Banka e Shqipërisë synon të ndërtojë gjatë këtij viti, një bazë të dhënash për titujt e mbajtur nga bankat dhe institucionet e tjera kredituese, sipas standardeve dhe rregullores së Bankës Qendrore Europiane mbi statistikat e titujve.

Kjo bazë të dhënash mundëson tregues më të detajuara dhe ekspertizë më të thelluar në zbatim të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Ekspertët e bankave shprehen se, një informacion më i hollësishëm rreth titujve është i rëndësishëm, pasi ato përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme në bilancin e sistemit bankar në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se sektori bankar në Shqipëri zotëronte në total, 487 miliardë lekë ose 4 miliardë euro, letra me vlerë, në fund të 3-mujorit të III-të 2020.

Me bazë vjetore, portofoli i titujve është zgjeruar ndjeshëm, me rreth 27%. Rritja ka ardhur kryesisht për shkak të zgjerimit të ekspozimit të sektorit bankar ndaj instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare.

Bankat jo vetëm që ngelen financueset më të mëdha të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, por ishin edhe ndër blerësit kryesorë të eurobondit të emetuar nga qeveria shqiptare në qershorin e vitit të kaluar. Aktualisht, letrat me vlerë përbëjnë më shumë se 31% të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar dhe së bashku me kredinë janë komponentët kryesorë të bilancit të tyre.

Megjithatë, deri tani statistikat nuk ofrojë të dhëna të detajuara për titujt e mbajtura në bilance nga bankat tregtare në Shqipëri. Ndaj baza e re e të dhënave është me rëndësi për autoritetin mbikëqyrës të BSH-së, për të pasur një informacion të detajuar dhe periodik rreth llojit dhe strukturës së ekspozimit, shkallës së rrezikut, emetuesve të titujve, etj.

Krijimi i bazës së të dhënave për titujt, pasohet nga një vendim tjetër i Bankës së Shqipërisë për përditësimin e Regjistrit të Kredive.Përditësimi i Regjistrit të Kredive sipas rregullores së Bankës Qendrore Europiane, do të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të regjistrit, por edhe në përmbajtjen e tij.

Ndërsa do të jetë në funksion të kërkesave të reja raportuese nga sistemi bankar për Regjistrin e Kredive dhe për herë të pare do të jetë i aksesueshëm nga individët dhe bizneset për të dhënat e tyre.

Një nga risitë funksionale të Regjistrit të Kredive, është se, bankat do të mund të bëjnë kërkime në regjistër, edhe në rastet kur nuk ka një aplikim për kredi nga klientët.

Por në çdo rast kërkimi do të bëhet vetëm me një miratim paraprak nga klienti i institucionit financiar. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është mundësimi i ofrimit të produkteve të kredisë të para aprovuara për klientët e tyre.

Ndërsa individët dhe bizneset do të kenë akses direkt në regjistrin e kredive, për të marrë shërbimin e gjenerimit të raportit të kredimarrësit, pasi të regjistrohen në Platformën Online të Regjistrit të Kredive, të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë për të krijuar llogarinë e tyre në sistem.

Në vijim, ata nevojitet të paraqiten vetëm një herë pranë Bankës së Shqipërisë-së, për të përfunduar fazën e miratimit të llogarisë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, aktualisht regjistri i kredive përmban të dhëna për 650 mijë individë dhe 21 mijë biznese kredimarrëse.

Subjekte të kësaj rregulloreje janë 42 institucionet financiare, të gjitha bankat, degët e bankave të huaja, subjektet financiare jobanka, shoqëritë e kursim-kreditit dhe Unionet e Shoqërive të Kursim-Kreditit, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat raportojnë në Regjistrin e Kredive.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aksesi në sistem do të ofrohet 24/7 ditë të javës dhe do të jetë i pakufizuar në kohë.

Në Regjistrin e Kredive disponohet informacion për të gjitha kreditë e dhëna individëve dhe personave juridikë nga sistemi bankar e financiar shqiptar.

Numri i individëve për të cilët disponohen të dhëna rezulton në rreth 650 mijë dhe numri i bizneseve arrin në rreth 21 mijë. Ndëkohë që numri vjetor i kërkimeve të realizuara nga institucionet financiare që raportojnë të dhëna pranë këtij sistemi regjistrohet mesatarisht në 670 mijë kërkime në vit.

Etleva Xhajanka