Numri i ndërmarrjeve kryesore evropiane me pjesëmarrje të lartë të grave në pozicionet drejtuese është dyfishuar gjatë vitit të kaluar, por kishte më pak përparim në vendet e para të punës, tregoi një studim i organizatës jofitimprurëse të Bashkimit Evropian, “European Women on Boards”, (Ewob).

Studimi i “Gratë Evropiane në Borde” analizoi 668 kompanitë më të listuara në BE, të përfshira në indeksin evropian STOXX 600 dhe standardet kombëtare, dhe doli në përfundimin se numri i atyre me rezultate të larta në Indeksin e saj të Diversitetit Gjinor u rrit në 62 nga 32 në vitin 2019.

Gratë përbënin pak më shumë se një të tretën e bordeve të kompanive të analizuara, por mbanin vetëm 14% të vendeve të punës, të tilla si shef ekzekutiv, shef i funksionimit ose zyrtar i lartë i financave. Vetëm 6% e kompanive kishin CEO femra, megjithëse kjo shënoi një përmirësim nga 4.7% në vitin pararendës.

Studimi, tek i cili bazohet “La Repubblica”, bën të ditur se gratë u goditën më shumë nga pandemia e koronavirusit, duke vuajtur papunësi më të lartë dhe ngarkesë më të madhe stresi në familje.

Kompanitë nga Norvegjia, Franca, Britania, Finlanda dhe Suedia kryesuan renditjen, me Zvicrën dhe Poloninë të renditur në fund të tabelës. Përpara tyre gjenden Danimarka, Spanja dhe Gjermania, duke mos e pasur praninë femërore në poste drejtuese një çështje parësore.

Kompanitë e mëdha evropiane të kuotura në Bursë kanë bërë progres, duke përmirësuar ndjeshëm diversitetin në postet drejtuese, sipas hartimit të renditjes së meritave nga “Gratë Evropiane në Borde”. Shoqata promovon barazinë gjinore në krye të kompanisë dhe monitoron situatën duke parë indeksin e tregut të aksioneve Stoxx Europe 600, e cila përfshin rreth 600 kompanitë më të mira evropiane sipas kapitalizimit.

Faktet thonë se ekuilibri gjinor po përparon, por ende përpiqet të gjejë rrugën e tij. Vetëm 6% e kompanive në indeks kanë një grua në krye (46 CEO në të gjitha), dhe në vetëm 130 kompani (19%) gratë luajnë një rol kryesor në drejtim.

Indeksi i Diversitetit Gjinor, i cili mat barazinë gjinore, e sheh Norvegjinë në krye (0.74), ndërsa Poloninë në fund (0.38). IDGJ-ja mesatare e Evropës është rritur lehtë krahasuar me vitin e kaluar (nga 0.53 në 0.56), por barazia është shumë larg. Pushteti nuk është aspak në duart e grave.

Në Itali, e cila renditet në vendin e gjashtë në listën e OJF-së së BE-së, regjistrohet përqindja e dytë më e lartë në Evropë për sa i përket pjesëmarrjes në bordin e drejtorëve dhe bordeve mbikëqyrëse (22%). Deri tani, është arritur rreth 45% e grave në komitetet e menaxhimit dhe kontrollit.

Indeksi i Barazisë Gjinore për vitin 2020 thekson progresin e ngadaltë, por të qëndrueshëm në Evropë, megjithë ndryshimet e konsiderueshme mes vendeve individuale.

“Krahasuar me vitin 2019, përparimi i udhëheqjes femërore është përkthyer konkretisht në një rritje të CEO-ve femra, me një “C-suite” të kompanive në udhëheqjen femërore më të lartë se vitin e kaluar, me 9% të presidencave "rozë" të bordeve të korporatave (një rritje prej 2%).

Paivi Jokinen, presidente e “Grave Evropiane në Borde”, deklaroi se indeksi mesatar i diversitetit gjinor është rritur nga 0.53 në 0.56 dhe numri i kompanive me një IDGJ mbi 0.8 është dyfishuar, nga 30 në 62. Sipas saj, ky është thelbi i përparimit të barazisë gjinore në kompanitë evropiane.

IDGJ-ja tregon progres të ngadaltë por të qëndrueshëm në Evropë, megjithë ndryshimet e konsiderueshme midis vendeve individuale. Në vitin 2012, Komisioni Evropian propozoi një ligj për të rritur numrin e grave si CEO në 40% për kompanitë e listuara, por jo të gjitha vendet evropiane kanë legjislacion të ngjashëm. Vitet e fundit nevoja për të ndërmarrë veprime të mëtejshme për pjesëmarrje më të madhe të grave në proceset e vendimmarrjes së korporatave është theksuar përsëri.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka vendosur çështjen e barazisë midis përparësive kryesore të mandatit të saj dhe ekipit të saj të komisionerëve, me një theks të qartë në barazinë gjinore. Në të njëjtën kohë, Parlamenti Evropian ka rihapur debatin mbi miratimin e masave rregullatore të nevojshme për të rritur kuotat e grave në krye të kompanive, pasi shumë anëtarë të Parlamentit Evropian kanë kritikuar efektivitetin e masave vullnetare, të cilat konsiderohen të pamjaftueshme.

Për sa i përket vendeve individuale, disa qeveri kanë zbatuar tashmë masa për të promovuar ekuilibrin gjinor në bordet e kompanive. Ato variojnë sipas dispozitave rregullatore, për shembull, kuota detyruese në Norvegji, Belgjikë, Gjermani, Francë dhe Itali; masa të tilla si të ashtuquajturat "kuota të buta", të cilat nuk parashikojnë sanksione ose që janë të zbatueshme vetëm për ndërmarrjet publike, si në Danimarkë, Irlandë, Greqi, Spanjë, Luksemburg, Holandë, Austri, Poloni, Portugali, Finlandë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në panoramën evropiane, vetëm 28% e roleve ekzekutive dhe joekzekutive në 668 kompani të analizuara mbahen nga gratë. Ndër kompanitë e ekzaminuara, prania e grave brenda bordit të drejtorëve është e kufizuar në 34%. Aktualisht, niveli i qeverisjes që numëron pjesëmarrjen më të madhe të grave është pikërisht ai i bordeve të drejtorëve. Në nivelin ekzekutiv, është regjistruar situata më e keqe, pasi lidershipi i grave është akoma në 17%.

Për kuotat rozë ka ende shumë për të bërë. Sipas ekspertëve, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të promovohet zhvillimi i udhëheqjes përfshirëse, duke krijuar module të specializuara të talenteve femra. Për ekspertët, kjo është një temë qendrore për përparimin e shoqërisë, një shtysë e domosdoshme për rifillimin.

Përgatiti: Irma Paloli