Kompania “AgroKoni”, mori profilin specifik dedikuar rritjes dhe kultivimit të fidanëve bujqësorë, pas krijimit të saj në vitin 1992, si një kompani me objekt shitblerjen me shumicë dhe import/eksportin e produkteve ushqimore në përgjithësi.

Ruzhdi Koni, fermeri pa tokë që filloi biznesin e tij duke shitur fruta nga kopshti i tij i vogël, sot është bërë një emër, "AgroKoni" markë në inovacionin në sektorin e bujqësisë në Shqipëri.

Me pasionin dhe inteligjencën e tij, arriti të sfidojë vështirësitë, duke vënë duart e tij në tokë dhe farë pas fare, ka arritur ta shndërrojë jetën e tij në një histori suksesi model për shumë fermerë të tjerë.

Me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), përmes programit IPARD II, kompania “AgroKoni” në Maminas, Shijak, të Durrësit, ka ndërtuar një serrë ultramoderne për prodhimin e fidanëve perimorë me një sipërfaqe prej 3993 m2.

Ambientet e serrës, falë investimeve bashkëkohore janë pajisur me një sistem digjital ngrohjeje, ventilimi, ujitjeje me karel lëvizës, ekran termik, plastmas dhe çdo element tjetër që përmban një serrë sipas standardeve të BE.

“AgroKoni” merret me rritjen e fidanëve nga pikënisja e prodhimit deri në eksport. AZHBR e ka mbështetur kompaninë që në krijimin e serrës së parë ku nisi prodhimin e fidanëve për kultura të ndryshme bujqësore. Ndërsa mbështetja financiare nga AZHB vijoi edhe me serrën e re me teknologji të avancuar.

Këtu gjenden fidanë të të gjitha llojeve të perimeve që furnizojnë fermerët pothuajse nga gjithë Shqipëria me standarde të larta të bimëve.

Ruzhdi Koni është provë, se suksesi vjen nga puna e madhe dhe përkushtimi.

“Falë mbështetjes nga IPARD, biznesi im është shumë përpara në treg. Unë kam pasur mundësinë të përvetësoj teknologji të reja, të lidhem me fermerët dhe grupet e prodhuesve, të fitoj më shumë ekspozim ndaj mundësive të tregut për shkak të njohurive më të mira të kërkesave të tregut në BE dhe vendet fqinjë”, shpjegon Koni.

Ndërsa nuk e ndal sfidën për zbatimin e teknologjisë bashkëkohore që po aplikon në këtë serrë për shartimin e bimëve, një teknologji që kërkon ta avancojë me mbështetjen e AZHBR-së.

Koni është gjithashtu, një nga disa prodhuesit e fidanëve të domates pa hormone, përmes teknikës inovative të pjalimimit nga bletët.

“Pjalmimi nga bletët mundëson një rendiment më të madh të domateve dhe cilësi konkurrese në treg”- thotë ai, ndërsa shton se, këto lloj fidanësh janë unik në serrën e tij dhe mjaft të kërkuara nga fermerët.

Janë rreth 3 mijë fermerë nga gjithë Shqipëria që furnizohen nga kjo serrë me fidanë të cilësisë së lartë.

Investimi i ri ka kaluar mbi 60 milionë lekë dhe është mbështetur 60% me grant nga program IPARDII.

Ndërsa në total investimi prej 1 milion dollarë për afërsisht 2 hektarë serra, një nga më të mëdhatë në Shqipëri ka kapacitetin për të prodhuar 10 milion fidanë në vit (në dy sezone) dhe siguron punë të përhershme për 50 punëtorë dhe më shumë se 250 punëtorë gjatë sezoneve të pikut. Serrat më të fundit janë të kompjuterizuara plotësisht me kontrolle automatike të temperaturës, lagështisë, plehrave dhe përdorimit të ujit. Fidanët kryesorë të prodhuar janë për domate, tranguj, pjepër, shalqinj (të shartuar dhe jo të shartuar) të cilat më pas shpërndahen në mijëra serra dhe fermerë në fushë të hapur në të gjithë Shqipërinë.

Për vetë modelin e veçantë që ka krijuar në bujqësinë shqiptare, serra e fidanëve “AgroKoni”, vitin e kaluar, tërhoqi vëmendjen edhe të grupit të 7 profesorëve të Universitetit Bujqësor të Kinës, të specializuar në fushën e Ortikulturës, që e vizituan nga afër këtë serrë, në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave teorike në fushën e bujqësisë me Shqipërinë.

Në fidanishten e Ruzhdi Konit, profesorët kinezë u njohën me procesin modern të mbjelljes me makineri që arrin një kapacitet prej 400 tavash në orë të barabarta me 60 mijë bimë në orë.

Ndërsa në dhomën e mbirjes, që imiton kushtet natyrore të mbjelljes, farat e mbjella në format e vogla të tavës, qëndrojnë 1-3 ditë me temperaturë deri në30 gradë. Më pas shpërndahen në serrë, në bazë të varitetit, kulturës dhe datës që është mbjellë.

“Nuk mund ta lësh prodhimin në dorë të natyrës sepse ka humbje të mëdha. Kurse serra krijon kushtet optimale për të marrë atë që do dhe humbjet janë shumë të pakta”- shpjegoi Koni .

Ndërsa një prej profesorëve kinezë, Zhang Xiaolan vlerësoi implementimin e teknologjive të reja në këtë serrë, dhe u shpreh se në Kinë i gjithë procesi është plotësisht automatik.

“Shkalla e rritjes është më e lartë në vendin tone. Ndërsa gjithçka tjetër është pothuajse e ngjashme me teknikat që janë përdorur në këtë subjekt. Sa më automatik është procesi, aq më efikas është dhe prodhimi final” u shpreh Xiaolan gjatë asaj vizite.

Përmes programit IPARDII janë injektuar 29 milionë euro financim për prodhimin primar bujqësor në serra në Shqipëri.

Ndërsa ky sektor vijon të jetë në fokus të politikave mbështetëse të qeverisë, si faktor kyç në rritjen gjithëvjetore të prodhimit bujqësor vendas dhe të eksporteve në tregjet e huaja.

Etleva Xhajanka