Qeveria Shqiptare nënshkroi kontratën për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit të Aeroportit të Rinasit. Pas një përpjekje 3 vjecare dhe debatit dy vite më parë në Komisionin e Ekonomisë për heqjen e fondeve nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës për hekurudhën shqiptare, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku nënshkroi marrëveshjen me kompaninë fituese duke i hapur rrugë edhe zbatimit të saj.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Ministrja Balluku dha detaje mbi planet e tjera në sektorin hekurudhor në një periudhë afatmesme ndërkohë që bëri të ditur se ndërtimi i projektit të Tiranë-Durrës përfundon në verën e vitit 2023.

“Firmosja e marrëveshjes së rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re në Rinas është një moment i rëndësishëm. Projekti është një ndër projektet prioritare të qeverisë përcaktuar dhe në dokumentet strategjike. Linja hekurudhore Tiranë-Durrës është një linjë e ngarkuar për shkak të trafikut, pasagjerëve dhe mallrave megjithatë kjo hekurudhë është ndërtuar në vitin 1951 ka pasur një rehabilitim në vitin 1996 dhe ka më shumë se dy dekada e amortizuar. Sot ka një nevojë të thellë për rehabilitim. Ky investim nuk do të mbetet i vetmi pasi në planet afatmesme kemi rehabilitimin e linjës Vorë-Hani i Hotit dhe linjës Pogradec-Korçë dhe linjën e re Korçë- Kapshticë. Projekti parashikon rehabilitimin nga stacioni qendror i Durrësit ku ndodhet aktualisht deri në vendndodhjen e terminalit të ri në Tiranë që po bëhet nga Bashkia e Tiranës dhe në një linjë të re që e lidh me aeroportin e Rinasi”, tha ministrja Balluku.

Sipas saj, kjo hekurudhë mbulon zonën me aktivitet më të lartë ekonomik në Shqipëri dhe do të sigurojë lëvizjen për pasagjerët për në aeroport, duke lehtësuar dhe trafikun. Rehabilitimi i linjës ekzistuese do të përmirësojë cilësinë e lëvizjes së qytetarëve dhe do zvogëlojë distancën me 22 minuta nga Tirana në Durrës, ndërsa për në Rinas vetëm 12 minuta. Projekti do të ndikojë në rritjen e vendeve të punës. Kursimet nga përdorimi i hekurudhës krahasuar me automjetet private do të jenë 55 milionë euro në vit.

Në procedurën e konkurrimit morën pjesë 22 kompani të cilat ofertuan. Sipas ministres kompania INC S.P.A ka paraqitur ofertën më të mirë. Punimet do të përmbyllen brenda një afati 30 mujor ose verën e vitit 2023.

Përfaqësuesi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim Mateo Colangeli tha se në vazhdim banka do të tregojë angazhim për financimin e projekteve të ngjashme që kanë ndikim në ekonominë e vendit dhe ndërlidhjen rajonale.

“Jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij investimi të parë në ri jetësimin e rrjetit hekurudhor shqiptar. Një rrjet i mirë funksionues hekurudhor është i mirë për ekonominë. Përparësia e parë në vazhdim do të jetë lidhja me këtë projekt e stacionit të ri në qendër të Tiranës që po financohet me një grant të BERZH. Do të financojmë këtë projekt dhe lidhjen me Malin e Zi përmes linjës me Hanin e Hotit që është shumë i rëndësishëm si për pasagjerët dhe për mallrat” tha Colangeli.

Ndërkohë kostoja totale e projektit për linjën Tiranë-Durrës dhe nyjen e Rinasit u llogarit 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare. Në tetor të vitit të shkuar BERZh njoftoi se kompania italiane INC S.P.A, ishte fituese me një ofertë me 69.7 milionë euro.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.

Fillimisht projekti parashikohej të mbaronte në terminalin e transportit publik në Tiranë (ku është sot terminali i autobusëve). Por, për shkak të humbjes së pasagjerëve me largimin e stacionit të trenit, është vendosur që të zgjaten edhe disa kilometra hekurudhë, në mënyrë që vetëm terminali i pasagjerëve të jetë afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të sotshëm.

Ky projekt është në linjë me dy ndërhyrje të tjera të planifikuara në Korridorin 8 dhe në Korridorin Mesdhetar në Shqipëri, si më poshtë:– Rruga 2: Durrës – Vorë – Shkodër – Hani Hotit / kufiri me Malin e Zi (140 km)-Korridori 8 Durrës – Vlorë – Pogradec / kufiri me Maqedoninë e Veriut (137 km).

Elida Lazi