Shqipëria i bën ballë me vështirësi pandemisë Covid 19, që tashmë në fokus ka vaksinimin e popullatës, por kjo situate nuk ka ndërprerë projektet ndërtuese në vend. Një projekt ambicioz është dhe ai i shndërrimit të Piramidës, kësaj ndërtese unike në qendër të kryeqytetit shqiptar brenda vitit 2023, në qendrën më të madhe teknologjike në rajon. Tashmë kanë nisur punimet për zbatimin e projektit të rijetëzimit të Piramidës, një projekt transformimi arkitektonik i studios së famshme hollandeze MVRDV.

Ditët e fundit kryeministri Edi Rama dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pane nga afër punimet. Në kujtesën e qytetarëve të Tiranës por dhe vizitorëve të shumtë të kryeqytetit, vendas apo të huaj ndërtesa e Piramidës përveç shkëlqimit që pati në vitet e para të ekzistencës si memorial i udhëheqësit të kohës Enver Hoxha, ishte shndërruar në një objekt të degraduar dhe madje në shkatërrim e sipër. Për afro 30 vjet Piramida pa disa transformime shkatërruese në fasadën, por dhe brenda saj. Qeveritë që i lane vendin njera-tjetrës premtuan në çdo mandate transformimin e Piramidës, por pa sukses.

Idetë dhe planet për krijimin e një Piramide ndryshe kanë lulëzuar gjatë kësaj periudhe, madje duke arritur deri në asgjësimin e saj dhe përdorimin e territorit për ngritjen e parlamentit të ri shqiptar. Kryeministri Rama, duke folur për mediet gjatë inspektimit të punimeve te Piramida theksoi se “sfida më e madhe e këtij projekti nuk është aspekti arkitektonik, por është programi i godinës”.

“Ky është një ndër projektet që ka marrë më shumë kohë dhe më i vështiri për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin shumë të vështirë midis të shkuarës dhe të ardhmes përmes një ndërhyrje në të tashmen”, tha kreu i qeverisë.

Ai tha se projekti i plotëson të gjitha ato kushte për t’i qëndruar kohës, shërbyer njerëzve dhe për t’i ndihmuar të gjithë që mos të harrojnë nga vijnë.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj shprehu besimin se “kemi një mundësi të artë që Tirana, nëpërmjet këtij kampusi, të krijojë fizionominë e një epiqendre digjitale në Ballkan.

Sipas Veliajt, Piramida do të ketë 18 salla, ku të rinjtë mund të studiojnë IT, robotikë, dizajn, si dhe 14 klasa në natyrë.

“Duam ta kthejmë në një ekosistem digjital, në një hapësirë ku të bëjmë jo thjesht mësim, por të kemi edhe start-upe; pra, një eko sistem ku mësojmë të rinjtë se si të krijojnë biznesin e tyre. Por, është një mundësi që kompani të teknologjisë të zënë hapësira këtu, për të pasur mundësi të testojnë produktet, ose të kenë kapacitete për të ftuar disa nga të rinjtë të bëjnë praktikat”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se Piramida do të mikpresë 3 mijë të rinj, që do të studiojnë gjuhën e kodimit.

Financimi për transformimin e kësaj godine ndahet mes buxhetit të bashkisë së Tiranës, të ardhurave të buxhetit të shtetit të vëna në dispozicion nga Ministria e Kulturës si dhe të ardhurat e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim të vëna në dispozicion nëpërmjet një marrëveshje bashkëpunimi me bashkinë për zbatimin e këtij projekti.

Rijetësimi i Piramidës është një prej projekteve strategjike të Tiranës që në programin buxhetor afatmesëm 2018-2020, ku ndër të tjera në atë kohë kërkohej qartësimi i vizionit mbi ndërtesën aktuale.

Ndërkohë që, në prill të vitit 2019 u prezantua edhe projekti për shndërrimin e saj në një qendër për edukimin dhe teknologjinë.

Piramida, historia e saj

Piramida e Tiranës është padyshim simbol si edhe pikë referimi e kryeqytetit, një relike e një të shkuare të trazuar. Ajo mbetet objekti arkitektonik Shqiptar për të cilin është shkruar më gjerësisht: historia e saj kontroverse është diskutuar nga media ndërkombëtare, dokumentare e portale.

Piramida është dëshmitare e viteve më të trazuara të historisë së Shqipërisë dhe, si e tillë, mbetet një monument kulturor. Nga ana arkitektonike, Piramida përfaqëson përpjekjen e parë të suksesshme të një projektimi dhe ndërtimi modern në vend. Piramida u krijua nga ekipi i katër arkitektëve shqiptarë (përfshirë vajzën dhe dhëndrin e Enver Hoxhës, Pranvera Hoxha dhe Klement Kolaneci, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu). Nga planifikimi në ndërtim, projekti u përfundua në një kohë rekord prej vetëm 3 vjetësh. Piramida fillimisht u ideua si muze për Enver Hoxhën, udhëheqësin komunist të Shqipërisë gjatë periudhës 1944-1985. Ajo u hap në vitin 1988, tre vjet pas vdekjes së tij. Në vitin 1991, ndërtesa u bë qendër për konferenca ndërsa në vitin 2001 Top Channel vendosi gjithashtu selinë e tij të përkohshme atje. Në vitin 2011, u morr vendimi që Piramida të shkatërrohej por ky vendim pati kundërshtim të fortë nga komunitete të ndryshme të cilët menduan se e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke u fshirë e kaluara.

Eda Merepeza