Manjola është një ndër përfituesit e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor (AZHBR) për kultivimin e mjedrave. Një vajzë e re, shumë punëtore dhe e apasionuar, që ka “qendisur” tokën e saj, me frutin e veçantë dhe mjaft të kërkuar, duke krijuar kështu një model në zhvillimin e sipërmarrjeve të reja në zonat rurale të Shqipërisët.

Tingëllon paksa e veçantë historia e Manjolës, vajzës që braktisi punën në bankë, për të ngritur një fermë.

Në vendin e saj të lindjes në Fushë Prezë, pak kilometra larg Tiranës, ajo kultivon frutin që i ngjason një kapuçi të kuq dimëror, mjedrën, e që disa e cilësojnë si “ari i kuq”.

Ndërsa Manjola nga ana e saj, thotë se ka dëshirë të madhe të zgjerojë fermerën, por siç shprehet ajo “është pak e vështirë për ta arritur, për faktin se nuk gjen dot sipërfaqe toke të lire, që t’i marrë me qira, tek e cila mund të ndërtojë sera për një afat 10-vjeçar”.

“Të gjithë njerëzit mendojnë ta shesin tokën për ndërtime, sepse përfitojnë më shumë sesa duke e dhënë në përdorim për bujqësi”- thotë ajo.

Manjola Hafizi 34 vjeçe ka studiuar për Menaxhim Biznesi në Universitetin Ekonomik të Tiranës. Ajo tregon se kishte shumë kohë që kërkonte të bënte diçka ndryshe nga bizneset e tjera dhe të mos ishte shumë e lëvruar në Shqipëri, deri sa gjeti në internet një video mbi zhvillimin e mjedrës në Shqipëri.

Kështu Manjola pas 7 vitesh punë në një bankë tregtare, sot është ndër fermeret e para në vend që ka marrë nismën për kultivimin e frutit të mjedrës.

Ajo ka ndërtuar një serrë në Fushë Prezë në vendlindjen e saj, në një sipërfaqe toke prej 8 500 m2 .

“Në 2016 u hapën aplikimet tek AZHBR-ja për subvencione në bujqësi dhe pasi paraqita dokumentat, u shpalla fituese. Përfitova 50% subvencione nga shteti për investimin në ngritjen e serrës ku kultivoj frutin e mjedrës”- thotë Manjola.

Ajo ndihet shumë e kënaqur për zgjedhjen që ka bërë dhe tregon se përpara se të niste këtë sipërmarrje, mori informacion të nevojshëm nga ekspertët vendas dhe të huaj që merren me kultivimin e mjedrës, me qëllim ngritjen e një biznesi të qendrueshëm dhe të suksesshëm.

“Mjedra që kultivoj në serrën time, prodhon fruta nga muaji maj deri në dhjetor. Mjedra përdoret për shurup, reçel dhe për përdorim të përditshëm. Ka shumë njerëz që vijnë në fermën tonë dhe blejnë frutat e mjedrës, të cilat ruhen lehtësisht në frigorifer dhe përdoren në çdo kohë”- thotë Manjola.

Mjedra hyn tek grupi i frutave të pyllit dhe nuk njihet shumë në kuzhinën shqiptare, por ajo është me mjaft vlera ushqimore dhe e kërkuar nga tregu i huaj.

Fetah Elezi ekspert i fushës tregon se fruti i mjedrës kultivohet gjerësisht në Kosovë dhe në Shqipëri ka nisur të investohet për kultivimin e saj që kërkon teknologji të posaçme, ndonëse kushtet klimaterike në Shqipëri e favorizojnë zhvillimin e mjedrës.

Elezi shprehet se ngritja e qendrave të grumbullimit dhe bashkimi i fermerëve janë faktorë të progresit të mëtejshëm të sipërmarrjeve në bujqësi, që sigurojnë më shumë përtifime dhe eksporte.

Manjola nuk ndalet, ajo thotë se ka dëshirë të merret me kultivimin edhe të frutave të tjera të pyllit, si boronica, etj. Ndërsa me biznesin e saj ajo, ka arritur të punësojë 10 deri 20 fermere të zonës në procesin e vjeljes së mjedrës.

Për shkak të prodhimit të bollshëm, që shkon deri në 300 kg në ditë, Manjola në janar të 2011, aplikoi në skemat e IPARD për makineri përpunimi të mjedrës për lëng dhe reçel.

“Unë jam përzgjedhur fituese e fazës së parë”- thotë Manjola ndërsa shpreh bindjen se bujqësia është nje pasuri sipërmarrjeje për çdo të ri që guxon.

Ajo gjithashtu ka filluar përpjekjet për certifikimin e mjedrës, me standardin Global Gap.

Si një nga kultivueset e para të mjedrës, Manjola synon të zgjerojë prodhimin për eksport , ndaj ndjek programin e trajnimit për certifikim e mjedrës, me standardin Global Gap.

Me realizimin e këtij programi ajo do të pajiset me certifikatën e standardit Global GAP, që i mundëson qasjen e mjedrës “Made in Albania” në tregun evropian dhe më gjerë.

Specialistë të AZHBR-së për mbështetjen dhe rritjen e sektorit të bujqësisë shqiptare po ndihmojnë edhe fermerët në zonën e Fierit, për të mbjellë mjedër.

Qëllimi i demonstrimeve dhe kultivimit në parcela eksperimentale është vlerësimi i prodhimit të këtyre bimëve, duke synuar diversifikimin e prodhimit, pra për të shmangur mbingopjen e tregut me pak kultura bujqësore të cilat kultivohen nga të gjithë fermerët.

Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR po ndihmojnë fermerët të kultivojnë këto kultura të reja, për të konkurruar importin e kushtueshëm dhe për të rritur të ardhurat nga ferma.

Etleva Xhajanka