Sipas strategjisë afatmesme të zhvillimit 2021-2023, Banka e Shqipërisë planifikon që të shtojë gamën e instrumenteve ku kjo rezervë investohet, si për shembull tituj borxhi të mbuluar me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme, obligacione të lidhura me normën e inflacionit apo kontrata të së ardhmes.

Qëllimi i Bankës së Shqipërisë është diversifikimi i strukturës së investimit të rezervës, por edhe sigurimi i të ardhurave më të larta nga rezerva valutore, në një periudhë kur normat e interesit ngelen në nivelet më të ulëta historike.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se realizimi i objektivit të investimit në instrumente të reja do të kërkojë vijueshmërinë e trajnimit të personelit dhe shkëmbimin e përvojës me institucionet homologe dhe bankat tregtare partnere, si edhe rritjen e kapaciteteve të sistemeve aktuale, ose blerjen e një sistemi të ri, për të mbështetur zgjerimin e klasave të instrumenteve ku rezerva investohet. Aktualisht, rezerva valutore konsiston në pjesën dërrmuese në depozita dhe instrumente borxhi me rrezik të ulët. Një pjesë më e vogël konsiston në ar dhe të drejta tërheqjeje në Fondin Monetar Ndërkombëtar (SDR).

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, rezerva valutore e vendit arriti në 3.87 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 17.2%. Në vlerë absolulte, në harkun e një viti rezerva valutore është zgjeruar me 568 milionë euro. Që nga fundi i vitit 2013, rezerva valutore e Shqipërisë është rritur me rreth 93%.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit. Një shembull i tillë ishte ndërhyrja në fund të Marsit 2020, kur Banka e Shqipërisë shiti mbi 20 milionë euro nga rezervat e saj për të frenuar nënçmimin e shpejtë të lekut në kursin e këmbimit me monedhën europiane.

Sipas Bankës së Shqipërisë, objektivit strategjik i mbajtjes së rezervës valutore përkthehet në sigurimin e një niveli rezervash të mjaftueshëm për të mbuluar të paktën 4 muaj importe dhe në vlerën e 100% të borxhit afatshkurtër të vendit. Banka e Shqipërisë në fund të vitit 2020 publikoi programin e ankandeve për blerje valute në funksion të objektivit të rritjes së rezervës së saj valutore për vitin 2021. Ndërsa gjatë këtij viti janë parashikuar të organizohen 14 ankande me shumë të shpallur 4-6 milionë euro secili.

Mbi ndërhyrjet në tregun valuator, në funksion të përmbushjes së objektivave kryesorë të BSH-së, Këshillir Mbikqyrës i BSH-së, miratoi së fundi rregulloren e re, e cila zëvendëson atë të vitit 2012 dhe përcakton kushtet dhe instrumentet e ndërhyrjes në treg.

Rregullorja parashikon se objektivat e ndërhyrjes së bankës në tregun e brendshëm valutor janë rritja ose ulja e rezervës valutore; shmangia e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor; si edhe përmbushja e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar, në të gjitha rastet kur ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor për këto objektiva gjykohet e domosdoshme.

Llojet e ndërhyrjes së bankës qendrore në tregun e brendshëm valutor janë ndërhyrja me deklaratë dhe ndërhyrja me veprim. Ndërhyrja me veprim mund të jetë e drejtpërdrejtë ose me ankand.

Ndërhyrje me deklaratë do të konsiderohet çdo shprehje verbale apo e shkruar e Bankës, në lidhje me nivelin e kursit të këmbimit të lekut kundrejt monedhave të huaja, me objektiv të qartë influencimin e nivelit aktual ose të ardhshëm të kursit të këmbimit.

Ndërhyrjet me ankand, që përgjithësisht bëhen në funksion të ndryshimit të rezervës valutore dhe për to banka qendrore publikon një kalendar vjetor. Për pjesëmarrësit në ankand është hequr shuma tavan prej 5 milionë eurosh e parashikuar në rregulloren e mëparshme, ndërsa për pjesëmarrje kërkohet vetëm një shumë minimale në vlerën 100 mijë euro.

Në rastin kur ndërhyrja bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, Departamenti i Operacioneve Monetare përzgjedh bankat partnere me të cilat kryhen operacione valutore. Rregullorja e re përcakton se ky departament duhet të kontraktojë të paktën tre banka, ndërkohë që me rregulloren e mëparshme, numri minimal i bankave parashikohej në katër.

Kriteret për përzgjedhjen e bankave dhe degëve të bankave të huaja, si partnerë tregtimi, janë konkurrueshmëria e kurseve të këmbimit të shitjes ose blerjes, në varësi të pozicionit të bankës dhe limitet e tregtimit të përcaktuara nga bankat. Edhe në rastin e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta, rregullorja krijon hapësira për tregtim nëpërmjet zyrave të këmbimit valutor, me vendim të Komitetit dhe në rastet e pamundësisë së bankave për të plotësuar nevojat e ndërhyrjes.

Gjithashtu përveç operacioneve në kuadrin e objektivave të saj, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor edhe në rastet e miratimit të kërkesave të iniciuara nga Qeveria, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe institucione financiare ndërkombëtare.

Etleva Xhajanka