Banka e Shqipërisë konfirmoi projeksionet për një rimëkëmbje gradule të ekonomisë. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, pak ditë më parë Guvernatori Gent Sejko, tha se ekonomia shqiptare pritet të shënojë norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje gjatë dy viteve në vijim. Ky skenar është ndërtuar mbi supozimin e zbutjes graduale të masave të marra për kontrollin e pandemisë dhe reduktimin progresiv të pasojave të saj.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rikuperohet më tej gjatë tremujorit të katërt 2020, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia dhe nga ambienti i pafavorshëm i huaj. Sidoqoftë, megjithë përmirësimet graduale, nuk besohet se ekonomia shqiptare i është kthyer rritjes pozitive as në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

“Aktiviteti ekonomik në vend shfaqi tendenca rikuperimi në gjysmën e dytë të vitit 2020, pas recesionit të thellë të shënuar në tremujorin e dytë. Përtej lehtësimit të masave kufizuese të marra për kontrollin e pandemisë, ky rikuperim është ndihmuar dhe nga stimuli fiskal i transmetuar gjatë vitit 2020 dhe nga politikat stimuluese monetare dhe financiare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë. Sipas vlerësimeve tona, politika jonë stimuluese monetare dhe lehtësimi i përkohshëm i rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar, mundësuan funksionimin normal të tregjeve financiare dhe krijuan një ambient të përshtatshëm për rritjen e kredisë gjatë vitit të shkuar. Megjithatë, ndikimi negativ i pandemisë vazhdon të jetë i pranishëm, si në treguesit makroekonomikë ashtu edhe në treguesit e shëndetit financiar të bizneseve dhe familjeve,” tha Sejko.

Sipas tij, tregjet financiare vijuan të funksionojnë normalisht, në një mjedis ku kursi i këmbimit u paraqit i qëndrueshëm, normat e interesit mbetën pranë minimumeve të tyre historike, ndërsa kreditimi vijoi të rritet më tej.

Sejko vlerësoi kontributin e sektorit bankar në zbutjen e efekteve të krizës dhe shtoi se raporti i kredive me probleme edhe në dhejtor ngeli pranë nivelit minimal të dekadës së fundit.

“Kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.7% gjatë vitit 2020, duke ndihmuar bizneset dhe familjet shqiptare në përballimin e nevojave për likuiditet dhe duke ofruar mjetet e nevojshme financiare për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Banka e Shqipërisë gjykon se sektori bankar ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë. Ky sektor ka marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, duke ruajtur në të njëjtën kohë tregues të shëndetshëm likuiditeti, rentabiliteti dhe kapitalizimi. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit. Vijimi i këtij roli aktiv të sektorit bankar edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë një element kyç në qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike,” u shpreh Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pranoi fenomenin e dhënies së huave në të zezë, apo siç njihen ndryshe fajdet, borxhe që jepen nga institucione të palicensuara, por siguroi se ai nuk është i shtrirë në përmasa shqetësuese e që të konkurrojnë sistemin bankar.

“Tregu joformal i kreditimit ka ekzistuar dhe ekziston. Nuk është një problem madhor për sa na ka rezultuar nga analizat, dhe analizat janë gjithmonë të rifreskuara. Referuar viteve të kaluara, kemi marrë në analizë tregun informal pasi gjithmonë ka qenë ky shqetësim. Dhe ka rezultuar që ka një treg joformal, i cili nuk ka konkurruar tregun bankar, por ka krijuar deformime të caktuara në treg. Natyrisht që ne si institucion rregullator kemi marrë masa, kemi bërë përpjekje maksimale qoftë me akte rregullative ashtu dhe nëpërmjet edukimit financiar për ta shmangur këtë treg joformal.Partneri më serioz për çdo individ dhe biznes duhet të jetë banka, tha ai, pasi tregu joformal shoqërohet dhe me norma më të larta interesi. Natyrisht që mund të ketë kërkesë më të ulët në procedura, mund të ketë një procesim më të shpejtë, por ama është më “therës” në aspektin e çmimit, ka norma shumë më të larta interesi se sa tregu formal që janë bankat”, tha Sejko.

Në mbyllje të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektivin, ndaj vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%.Në orientimin për tregjet, Këshilli Mbikëqyrës konfirmoi se politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, duke synuar të sigurojë kushte financimi të favorshme për rritjen e ekonomisë dhe për kthimin e inflacionit në objektiv. Stimuli monetar në formën aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara në sektorin bankar do të vazhdojë të paktën dhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Elida Lazi