mundësuar mbështetjen e huamarrësve që vuajtën pasojat e krizës pandemike. Në fillim të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi t’i shtyjë këto masa edhe për një tremujor tjetër, me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë përmirësimit të aftësisë paguese të debitorëve ndaj bankave tregtare. Kjo strategji deri tani ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të kredive me probleme, por edhe vazhdimin e rritjes së kredisë për ekonominë. Në fund të janarit, portofoli i kredisë ishte në rritje me 6.6% krahasuar me një vit më parë.

Pavarësisht qëndrueshmërisë së raportit të kredive me probleme, bankat, nga ana e tyre, kanë rritur ndjeshëm provigjionet ose shpenzimet e parashikuara për humbje të pritshme nga kreditë. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar provigjionet arritën vlerën e 7.3 miliardë lekëve, duke arritur njëkohësisht nivelin më të lartë që prej vitit 2016. Rritja e provigjioneve nënkupton që efektet financiare për bankat nga një përkeqësim eventual i cilësisë së kredisë do të jenë më të kontrolluara.

Aktualisht, stoku i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 49 miliardë lekë, ndërsa bankat në pesë vitet e fundit kanë nxjerrë jashtë bilanceve më shumë se 65 miliardë lekë kredi të humbura.

Etleva Xhajanka