Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimin e parë të buxhetit të shtetit për vitin 2021. Me këto ndryshime, qeveria i jep Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 28 milion euro shtesë për teknologjinë në zgjedhje. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, teksa paraqiti në Kuvend, ndryshimet e bëra në buxhet u shpreh se:

Ky vit nuk është vetëm ai i ringritjes ekonomike, i daljes nga COVID-19 dhe i Rindërtimit, por është edhe një vit zgjedhor. Ndryshimet në këtë Akt Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, me angazhimet dhe shpenzimet që burojnë pikërisht në zbatim të Kodit Zgjedhor të miratuar së fundmi, për të mundësuar një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore në terma të mirëmenaxhimit të procesit të votimit”, tha ministrja Denaj

Sipas ministres, në Aktin e Fundit Normativ të Buxhetit të vitit 2020 u mundësua një financim shtesë, në masën 673 milionë lekë, për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021 në dy projekte prioritare të KQZ, përkatësisht: “Projektin e Identifikimit Elektronik të Zgjedhësve” dhe “Projektin Pilot të Votimit dhe Numërimit Elektronik”.

Gjithashtu në të njëjtin funksion, Këshilli i Ministrave, në rrethana jo tipike për një vit buxhetor të sapo nisur, ndërmori ndryshimin e parë të ligjit të buxhetit 2021. Ndryshimet në këtë Akt Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe me angazhimet dhe shpenzimet, që burojnë prej tyre, sidomos në zbatim të Kodit të ri Zgjedhor të miratuar së fundmi.

Pikërisht nën këtë fokus, tha Denaj, një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore në terma të mirëmenaxhimit të procesit të votimit është dhe angazhimi maksimal për implementimin e projektit madhor me rëndësi sensitive “Identifikimi elektronik i zgjedhësve”.

Ndryshimi tjetër i paraqitur në buxhet është i lidhur me fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, që është reflektuar një rritje e tij prej 1 miliardë lekë, në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të Kodit të Ri Zgjedhor.

Ndërsa lidhur me ndryshimin në zërin e të ardhurave tatimore, është reflektuar rritja e tyre në të njëjtën vlerë, pra 3.42 miliardë lekë, përkatësisht në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim balancimin e rritjes së shpenzimeve të mësipërme.

Ministrja Denaj argumentoi se ky fond nuk ishte i parashikuar që në fillim në buxhet, pasi kërkesa nga KQZ ka ardhur pas miratimit të buxhetit për vitin 2021 në Kuvend. Ndërsa shtoi se ky ndryshim nuk cënon parametrat ekonomik, por parashikon një realizim më të madh të ardhurash.Kërkesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbërritur në parlamet në muajin janar.

Nisur nga rëndësia, ministrja Denaj kujtoi që KQZ e ka të pamundur financiarisht që këtë projekt kaq të rëndësishëm ta mbulojë me shpenzimet e saja. Dhe sipas saj, ky Akti Normativ përcakton këtë ndryshim të rëndësishëm duke dhënë orientimet bazë për të mundësuar plotësimin e një ligji zgjedhor të rëndësishëm.

Gjatë prezantimit në Kuvend të këtyre ndryshimeve ,ministrja Denaj duke iu referuar një vlersimi të bërë nga Ministria e Financave, i cili në raport me të ardhurat ka rezultuar më optimist sesa parashikimi më i keq, tha se rritja prej 3.42 miliardë lekë amortizohet plotësisht nga kjo perspektivë e vlerësimit të të ardhurave. Ndërkohë që sipas saj ruhen të pandryshuar të gjithë parametrat makro-fiskalë, duke ruajtur të pandryshuar elementët e borxhit dhe të deficitit.

Ndërkohë ndryshimet në buxhetin e shtetit janë kundërshtuar ashpër nga opozita parlamentare.

Deputeti Myslim Murrizi tha se fondi i përcaktuar nga qeveria prej 2.42 miliardë lekësh për identifikimin elektronik duhet të paguhej nga ndërkombëtarët bazuar në marrëveshjen e 5 qershorit.

Ky akt normativ vjen si pasojë e marrëveshjes së 5 qershorit ku thuhet tjetër gjë, që identifikimi biometrik merret përsipër nga BE dhe OSBE, dhe kushton 15 milionë euro, pse u rrit deri në këtë vlerë tani dhe shkoi 20 milionë euro”, u shpreh deputeti i opozitës Murrizi.

Ndërkohë deputeti tjetër opozitar, Ralf Gjoni e ka cilësuar si “aktin normativ të turpit”, pasi sipas tij, 20 milion euro do të akordohen si fonde shtesë për tenderin e identifikimit elektronik, që është një proces qesharak, pasi vota do të numërohët nga komisionerë partiakë.

Pas rishikimit buxheti nga 484,1 miliardë lekë ka shkuar në 487.5 miliardë lekë me një rritje prej 3.4 miliardë lekësh. Nga ana tjetër janë rritur edhe shpenzimet me 3.4 miliardë lekë, nga 592.8 miliardë që ishte ka vajtur në 596.2 miliardë lekë.

Elida Lazi