Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që Shqipëria të ketë një rimëkëmbje graduale në periudhën 2021-2022, me një normë rreth 5%. Në një intervistë për “Monitor”, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun pohon se kjo perspektivë është subjekti i pasigurive të mëdha, që lidhen me valën e dytë të virusit, ndonëse vaksina është lajm i mirë. Për këtë arsye, ajo rekomandon që qeveria të ketë plane rezervë, në rast se do të materializohet një skenar më pak i favorshëm. Sipas saj, një avantazh është se në vitin 2021 bota është e përgatitur më mirë për t’u përballur me pandeminë dhe ka progres në zhvillimin e vaksinave.

Duke iu referuar masave të ndërmarra nga qeveria për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19, Sun thotë se ato janë marë në kohën e duhur dhe përgjithësisht të mirëshënjestruara. Pothuajse 95% e masave buxhetore u janë shpërndarë përfituesve të synuar. Por duke patur parasysh borxhin e lartë publik dhe përmasat e vogla të qeverisë, paketat mbështetëse të Shqipërisë janë më të vogla se mesatarja e vendeve në zhvillim dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja, thotë shefja e FMN-së, që ne u kemi rekomanduar autoriteteve të vazhdojnë pa vonesa të mëtejshme me miratimin e një strategjie të shëndoshë të të Ardhurave Afatmesme, që do t’i mundësonte Shqipërisë të mbledhë të ardhura, në mënyrë që të financojë investime shumë të nevojshme në infrastrukturën fizike dhe njerëzore, ndërkohë që e çon borxhin në një trajektore rënëse.

Mbështetja për COVID-19 duhet të jetë e përkohshme dhe e shënjestruar. Masat e përhershme fiskale, si heqja e e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milion lekë minon pajtueshmërinë e taksave dhe gërryen bazën e taksave. Ndërkohë që mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në vitin 2021 dhe duhet të jetë subjekt i transparencës dhe përgjegjshmërisë. Në të njëjtën kohë, teksa rritja pritet të rimëkëmbet në vitin 2021, cikli i të ardhurave duhet të përdoret për të arritur një ulje më të madhe të deficitit sesa atij që parashikohet në buxhetin e vitit 2021.

Në rast të një pandemie më të rëndë, Shefja e FMN-së thekson se autoritetet do të duhet të ndërmarrin masa të reja për të siguruar një kujdes të përshtatshëm shëndetësor dhe për të mbrojtur shtresën më të brishtë, të identifikojnë opsionet për rialokime të buxhetit dhe financime zyrtare shtesë, si dhe të mbajnë likuid tregun e brendshëm financiar. Ata duhet të jenë të gatshëm të marrin këto dhe çdo masë tjetër që mund të duhet për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiare.

Pyetjse se vilët janë sektorët që mund të vuajnë në një afat më të gjatë dhe ata të cilët do të rikuperohen më shpejt, shefja e FMN-së, Yan Sun shpjegon se sektorët më të prekur nga pandemia janë ata “me kontakt intensiv” të cilët kërkojnë kontakte të ngushta ballë për ballë, siç janë shërbimet e udhëtimit dhe turizmi.

Sektori digjital ka qenë një fitues i madh nga kjo krizë. Shumë prej nesh u detyruan të punojnë në distancë dhe duke përdorur teknologjinë për të mbetur produktivë. Ndërsa bizneset e mëdha mund të kenë më shumë burime për të përballuar goditjet, bizneset e vogla mund të jenë më të shkathëta për t’u përshtatur ndaj ndryshimit të rrethanave.

Në afatin e gjatë, thotë Sun, disa riorientime do të ishin të nevojshme për të gjitha bizneset, të mëdha dhe të vogla. Është e pashmangshme shton ajo, që jo të gjitha bizneset do të mund të përballojnë këtë goditje jashtëzakonisht të madhe dhe do të ketë rishpërndarje të kapitalit dhe burimeve njerëzore. Kjo është një nga vështirësitë kryesore me të cilat përballen qeveritë kur përpiqen të mbështesin bizneset: të dallojnë cilat biznese janë nën vështirësi të përkohshme për shkak të pandemisë, por ende funksionale dhe duhet të mbështeten, dhe cilat janë jo të qëndrueshme, që kanë vështirësi të përhershme dhe nuk mund të shpëtohen nga masat e përkohshme të mbështetjes.

COVID-19 po e ndryshon me shpejtësi ekonominë globale, duke e çuar në ndryshime radikale. Sa i përket pritshmërive se si mund të ndyshojë ekonomia shqiptare në afatin e shkurtër dhe të mesëm, Sun thotë se do të ishte e rëndësishme për Shqipërinë të përmirësonte konkurrueshmërinë e saj në tregjet e jashtme dhe të zgjeronte bazën e eksporteve. Në veçanti, për të adresuar dobësitë në infrastrukturë dhe mungesat e aftësive që pengojnë një tranzicion drejt rritjes së udhëhequr nga eksporti, Shqipëria ka nevojë për një rendiment më të lartë të të ardhurave nga taksat dhe reformim të sistemit kompleks dhe të fragmentuar të taksave.

Duke patur parasysh transformimin e zinxhirit global të vlerës për shkak të COVID-19, Shqipëria mund të përfitojë nga diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit, por duhet të përmirësojë klimën e saj të investimeve dhe të heqë ato pengesa që parandalojnë tërheqjen e IHD-ve. Në veçanti, përmirësimi i institucioneve, infrastrukturës dhe sundimit të ligjit janë të nevojshme për të siguruar një klimë konkurruese biznesi.

Si gjithmonë pas një pandemie, pabarazia ka një tendencë në rritje, dhe prek më shumë shtresat e e brishta. Prandaj, është shumë e rëndësishme për autoritetet shqiptare që t’u japin përparësi shpenzimeve më të rëndësishme dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për më të rrezikuarit. Duke pasur parasysh informalitetin e lartë të Shqipërisë, thekson shefja e FMN-së është gjithashtu e rëndësishme të merret në konsideratë se si mbështetja mund të arrijë ata që nuk janë pjesë e ekonomisë formale, ndërsa vazhdon puna për formalizimin e ekonomisë.

Elida Lazi