Kush e ka vizituar Përmetin dhe nuk ka ndaluar në baxhon e Altinit, përmetarit të njohur për djathërat dhe gjalpin me shije, i cili ka shndërruar një bunker buzë rruge, në një pikë tërheqëse shitjeje, ku turistët ndalin e shijojnë prodhimet e baxhos së tij.

“Bunkeri i djathit”, mund të cilësohet një prej çudirave shqiptare. Bunkeri në zonën e Përmetit që ndodhet në km 4 të rrugës kombëtare Këlcyrë-Përmet, i ndërtuar gjatë luftës italo-greke në vitin 1939, që prej vitit 1993, është kthyer në punishte bulmeti.

Vizitorë të ndryshëm, rikthehen në qytetin e Përmetit, për të shijuar prodhimet e veçanta që përgatiten në “Bunkerin e djathit”.

Prinari i baxhos, Altini ka instaluar një linjë të re të përpunimit të qumështit dhe pajisje të teknologjisë bashkëkohore, që i kanë lehtësuar procesin e prodhimit të një sërë produktesh me standarde të larta të sigurisë e cilësisë ushqimore.

Gjatë një vizite në baxhon e Altinit, Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Frida Krifca u shpreh se, “Baxho Meshini”, ose siç njihet ndryshe “Bunkeri i djathit”, është një tjetër sipërmarrje në sektorin blegtoral në Përmet, e mbështetur nga qeveria”.

Sipas saj, ky investim është mbështetur, nga një prej programeve të AZHBR-së, për prodhimin dhe përpunimin e qumështit. “Por që tashmë- siç tha Krifca, është bërë edhe një pikë ndalese për turistët, që ofron shërbime dhe produkte tradicionale të zonës, kundrejt një pagese simbolike”.

“Kur babai na tha, se donte të ndërtonte baxho në këtë bunker, unë jo vetëm u çudita, por dyshova edhe për shëndetin mendor të babait tim” – na tregon Altini, mosbesimi i të cilit u thye shumë shpejtë. Përvoja e të atit si baxhier, por edhe cilësia e lëndës së parë, i ka bërë konkurrues në treg prodhimet nga “Bunkeri i djathit ”.

Altini thotë se, ka përfitur një grant në vlerën e rreth 6 milionë e 700 mijë lekëve, nga programi IPARDII në vitin 2017, nga AZHBR, financim i cili i ka dhënë dorë në përshtatjen e teknologjive moderne të prodhimit.

Investimi i ri e ka transformuar baxhon e tij, në minifabrikë moderne, ku përpunohen rreth 3 tonë qumësht në ditë, që kthehen në djathë disa llojesh dhe janë mjaft të kërkuara nga konsumatorët.

Në baxho janë të angazhuar me punë të gjithë pjesëtarët e familjes.

Në punishten e Altinit, punojnë edhe dy motrat e tij e vëllai dhe njëri nga nipat, ndërsa marrëdhëniet me blegtorët furnitorë i ka ngritur mbi bazat e bashkëpunimit, me kontrata afatgjata.

Qumështi që përpunon kjo punishte vjen nga tufat e zonës, të cilat janë të kontrolluara dhe vaksinuara nga shërbimi veterinar i rrethit. Ndërsa kullotat e shumta dhe të pastra, karakteristike të zonës, ndikojnë pozitivisht në cilësinë e produkteve të kësaj punishteje.

“Lëndën e parë, qumështin, e mbledh nga fermerët e zonës përreth. Nga fshati i Dhëmbelit, zona e Këlcyrës, madje edhe deri nga fermerët e Tepelenës”- shprehet Altini.

Janë rreth 64 blegtorë të zonës që sjellin qumështin në baxhon e tij, duke siguruar kështu shitje të sigurt të qumështit nga fermat e tyre dhe të ardhura të qëndrueshme për ekonomitë familjare.

Tradita e hershme e përpunimit të qumështit bën të mundur që nga kjo punishte të dalin në treg produkte të cilat pëlqehen dhe tregtohen jo vetëm në rrethin e Përmetit por dhe jashtë tij si Sarandë, Fier, Durrës e Tiranë.

Iliri një vizitor nga Tirana, tha se kish dëgjua për “Bunkerin e djathit”, në Përmet dhe vjen këtu për të blerë djath bio, me shije dhe cilësi të vaçantë.

“Djathi i prodhuar nga qumështi i Dhëmbelit apo Trebeshinës, ka shije të jashtëzakonshme. Por këtu, nuk mbeten pas edhe paketimi apo ambalazhimi bashkëkohor”- shprehet Iliri.

Mbështetja e AZHBR-së, e ka ndihmuar Altinin në teknologjinë e përparuar për përpunim e qumështit, por vëmendje ka marrë edhe sektori i turizmit, që siç thotë ai, janë dy zëra të bashkuar në zhvillimin e agroturizmit në zonës e Përmetit dhe kjo ka rritur të ardhurat në baxhon e tij.

Në krah të baxhos ai ka ngritur edhe dyqanin për tregtimin e prodhimeve tradicionale dhe sendeve me vlerë autoktone. “Për vetë historinë e hershme që ka ky bunker, krahas investimeve që kemi kryer, është shndërruar tashmë në një atraksion dhe vlerë e shtuar në biznesin tim”, – thotë Altini.

Përmes fotove ai tregon ndryshim drastik që ka pësuar baxho e tij në kohë para financimit dhe sot me investimin e realizuar me mbështetjen e AZHBR-së në një baxho bashkëkohore për të cilën Altini ka projekte të tjera zhvillimi dhe shpreh dëshirën të aplikojë sërish tek AZHBR.

Altini tregon se është pjesë e rrjetit të shoqatës së artizanëve dhe prodhuesve tradicionalë të zonës, nisur nga fakti që Përmeti ka marrë goxha zhvillim në agroturizëm, ku vetëm gjatë 3-4 viteve të fundit, numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm dhe sezoni turistik është zgjatur në kohë.

“Baxho Meshini” është pjesë e Shoqërisë së Bashkëpunimit Reciprok “Pro Përmet”. Kjo shoqëri ka krijuar një traditë të mirë mes prodhuesve të bulmetit, verës, pijeve alkoloke, glikosë apo gatimeve tradicionale, hoteleve dhe operatorëve turistikë, për të sjellë vizitorë vendas dhe turistë të huaj në Përmet, nëpërmjet promovimit të produkteve tipike agro-ushqimore dhe artizanale, zhvillimin e strukturave të pritjes, akomodimit dhe ruajtjen e ambjentit.

Bunkeri i kthyer në punishte përbën kuriozitet, por për konsumatorët, kryesor është produkti, ku cilësia dhe shija e vaçantë, gjendet pikërisht këtu në “Bunkerin e djathit” në Përmet.

Etleva Xhajanka