Depozitat në sistemin bankar shqiptar, kanë vijuar trendin e rritjes edhe gjatë muajit janar të këtij viti 2021.Ndonëse vërehet se me ritme më të ngadalta se muajt e mëparshëm dhe në raport me të njëjtën periudhë vitin e kaluar (janar 2020).

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit janar 2021 arriti në 1.11 trilionë lekë, me një rritje prej 0.13% në krahasim me dhjetor 2020-n.

Rritja ka ardhur kryesisht nga depozitat në valuta, që u zgjerua me 0.5% në raport me një muaj më parë dhjetor 2020, e ndikuar nga kursimet e individëve.

Ndërsa kursimet në lekë shënuar rënie me 0.29% me bazë mujore, për herë të parë që nga gushti i vitit 2019.

Rënia e kursimeve në monedhën vendase, lekë, erdhi nga kryesisht nga rënie e depozitave të korporatave me rreth (-4.4% me bazë mujore), ndryshe nga tendenca e 2020-s kur ato ishin në rritje për shkak të stepjes për të investuara dhe pagesave të larta që u bënë nga buxheti në dhjetor 2020. Ndërsa individët vijuan të rrisnin kursimet në lekë pa afat.

Referuar të dhënave zyrtaretë Bankës së Shqipërisë, me bazë vjetore (janar 2021/janar 2020), stoku i depozitave bankare është zgjeruar me 7.4%, duke reflektuar ecurinë pozitive të shënuar gjatë periudhës së pandemisë, ku u shënuar një rritje e ndjeshme e prirjes për të kursyer, si nga individët ashtu dhe bizneset.

Depozitat shënuan rritje të ndjeshme në vitin 2020, që është përshpejtuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Stoku i kursimeve në Shqipëri arriti në 1.11 trilionë lekë, ose gati 9 miliardë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90.

Në raport me vitin e mëparshëm, depozitat u zgjeruan me 8.2% dhe kjo konsiderohet se ishte rritja më e lartë që prej vitit 2011.

Tendenca e rritjes së depozitave është vërejtur në gjithë Europën, ku pasiguria për të ardhmen dhe pamundësia për të shpenzuar pas kufizimit të udhëtimeve ka nxitur konsumatorët që të kursejnë më shumë.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur rritja e depozitave u udhëhoq nga valuta, ndërsa kursimet në lekë ishin të vakëta (si rrjedhojë e rënies së normave të interesit nga viti 2012), në periudhën e pandemisë kursimet janë orientuar nga leku.

Depozitat në monedhën vendase u rritën me 11% në 2020-n, duke ndikuar në rreth 60% të rritjes. Ky është një tregues indirekt se depozitat janë nxitur më së shumti nga kursimet e brendshme. Në vlerë absolute, shtimi i depozitave në lekë (me rreth 51 miliardë lekë) shënoi nivelin më të lartë rekord që prej vitit 2007, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Në krahasim me muajin shkurt, që përkon me periudhën para pandemisë, kursimet në banka janë shtuar me rreth 72 miliardë lekë, ose rreth 570 milionë euro.

Valuta vijon të jetë më e preferuara për të mbajtur kursimet. Në janar 2021, depozitat në lekë përbënin 46.3% të totalit, nga 46.5% në fund të 2020-s.

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e ponderuar interesit për depozitat me maturim 12 mujor në gjithë monedhat për vitin 2020 ra në 0.41%, nga 0.49% që kishte qenë një vit më parë. Këto shifra tregojnë se përfitimet nga kursimi janë gjithnjë e më të ulëta, e megjithatë ulja e mëtejshme e normave të interesit nuk e ka frenuar rritjen e depozitave, që ngelen instrumenti i preferuar i kursimit për shqiptarët.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, rënia e mëtejshme e interesave të depozitave është nxitur nga gjendja likuide e sektorit bankar, por edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë.

Vitin e kaluar kjo politikë u bë më stimuluese, me një normë bazë në minimumin historik 0.5%, që iu shtua edhe mbështetja e pakufizuar me likuiditet për bankat tregtare.

Vitin e kaluar, interesi mesatar për llogaritë rrjedhëse të individëve në lekë ishte rreth 0.1%, ndërsa për depozitat pa afat rreth 0.2%.

Në euro, normat e interesit ishin edhe më të ulëta dhe simbolike, shumë afër zeros. Gjithësesi treguesi i depozitave bankare në Shqipëri, rezulton brenda protçmërive të Bankës Qendrore dhe është një nga faktor determinues i mirëkapitalizimit të sistemit bankar.

Etleva Xhajanka