Eksportet e prodhimeve bujqësore të përpunuara u rritën me 28% gjatë vitit 2020, krahasuar me atë të një viti më parë. Sipas raportit të INSTAT, krahas rritjes së eksportit të fruta-perimeve, viti 2020 shënoi rritje edhe për prodhimet bujqësore të përpunuara.

Ekspertët shprehen se investimet në industrinë ushqimore i kanë dhënë një zhvillim eksporteve edhe në këtë fushë, duke e zgjeruar ndjeshëm totalin e eksporteve me bazë nga bujqësia. Në fund të 2020, eksportet e fruta-perimeve “Made in Albania” arritën vlerën e 2.9 miliardë lekë, me një rritje vjetore me 28% në raport me 2019.

Por Shqipëria humb një pjesë të madhe të fitimeve për shkak se shumicën e prodhimeve i shet të freskëta. Rritja vit pas viti me ritme dyshifrore e eksporteve të freskëta të perimeve të fushës po i kthen ushqimet “Made in Albania” ndër grupet më të rëndësishme të eksportit, duke u renditur i katërti për nga vlera e lartë me 2020 pas fasonit, materialeve të ndërtimit, naftës dhe mineraleve.

Mungesa e zinxhirit të përpunimit i mban eksportet në vlera të ulëta, teksa Shqipëria është importues neto i produkteve të frutave dhe zarzavateve të përpunuara nga importi. Në pikat e shitjes me pakicë dominojnë turshitë dhe komposto nga importi.

Gjatë vitit 2020 vlera e importeve të perimeve dhe frutave të përpunuara ishte 4,9 miliardë lekë gati 68 % për qind më e lartë se vlera e importit. Investimet në zinxhirin e përpunimit të perimeve dhe frutave janë të pakta, për shkak të kostove të larta dhe kthimeve të vona të investimeve në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë. Prodhues të këtyre produkteve shprehen se ato janë cilësorë por jo konkurrues në cmim,pasi konkurrenca është e pandershme.

Ndërkohë që edhe kultura e konsumit vendas është drejt atij produkti që është më i lirë, pavarsisht se nuk është cilësor. Të dhënat e FAO-s, në një vit normal, tregojnë se Maqedoniae Veriut eksporton rreth 60 milionë euro fruta dhe perime të përpunuara, ndërsa Shqipëria me 2020 eksportoi 23 milionë euro.

Megjithatë këtë vit zhvillime pozitive po vihen re sidomos në përpunimin e frutave për lëngje dhe reçel. Disa kompani eksporti dhe të tjera bujqësore që po nxisin zhvillimin e ciklit të mbyllur janë duke zhvilluar linjat e përpunimit të produkteve si një mënyrë për të minimizuar humbjet nga stoqet e pashitura.

Ndërkohë shumë prodhime shqiptare janë krejt autentike, natyrale e shumë të çmuara për vlerat shëndetësore që kanë.

Së fundmi, fermerët kanë nisur t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë kultivimit të bimëve mjekësore, e në veçanti frutave mjekësore.Falë kushteve klimatike të përshtatshme, Shqipëria është ndër zonat më ideale në Evropë për kultivimin e tyre. E tillë edhe nisma e një fermeri nga Lushnja, Dashi Lames, i cili bazuar në suksesin e tij në prodhimin dhe eksportin e bimëve mjekësore ka vendosur të nisë kultivimin e thanave.

“Kemi vendosur të mbjellim rreth 400 fidanë si fillim. Është një frut shumë i kërkuar dhe aktualisht në Shqipëri rritet vetëm në gjendje të egër. Unë do të përdor farën autoktone të thanave që rriten në vendin tonë në gjendje të egër. Perspektiva është shumë e mirë pasi thanat kërkohen jo vetëm për shijen e tyre, por mbi të gjitha për vlerat mjekësore që ato kanë për shëndetin” shprehet Lame për Agroweb.org.

Kultivimi i frutave mjekësore po krijon një derë të re në zhvillimin e bujqësisë shqiptare duke u shndërruar edhe në një biznes fitimprurës për fermerët.

Ideja për kultivimin e thanave për fermerin Lame ka lindur nga interesi i lartë që ka hasur nga tregtarë të huaj në lidhje me eksportin e këtij fruti. Ky frut mund të tregtohet i freskët, por edhe i konservuar, mund të ruhet edhe i tharë për t’u konsumar në çdo kohë të vitit. Është një frut nga i cili nuk mund të kesh humbje.

Aktualisht, fermeri Lame eksporton disa bimë mjekësore të kultivuara si sherebelë apo rigon drejt Austrisë, ndërsa e sheh këtë të fundit si potencial edhe për të eksportuar thana.

“Nga prodhimi i parë pritet të vilet pas 2 apo 3 vitesh. Synimi është që të zgjerojmë të mbjellat me këtë frut edhe më tej” shprehet Lame.

Bima dhe pema e thanës rritet nga pesë deri në 12 metra gjatësi. Thana është një pemë që rritet shumë lehtë dhe nuk ka nevojë për shumë mirëmbajtje. Ato janë pemë jetëgjatë dhe mjaft të bukura.

Këto pemë rriten në terrene të ndryshme qofshin pjellore, me rërë ose me baltë. Megjithatë, terreni ideal mbetet toka me lagështi që garanton rritjen e fuqishme të pemës. Ruajtja e lagështisë së dheut përreth pemës së thanës është e nevojshme.

Përdorimi mjekësor i thanës

Fruti i thanës është përdorur për të ulur temperaturën dhe për të luftuar disa çrregullime të zorrëve.

Thartësia karakteristike e këtij fruti e bën atë mjaft të dobishëm në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare.

Thanat janë përdorur edhe për t’u kuruar nga diarea.

Thanat mund t’i ruani në frigorifer për disa ditë, për sa kohë i paketoni në një qese të izoluar mirë.

Ato jetojnë më gjatë në formën e tyre të thatë

Elida Lazi