Biznesi i kërkon qeverisë shtyrjen e procesit të fiskalizimit, pasi sipas përfaqësuesve të tyre, ky proces do të sjellë kosto shtesë. Duke patur parasysh edhe goditjen që sipërmarrja ka marë nga pandemia, ata nuk ndihen ende gati për zbatimin e tij.

Sekretari i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, pilotimin e këtij procesi në të gjithë segmentet e bizneseve e sheh si mënyrën jo të duhur për të çuar përpara reformën. “Jemi akoma në kohë pandemie thotë ai, dhe ky nuk është moment i duhuri për të nisur këtë proces”. Sipas tij, qeveria e di shumë mirë, se në rast se do të ketë problematika ligjore gjatë pilotimit të segmentit të parë, ajo nuk do të ketë kohë për të adaptuar masat e reja. Shkodra bëri të ditur se do ti paraqesin qeverisë kërkesën me shkrim që të ketë një shtyrje për vitin tjetër të procesit ose kur të krijohen kushtet e domosdoshme për të performuar edhe kategoritë e tjera.

Ndërkohë për Sekretarin e Shoqatës së Prodhuesve, Shkodra, kostot shtesë shihen si shqetësim kryesor nga sipërmarrja, pasi sipas tyre do të rëndojnë më tej bizneset e vogla për t’iu përshtatur procesit. Shkodra thotë se biznesi i madh dhe ai VIP nuk kanë problematikë më të madhe koston për aq kohë sa nuk ka një shpërndarje shumë të madhe në njësi. Ndërsa biznesi i vogël, i cili është edhe më i pamundur ka kulturën e ulët fiskale që nënkupton se nuk performon mirë në sistemet digjitale. Sipas tij, ky proces më shumë se sa bizneset do të ndihmojë qeverinë në drejtim të mirëadministrimit fiskal, pasi përmes kësaj reforme ekzekutivi synon të rrisë me 10% të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Krahas avantazheve që pritet të sjell, procesi i fiskalizimit, i cili ka filluar zbatimin nga data 1 janar, bizneset pritet të përballen me sfida gjatë fazës së parë të zbatimit. Lidhur me këtë Sekretariati i Këshillit të Investimeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve organizuan një diskutim teknik me sektorin privat. Përfaqësuesit e biznesit shprehën interes në ngritjen e pyetjeve dhe komenteve me natyrë teknike dhe të përgjithshme, të cilat kishin të bënin kryesisht me përdorimin dhe manualet e përdorimit te platformës Selfcare, mënyrën se si do të trajtohet sektori i agro-biznesit i cili është dhe sektori më pak i formalizuar i shoqërisë, si dhe kostot shtesë e “ të fshehura “ të të bërit biznes etj.

E pranishme në këtë takim Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, e cilësoi procesin e fiskalizimit si reformën më të madhe për mirëadministrimin fiskal që po zbaton aktualisht qeveria dhe pritshmëritë për reduktimin e informalitetit në periudhë afatmesme janë deri në 15%. Zbatimi i kësaj reforme do të jetë sfidë si për biznesin ashtu edhe për administratën .

Pavarësisht se bizneset do të duhet të përballen me disa kosto të reja , ato priten të kenë përfitime të qenësishme në të bërin biznes, ndërkohë që kostot në fjalë do të diktohen nga tregu, i cili tashmë është liberalizuar në këtë aspekt.

Në anën tjetër fryma e administratës tatimore gjatë kësaj faze të parë do të jetë ajo e këshillimit dhe mbështetjes. Qëllimi i kësaj mbledhje ishte qartësimi i problematikave që në hapat e parë përmes një dialogu të drejtpërdrejtë midis administratës tatimore dhe përfaqësuesve të biznesit.

Ndërkohë me kërkesë të kryetares së Këshillit të Investimeve, ministres Anila Denaj, Sekretariati i Këshillit të Investimeve do të paraqesë një përmbledhje të konsoliduar të komenteve të biiznesit dhe përgjigjeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me qëllim krijimin e një dialogu sa më transparent midis palëve. Nga ana tjetër, në takimet me entet publike të zhvilluara në disa qytete të vendit, ministrja e Ekonomisë, Denaj ka bërë të ditur se në fund të vitit 2021 do të ketë vetëm faturë elektronike. Sipas saj, fiskalizimi nuk ka nisur në vitin 2021, por që në vitin 2019. “Është një ligj tha ajo, që ka kaluar të gjitha etapat dhe është ratifikuar në parlament në vitin 2019.

Ndërsa në 2020 u shty afati i zbatimit për shkak të vështirësive që biznesi pati për arsye të pandemisë”.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se në muajin korrik administrata tatimore do të fillojë me mardhëniet që ndodhin nëpërmjet bankave , duke bërë që transaksionet në banka të jenë dhe ato të fiskalizuara dhe deri në 1 shtator të jenë dhe ato të cash-it. Sipas ministres, në vitin 2021 do të ketë vetëm faturë elektronike, kështu Administrata Tatimore do jetë në dijeni sa është qarkullimi cash, sa është në bankë dhe se i gjithë informacioni do të jetë në kohë reale.

Tema e fiskalizimit për herë të parë u trajtua në Këshillin e Investimeve, që në muajin gusht të vitit 2019. Shqetësimet kryesore të biznesit që në atë kohë kishin të bënin me kohën e kufizuar në dispozicion për zbatimin e procedurave të reja të cilat ishin në vetvete një risi teknologjike, si edhe kostot përkatëse.

Elida Lazi