Shqipëria do të nisë negocimin e MSA-së për zgjerimin e produkteve përpunuese të peshkut, që do të mund të eksportohen në BE pa tarifë doganore. Në një intervistë për “monitor.al”, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, tha se shtimi i kuotave të açuges nuk është vetëm në vullnetin e qeverisë shqiptare, por edhe të parlamenteve të vendeve anëtare te BE-së. Ekonomi bëri të ditur se me Komisionin Evropian është ngritur çështja e kuotave të pamjaftueshme për açugen, por prej tyre është kërkuar një negocim më i gjerë se sa produktet e peshkimit.

Rritja, ose heqja e kuotave të prodhimeve të kategorisë 1604 ka një efekt në buxhetin dhe ekonominë e vendeve anëtare të BE-së: sjell rënie të të ardhurave doganore; mbyllje ose reduktim të fabrikave përkatëse në vendet e BE-së. Kostoja më e ulët e përpunimit në Shqipëri do të sjellë zhvendosje të përpunimit në vend dhe rritje të depërtimit të mallrave të përpunuara në Shqipëri, në tregjet europiane. Kostot duhet të mbulohen nga hapja e mëtejshme e tregut shqiptar për ato produkte të BE-së të cilat, aktualisht, në Shqipëri paguajnë tarifa doganore. Ky është thelbi i negocimit, pasi MSA është një instrument financiar – tregtar që rregullon tregtinë dypalëshe”, theksoi ministrja Ekonomi.

Sipas saj, problemi me përfundimin e kuotave të lejuara për eksportin drejt vendeve të BE-së të produktit të acuges ka lindur që me firmosjen e MSA në vitin 2005, e cila përcaktoi edhe rregullat e origjinës, sikurse edhe brenda 3-4 viteve të mëvonshme, kuota arriti në 1600 tonë dhe filloi të ezaurohej. Megjithata ndustria përpunuese në vend po u mbijeton tarifave doganore të BE, duke mos e çuar përpunimin deri në fund.

Kuotat janë për kategorinë 1604 e cila parashikon produkt të gatshëm, final në treg, peshk në vazo qelqi, në vaj etj. Rritja e kuotave të eksportit të kësaj kategorisë do të sjellë rritjen e punësimit dhe shfrytëzimit të plotë të kapaciteteve përpunuese në Shqipëri, duke rritur shkallen e përpunimit dhe sasitë. Vendosja e peshkut në vazo është një proces delikat që kërkon më shume fuqi punëtore dhe çmimi i produktit final është më i lartë.

Çështja e eksportit të açugeve, sardeleve dhe peshqve të tjerë pelagjikë, të përpunuar, të përfshirë në kodin doganor 1604 është një problem i vjetër dhe i trajtuar shumë herë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR). Procesi ngeli në vend dhe palët nuk gjetën marrëveshje. Qeveria e asaj kohe preferoi të mos bjerë dakord për MSA duke humbur edhe benefitet politike që rridhnin prej saj, se sa ta miratonte me kuota të ulëta të eksportit të peshkut. Në nëntor të vitit 2005, KE paraqiti pranë Qeverise shqiptare përsëri MSA me kuota të pandryshuara, ashtu siç ishte propozimi në maj 2005. Qeveria e miratoi MSA pa marrë parasysh mosndryshimin e kuotave dhe në vitin 2006, MSA përfundoi se ratifikuari edhe nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së dhe u firmos nga palët. Interesi politik mbizotëroi mbi atë ekonomik duke futur në ngërç të gjithë industrinë e përpunimit të peshkut në Shqipëri, që megjithëse nuk ishte në nivelet e sotme, përsëri kishte bërë investime të rëndësishme.

Ndërkohë negocimi i kuotave nuk varet vetëm nga vullneti i Qeverisë shqiptare por edhe nga pala tjetër, Bashkimi Evropian, pra parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Ministrja Ekonomi bëri të ditur se dikasteri që ajo drejton i ka bërë kërkesë zyrtare me shkrim Komisionerëve evropianë Vella dhe Hahn për të negociuar për këtë cështje, kërkesë e cila është mirëpritur nga ana e tye.

Në takimin e 12-të BE-Shqipëri, të Nënkomitetit “Bujqësia dhe Peshkimi” mbajtur në dhjetor të 2020 u arrit në këto konkluzione: Lidhur me kuotat e peshkimit, palët diskutuan mbi çështjen delikate të rinegocimit të kuotave të eksportit të produkteve të peshkimit. Pala shqiptare, duke marrë në konsideratë situatën aktuale të këtij sektori, shprehu interesin për fillimin e këtij procesi. Pala evropiane informoi se është në dispozicion për një takim dypalësh të veçantë pas diskutimit të tyre të brendshëm, por me kusht që të fillojnë negociatat për tre kategori produktesh: produktet bazë, të përpunuara dhe ato të peshkimit. Pritet që të dyja palët të kenë një diskutim të brendshëm në mënyrë që të kenë një dritë jeshile për hapjen e këtyre negociatave.

Ndërkohë nga ana e tyre kompanitë që meren me këtë biznes pohojnë se kjo është më tepër një cështje teknike që ka mbetur pa u zgjidhur nga neglizhenca. Por ministrja Ekonomi mohon që kjo të jetë një çështje teknike. Gjatë këtyre viteve shprehet ajo, ne kemi negociuar me KE edhe për ta trajtuar si çështje teknike, si zgjidhje më e shpejtë por nuk kemi gjetur mirëkuptimin e tyre.

Açuget eksportohen në kavanoza në vaj, ku vaji përbën gati 50% të sasisë, e cila llogaritet në peshën e kuotës. Një nga propozimet e bëra nga pala shqiptare ishte që të llogaritej vetëm pesha e peshkut (pa vaj) gjë që sillte dyfishim të kuotës, por kjo nuk u pranua”, u shpreh Ekonomi.

Sipas saj, pala europiane (KE) kërkon një negocim më të gjerë se sa produktet e peshkimit. Pasi rritja ose heqja e kuotave të prodhimeve të kategorisë 1604 ka një efekt në buxhetin dhe ekonominë e vendeve anëtare të BE: sjell rënie të të ardhurave doganore; mbyllje ose reduktim të fabrikave përkatëse në vendet e BE-së. Kostoja më e ulët e përpunimit në Shqipëri do të sjellë një zhvendosje të përpunimit në Shqipëri dhe rritje të depërtimit të mallrave të përpunuara në Shqipëri, në tregjet evropiane.

Këto kosto duhet të mbulohen nga hapja e mëtejshme e tregut shqiptar për ato produkte të BE-së të cilat, aktualisht, në Shqipëri paguajnë tarifa doganore. Ky është thelbi i negocimit, pasi MSA është një instrument financiar- tregtar që rregullon tregtinë dypalëshe. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në parim, ka rënë dakord me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të filluar këtë proces negocimi. Negocimi do të kryhet nga këto dy ministri dhe grupet e interesit në industrinë përpunuese të peshkut dhe eventualisht, edhe të industrive të tjera të cilat mund të preken nga hapja (heqja e tarifave doganore) për mallrat e BE. Prania e operatorëve të tregut është shumë e rëndësishme gjatë gjithë fazave të negociatave me KE-në.

Elida Lazi