Karantina në pjesën e parë të vitit 2020 dhe më pas kufizimi i lëvizjeve në mbarë botën, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, kanë dhënë ndikim të ndjeshëm në hyrje-daljet e shtetasve të huaj, por dhe udhëtimeve të vendasve në Shqipëri.

Kufizimi i qarkullimit të lirë të shtetasve kudo në botë për shkak të pandemisë Covid-19 shkaktoi rënie masive sidomos të atyre që udhëtonin për turizëm. Arsyet e lëvizjes u kufizuan vetëm për çështje pune ose shëndeti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020 në Shqipëri hynë 2,6 milonë shtetas të huaj, me një rënie prej 58.5%. Si rrjedhojë e kufizimeve hynë 3.7 milion shtetas të huaj më pak, duke ndikuar ndjeshëm në ecurinë e turizmit, por edhe të konsumit, që në gusht, ku kulmon sezoni ishte shumë i dobët, sipas të dhënave të tregtisë me pakicë.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.906.828, duke rënë me 50,9%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave për lëvizjen e shtetasve vërehet se rënia më e ulët ishte nga Kosova, kjo edhe për shkak të rënies dakord mes dy shteteve për të mos ndaluar qarkullimin e lirë në sezonin turistik. Gjatë vitit të pandemisë, turistët nga Kosova kanë mbajtur peshën kryesore në turizmin shqiptar. Hyrjet e shtetasve nga Kosova në 2020-n përbënin 52% të totalit , nga 35% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm, kur në vend filluan të vinin turistë nga pothuajse e gjithë Evropa.

Gjatë vitit 2020, Kosova shënoi rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6 %, ndërsa rënien më të madhe e ka patur Spanja me 90,3% krahasuar me vitin 2019. Pandemia ka kufizuar lëvizjet te shtetet afër kufirit. Në vend të dytë ishin shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me 14% të totalit, nga 12.7 % një vit më parë.

Ndërsa tkurrjen më të fortë e shënuan turistët polakë (-81%), të cilët vitet e fundit e kishin kthyer në destinacion të qëndrueshëm Shqipërinë, si dhe turistët spanjollë (-90%).

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin dhjetor 2020, është 442. 966 dhe krahasuar me muajin dhjetor 2019, ky tregues rezulton me rënie 50,7%. Në dhjetor të 2020, numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar është 180.815, krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënie me 37,4%.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020 janë 215.698 dhe krahasuar me dhjetorin e 2019, ky numër ka rënë 55.5%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020, janë 155.973 dhe krahasuar me dhjetorin e 2019, ky numër ka rënë me 37.4 %.

Kufizimi i lëvizjeve për shkak të pandemisë COVID 19, preku edhe sektorin botëror të turizmit. Ky ishte viti më i keq në historinë e turizmit botëror edhe për shkak të mutacionit ojit të ri të koronavirusit.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së , gjatë 10 muajve të parë të vitit 2020, udhëtimet ndërkombëtare kanë pësuar një rënie me 72% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, për shkak të kufizimeve të udhëtimit.

Numri i turistëve ndërkombëtarë që kanë udhëtuar në periudhën janar-tetor 2020 ka qenë 900 milion më pakë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Një rënie kaq e madhe ka ndodhur për shkak kufizimeve të COVID-19 dhe ndikimit të besimit të ulët të konsumatorit. Ndërsa humbjet llogariten në 935 miliardë dollarë, 10 herë më shumë se humbjet e registruara në vitin 2009 për shkak të ndikimit të krizës ekonomike globale.

Organizata Botërore e Turizmit vuri në dukje se në vitin 2020 turizmi botëror është kthyer në shifrat e vitit 1990. Në krye të rajoneve që janë prekur më shumë nga turizmi gjatë 2020 qëndrojnë, Azi-Paqësori me 82%, Lindja e Mesme me 73%, Afrika me 69%, kurse në Evropë dhe Amerikë rënia është përcaktuar me 68%, gjithnjë sipas të dhënave të organizatës.

Elida Lazi