Fermerët në Shqipëri ndajnë mendimin që luleshtrydhja është padyshim një investim i zgjuar me tre muaj të plotë prodhim, ndryshe nga disa vende të tjera, ku prodhimi zgjat vetëm 15 ditë.

Duke parë se kultivimi i tyre po gjen përdorim të gjerë në Shqipëri, por edhe për eksport, fermerët po rrisin interesin në zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me luleshtrydhe, duke marrë mbështetje edhe nga Skemat Kombëtare të qeverisë.

Vladimir Ahmataj, fermer në Frakull të Fiert, prej shtatë vitesh merret familjarisht me prodhimin e luleshtrydhes. Ai thotë se në këtë zonë luleshtrydhet janë të kultivuara në sera tunel dhe thuajse të gjithë banorët merren me kultivimin e këtij fruit.

Unë kam 23 dynym serë të mbjella me luleshtrydhe dhe ecuria ndër vite ka qenë e kënaqshme. Kam të punësuar rreth 12 punëtorë, pasi ky është një produkt që çdo vit ka nevojë për një përkujdesje të shtuar, që të jetë cilësor dhe me standarde që kërkon tregu” - na tregon Ahmataj.

Ai thotë se, krahas investimit që ka ndërmarrë vetë, mbështetje për zhvillimin e biznesit të tij ka qenë edhe Skema Kombëtare e qeverisë, përmes së cilës ka përfitur subvencionim për vendosjen e plastmasit të ri në sera. Investimet me fonde nga buxheti i shtetit në përmirësimin e rrjetit të sistemit të kanaleve ujitëse dhe kulluese kanë përmirësuar vaditjen në sera.

Vladimiri përgatitet në fund të muajit prill të vjelë prodhimin e parë të sezonit. Ai është i kënaqur me rendimentet që marr dhe po ashtu edhe më shitjen e tyre në treg.

“Aktualisht 1 kilogram luleshtrydhe e shet me çmim 60-70 lekë. Fatmirësisht tregu e kërkon luleshtrydhen, por do ishte mirë që dhe çmimi të ishte më i lartë”, u shpreh Ahmataj.

Prodhimi nga serat e tij furnizon pikat e grumbullimit në tregun e Tiranës dhe të Vlorës dhe nga këtu shpërndahet jashtë vendit, duke nisur nga fqinjët në Kosovë, Greqi, Maqedoni, Mal të Zi, por dhe përtej në Evropë dhe deri në Azerbajxhan.

Gjatë vizitës në fermën me luleshtrydhe takuam edhe Suelën, vajza e Vladimirit. Ajo na tregoi se falë këtij biznesi dhe bujqësisë me të cilën merret familja e saj është duke studiuar në Tiranë, teksa gjatë verës gjen kohë të ndihmojë familjen me punët e bujqësisë.

“Unë përpara se të jetoja në Tiranë për shkak të studimeve, ndihmoja babain në sipërmarrjen e tij bujqësore, ku dominon kultivimi i luleshtrydhes. Tani jam me studime, por gjatë verës jam në fermë dhe vijoj të jap ndihmën time” , thotë Suela.

Në Shqipëri, zona e Fierit është shndërruar në një “oaz” të kultivimi të këtij produkti. 90 për qind e luleshtrydheve në Shqipëri prodhohen pikërisht në këtë zonë. Luleshtrydhja shqiptare ka gjetur tregje edhe në Evropë, madje ka kaluar dhe në Azi. Banorët e zonës e cilësojnë luleshtrydhen si “arin e kuq” për vlerat ushqyese, por edhe ekonomike që ofron. Pikat e grumbullimit e shpërndajnë këtë produkt, jo vetëm në Tiranë, si treg primar, por edhe jashtë vendit.

Në zonën e Frakullës kultivohen mbi 90 ha serra vetëm me luleshtrydhe. Prodhimi i këtij fruti me shije të veçantë në Shqipëri, po njeh rritje ndër vite.

Shqipëria nga një treg që furnizohej me luleshtrydhe 90% nga importi, deri në vitin 2010, është shndërruar që nga 2014 në potencial për eksport, krahas furnizimit të plotë të tregut vendas.

Sasia e prodhimit të luleshtrydheve është dyfishuar nga viti 2016 në 2020, duke arritur mbi 4,5 mijë tone.

Olsi Ahmataj, administrator i një pike grumbullimi në Fier, u shpreh se kërkesa për këtë produkt është e lartë, si në tregun vendas edhe jashtë ku destinacion kryesor është tregu evropian.

“Para tre viteve, nisa të dërgoj luleshtrydhe në vendet e rajonit, në Kosovë, Maqedoni, Serbi. Më pas, në Rusi. Këtë vit kemi shumë kërkesa nga Austria, Bosnjë-Hercegovina dhe Polonia. Ndësa kemi marrëveshje me sipërmarrjet industriale në Kosovë dhe këtë vit kërkesat janë të larta edhe nga tregu ukrainas, por nuk arrijmë dot të plotësojmë sasinë”, – tregon Olsi.

Ai thotë se ka dhe fermerë, prodhimet e të cilëve, nuk arrijnë të përmbushin kërkesat për eksport.

Rritja e prodhimit me këto ritme është reflektuar në tregun e brendshëm, me një çmim të ulët. Një kilogram luleshtrydhe, ndryshe nga vitet e tjera, në muajin prill e gjen në treg në Tiranë edhe 200-250 lekë. Ndërsa rendimenti i luleshtrydhes arrin në 0.7 kg prodhim në rrënjë. Operatorë të fushës së bujqësisë shprehen se, me këtë biznes merren mbi 100 fermerë dhe ka një tendencë në rritje për çdo vit.

Me mbështetjen e programit IPARD, në Fier u krijua një pikë grumbullimi, me makineri paketimi, të cilat përmbushin standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore sipas kërkesave të tregjeve të eksportit. Po ashtu u trajnuan më shumë se 60 fermerë mbi praktikat e reja bujqësore për luleshtrydhen.

Fermerët janë të specializuar për prodhimin e luleshtrydhes, në zonat ku kulltivohet fruti i kuq. Ata njohin fidanët cilësorë që vijnë nga shtetet evropiane, duke garantuar kështu prodhim sipas standardeve.

Ndërsa gjeografia e prodhimit është shtrirë pas Qarkut të Fierit, në Lushnje me 14 për qind të prodhimit, Durrësi, me 15 ton, Dibra me 5 ton, Elbasani me 3 ton. Shifrat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se vitin e shkuar, në rrethin e Fierit u mbollën mbi 10 milionë rrënjë të reja luleshtrydhe. Ndërsa në 2020 u eksportuan rreth 2 mijë ton.

Etleva Xhajanka