Në vitin 2021, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 5.1%, kjo sipas projeksioneve bazë të Bankës Botërore. Në një intervistë për “Monitor”, menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Maryam Salim, pohon se: “Në një skenar pesimist, sipas të cilit pandemia e COVID-19 zgjat deri në fund të vitit 2021, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 2.6 pikë përqindje më pak se në skenarin bazë. Sipas këtij skenari, rritja nuk do të ishte më e lartë se 2.5%”.

Ndërsa vlerëson masat ekonomike të marra nga qeveria gjatë kohës së pandemisë, znj Salim thekson se mbajtja nën kontroll e krizës shëndetësore dhe kufizimi i dëmit ekonomik, duhet të mbetet prioritet i parë për qeverinë.

Sipas znj.Salim, politikëbërësit do të duhet më pas të përqendrohen në forcimin e bazave ekonomike, për të arritur një rimëkëmbje elastike dhe në të ardhmen mbështetja për individët dhe bizneset e dëmtuara nga goditjet duhet të jetë e përkohshme dhe e mirëshënjestruar, subjekt i transparencës dhe përgjegjësisë. Për shkak të burimeve të kufizuara fiskale, hapësira fiskale e nevojshme për të vazhduar mbështetjen për shtresat më të prekshme duhet të krijohet nëpërmjet përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave dhe efikasitetit të shpenzimeve.

Dihet tashmë që pandemia COVID-19 goditi turizmin dhe udhëtimet, si dhe shërbimet personale, të cilat prej disa vitesh kanë udhëhequr rritjen ekonomike të vendit. Po ashtu sektori i prodhimit u godit rëndë edhe me rënien e porosive të eksportit dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit.

Ndërkohë për përfaqësuesen e BB në Shqipëri, znj Salim është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, nëpërmjet masave që përmirësojnë produktivitetin dhe qasjen e tyre në financa, në mënyrë që ato të rriten dhe të jenë më konkurruese. Mjedisi i biznesit shqiptar dhe politikat e qeverisë duhet të jenë në mbështetje të kompanive të reja dhe inovative, që do t’i sigurojnë ekonomisë dinamizmin dhe diversitetin aq të nevojshëm.

Pandemia e COVID-19 ka të ngjarë të rezultojë në një rialokim të konsiderueshëm të ekonomisë – për shembull, drejt ekonomisë online dhe larg shërbimeve personale. Në planin afatshkurtër, kjo tashmë po shkakton ndërprerje të tregut të punës. Është thelbësore që Shqipëria të lehtësojë rialokimin ekonomik për t’iu përgjigjur këtij “normaliteti të ri” duke ndihmuar punëtorët të kalojnë në sektorë që sigurojnë rritje, ndërsa ndihmon ristrukturimin e sektorit të biznesit.

Banka Botërore ka theksuar rëndësinë e shikimit të krizës si një mundësi për t’i bërë gjërat më mirë dhe ndryshe. Sipas znj Salim duhet të ushqehen më tej mundësitë kryesore të rritjes për ekonominë e Shqipërisë. Në veçanti, kriza ka ripërtërirë vrullin drejt digjitalizimit të ekonomisë dhe ky moment, shton ajo duhet të shfrytëzohet për të pozicionuar më mirë Shqipërinë në ekonominë globale të së ardhmes. Po ashtu, ndërsa zinxhirët globalë të vlerës janë konfiguruar duke dalë nga kriza, ekonomia e vogël e Shqipërisë duhet të pozicionohet për të shfrytëzuar mundësinë dhe për të forcuar integrimin në ekonominë globale. Këto janë mundësi thelbësore për të diversifikuar ekonominë dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e Shqipërisë ndaj goditjeve në të ardhmen. Përqendrimi në ekonominë blu, për shembull, do të ndihmojë në shfrytëzimin e potencialit të madh të Shqipërisë në këtë fushë, ndërsa siguron mundësi rritjeje për shumë ndërmarrje të vogla, pjesë e zinxhirëve të furnizimit që mbështesin këtë sektor premtues.

Sa i përket reformave që duhet të zbatohen nga qeveria në afatin e gjatë, në mënyrë që ekonomia dhe kriza të kthehet në mundësi, përfaqësuesja e BB, thotë se procesi i pranimit të Shqipërisë në BE, duhet të mbetet një spirancë kryesore për axhendën e reformave strukturore të vendit dhe kuadrin makroekonomik. Në frontin e brendshëm, mobilizimi i të ardhurave dhe përmirësimi i efikasitetit dhe barazisë së shpenzimeve publike duhet të mbeten përparësi, për të ulur nivelet e larta të borxhit, për të krijuar amortizatorë fiskalë për të adresuar goditjet, veçanërisht ato që lidhen me fatkeqësitë natyrore dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike.

Mbështetja e rritjes gjithëpërfshirëse do të kërkojë adresimin e sfidave të rëndësishme strukturore, si të natyrës strukturore, ashtu dhe të zbatimit, që lidhen me sundimin e ligjit, mjedisin e biznesit dhe kapitalin njerëzor.

Znj. Salim pohon se simulimet e prodhuara nga Banka Botërore për të matur efektet e krizës dhe zbutjen e këtyre përgjigjeve tregojnë se varfëria e përcaktuar, si përqindja e njerëzve që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë, në Shqipëri mund të jetë rritur me rreth 6 pikë përqindje. Ajo rekomandon qeverinë që të përqendrohet në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe efikasitetin e shpenzimeve dhe pas krizës, politikëbërësit do të duhet të përqendrohen në forcimin e bazave ekonomike për të arritur një rimëkëmbje elastike.

Elida Lazi