Skemat e mbështetjes në bujqësi, të vendosura nga qeveria shqiptare për zhvillimin e agroturizmit, po japin rezultate në krijimin e sipërmarrjeve të reja në këtë sektor, që është në hapat e parë të një zhvillimi bashkëkohor.

Njëra prej tyre është edhe Ferma Huqi në Durrës, e cila është kthyer tashmë në një destinacion turistik të mirëfilltë.

Sapo merr kthesën në Maminas, drejt Gjirit te Lalzit, për rreth 800 metra futesh në atmosferën e fshatit. Në horizont dallohet bujtina e rrethuar nga pyjet buzë liqenit të fshatit Radë, të Durrësit.

Panorama e këtij oazi agroturistik, sjell në fokus një copëz të mrekullueshme të agroturizmit shqiptar, në fshatin Radë të Durrësit. Një agroturizëm model, që ia vlen të vizitohet në çdo kohë dhe stinë, për të zbuluar një copëz tjetër Shqipërie të mrekullueshme.

Agroturizmi është mbështetur nga Skema e Mbështetjes Kombëtare për Bujqësinë dhe për këtë kompleks është financuar subvencion nga buxheti i shtetit, një vlerën prej mbi 9 milion lekësh.

Investimet e reja në krijimin e disa ambjenteve e kanë kthyer fermën në një atraksion turistik, ku mund të shijosh ushqimet tradicionale dhe bio të zonës, të vizitosh kafshët, të bësh shëtitje me varkë përgjatë liqenit dhe të shijosh ajrin e pastër.

Pamjet janë të rralla, një kompleks joshës për turistët vendas dhe të huaj, shtëpi prej druri, kodër që pasqyrohet në ujë dhe një habitat i mrekullueshme çlodhës.

Në një sipërfaqe prej 70 000 m2, gjenden ferma organike e prodhimeve bio, pemëtorja me 1332 lloje të ndryshme pemësh frutore, restoranti ku gatuhen mbi 30 specialitete kuzhine, 20 shtëpizat e drurit, kampingu liqenor dhe moli për shëtitje me varkë.

Përfaqësuesi i kompleksit Gëzim Huqi, shprehet se agroturizëm “Huqi”, është ndërtuar që në vitin 2015 dhe sot është një aset turistik plus, për qytetin bregdetar të Durrësit.

Durrësi nuk ka vetëm detin ka edhe këtë kodër të mrekullueshme njëkohësisht dhe linjë agroturizmi. Ketu u mundësua ndërtimi i shtatë shtëpive prej druri që lejon zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik-financiar të agroturizmit, por njëkohësisht shërben si një suport edhe për guidat turistike”, thotë Gëzimi.

Ai shton se është e rëndësishme, që në fshat të krijohen ekonomi të qëndrueshme për të nxitur njerëzit të merren me bujqësi. Interesi për të vizituar fermën ka qenë i madh dhe jo vetëm nga shqiptarët, deri para një viti, pa u shfaqur pandemia Covid -19.

Ndërsa të huajt përbënin rreth 7-8% të vizitorëve. Menaxheri i agroturizmit u shpreh, se po përpiqen që ta shndërrojnë në një produkt të vërtetë turistik, duke hartuar paketa ku do të përfshihen edhe aktiviteti i ecjes apo eksplorimi i fshatrave.

Fakti që agroturizmi është shumë pranë zonave turistike është avantazh për të tërhequr turistët e huaj, të cilët kanë interes për të provuar bujtinën, si një arratisje nga jeta e zhurmshme e qyteteve të mëdha.

Ferma Huqi është gjithashtu ndër 13 subjektet agroturistike që është pajisur me certifikatën e agroturizmit nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit.

Së fundmi fermës agroturistike i janë shtuar edhe 7 dhoma, ku vizitorët vendas apo turistët e huaj mund të kalojnë natën, në një prej shtëpive të vogla prej druri.

I biri, Rigerti, thotë gjithashtu se subvencionimi ka qenë një ndihmë e madhe edhe për të arreduar dhomat e fjetjes, ndërsa thekson se ky biznes po shërben jo vetëm për zhvillimin e ekonomisë rurale, por edhe për punësimin e banorëve të zonës.

“Për momentin kemi të punësuar 17 persona dhe në fundjavë numri arrin deri në 35, ndërsa duke pasur parasysh produktet që marrim nga fermerët e zonës, angazhimi në marrëdhënie pune arrin deri në 45-50 veta”, tha Rigert Huqi.

Këtu vërehet një kombinim perfekt ndërmjet natyrës dhe elementëve të shërbimit agroturistik, ku roli determinant i natyrës ka qenë dhe mbetet permanent dhe zgjon interes specifik.

Restoranti veror i kompleksit Huqi është një konstrukion druri dhe xhami, që në verë hapet tërësisht, i ndërtuar me dru suedez dhe i pajisur me tavolina cilësore druri. Pjekja e mishit në puse është një traditë gatimi osmane. Për ta ndërtuar dhe bërë funksional këtë pus gatimi, kanë ardhur specialistë nga Turqia, të cilët kanë punuar me javë për të nxjerrë një produkt cilësor. Ndërsa tjetër gatim special është zogu i pulës në pilaf apo qull, shumë i shijshëm.

Agroturizmet në Shqipëri, po kthehen në modele të shëndetshme dhe të qëndrueshme biznesi, që i kanë rezistuar edhe pandemisë. Ato vijuan të shihen me interes edhe gjatë sezonit dimëror të këtij viti, ndërsa raportohet se numër i lartë pronotimesh regjistrohen edhe për periudhën në vijim.

Etleva Xhajanka