Pritshmëritë e BSH për vitin 2021 janë për një përmirësim të ekonomisë shqiptare. Në një prononcim për“Monitor”, përfaqësues të BSH vlerësojnë se me normalizimin e situatës epidemiologjike, ekonomia shqiptare i ka premisat e nevojshme ekonomike dhe financiare për rimëkëmbjen e shpejtë të aktivitetit ekonomik. Megjithatë, rimëkëmbja pritet të jetë një proces gradual.

Viti 2020 do të mbahet mend si viti i pandemisë globale COVID-19, i mbylljes së detyruar të ekonomive dhe të kufijve dhe i distancimit social. Të gjithë këta faktorë çuan ekonominë shqiptare në recension dhe testuan qëndrueshmërinë e fondamenteve të saj. Masat dhe kufizimet e ndërmarra me përhapjen e pandemisë u shoqëruan me një kosto të konsiderueshme ekonomike. Në planin makro, PPB u tkurr, papunësia u rrit, pozicioni i jashtëm i ekonomisë u përkeqësua dhe deficiti fiskal e borxhi public njohën nivele të larta. Në planin mikro familjet dhe kompanitë shqiptare u ballafaquan me rënie të punësimit, të të ardhurave dhe vështirësi financiare.

Në gjuhën e shifrave ekonomia shqiptare ra me 6.6% në gjysmën e parë të vitit. Recensioni ekonomik solli dhe rënie të të ardhurave fiskale dhe rritje të borxhit publik. Ky i fundit arriti në 79.7% të PPB-së në fund të tremujorit të tretë të 2020, nga 66.2% në fund të vitit 2019. Statistikat e tremujorit të tretë dëshmojnë rikuperim të aktivitetit ekonomik. Ritmi i kontraktimit ekonomik zbriti nga -10,2% në tremujorin e dytë në -3,5% në tremujorin e tretë. Sipas BSH, këto tendenca si dhe shpërndarja e një vaksine efektive, bëjn që viti 2021 të shihet me një optimizëm të kujdesshëm.

Sa i përket sektorit bankar, pandemia e gjeti në gjendje të mirë financiare. Kjo bëri që ky sektor të ruajë tregues të mirë financiar gjatë këtij viti. Sipas BSH, kreditimi edhe pse me ritme të ulëta ka vijuar rritjen si për bizneset ashtu edhe për familjet. Depozitat në banka janë rritur dhe gjendja e likuiditetit është e mirë. Po ashtu dhe treguesit e rezultatit financiar dhe kapitalit paraqiten në nivele të mira. Goditjet që pësoi ekonomia shqiptare gjatë vitit 2020 ishte jo vetëm e rëndë por edhe komplekse. Rënia e kërkesës dhe ofertës solli reduktim të fortë e të menjëhershëm të aktivitetit ekonomik dhe të punësimit, ndërkohë që gjeneroi problem likuiditeti dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet, si dhe rriti pasigurinë për agjentët ekonomik.

Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, viti 2021 pritet të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes për ekonominë, BSH pret zgjerim të konsumit dhe investimeve, rritje të aktivitetit ekonomik, rritje të punësimit dhe përmirësim të të gjendjes financiaretë bizneseve dhe familjeve. Edhe pse në rritje, vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të arrijë nivelin e shënuar para krizës vetëm në vitin 2022.

Ecuria e ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm është e rrethuar nga rreziqe të kahut të poshtëm. Për këtë arsye, politikat ekonomike duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshme, në drejtim të ruajtjes së një balance të drejtë midis nevojës për të ofruar stimul makroekonomik dhe nevojës për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar. Sa i përket kredive me problem, BSH vlerson se në kushtet kur pandemia vijon të ndikojë zhvillimet ekonomike dhe sociale në vend, pritjet janë që vlerat e këtyre kredive të jenë më të larta në vitin 2021, pavarësisht se masat lehtësuese rregullatore të BSH dhe veprimet e bankave për ristrukturimin e kredive në zbatim të tyre, japin mundësinë që kjo rritje të jetë e kufizuar.

Për t’i paraprirë rritjes me ritme të larta të kredive me problem, BSH u ka kërkuar bankave të jenë proaktive në evidentimin dhe provigjionimin e humbjeve nga këto kredi.Ndaj me rëndësi është vlersimi i aftësisë së bankave për t’u përballuar me nivelet më të larta të kredive me probleme gjatë vitit të ardhshëm. Kjo nënkupton përshtatshmërinë në nivele të fitimit të periudhës dhe kapitalit për të përthithur humbjet eventuale dhe për të vijuar kreditimin me ritme të përshtatshme. Ndërkohë bankave i’u është kërkuar gjithashtu të kryejnë rregullisht vlersime lidhur me kapacitetet përthithëse. BSH bën të ditur se nga komunikimi që kanë patur me bankat dhe përmes ushtrimeve të provës së rezistencës që kryhet me to, rezulton se treguesit e kapitalit dhe aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto humbje potenciale paraqitet në nivele mjaft të mira.

Në gjykimin e BSH edhe gjatë vitit 2021, mbështetja e ekonomisë me stimuj makroekonomikë duhet të vazhdojë derisa të kemi sigurinë e një rikuperimi të qëndrueshëm të saj. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që politikat ekonomike të jenë të sinkronizuara për të rritur efektivitetin e tyre, por njëkohësisht të kujdesshëm dhe të orientuar nga e ardhmja, për të minimizuar akumulimin e rreziqeve. Në këtë kontekst, roli i politikës monetare do të vijojë të jetë sigurimi i kushteve monetare stimuluese për familjet dhe bizneset shqiptare.

Sipas BSH, deri më tani, ky stimul monetar i injektuar nëpërmjet kalibrit dhe ndërthurjes së kujdesshme të instrumentave konvencionalë, vlersohet të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e inflacionit drejt objektivit. Ky skenar merr në konsideratë përfundimin e shpejtë të pandemisë dhe përcjelljen e qetë e të plotë të stimulit monetar në ekonomi. Megjithatë në rast të materializimit të rreziqeve të kahut të poshtëm, BSH do të marrë në konsideratë një rritje të mëtejshme të stimulit monetar.

Ky stimul do të kordinohet në maksimumin e mundshëm dhe me masa të tjera lehtësuese të politikës fiskale dhe asaj makroprudenciale. Pavarsisht se viti 2021 pritet të shënojë një kthesë përcaktuese pozitive në drejtim të fashitjes së pandemisë dhe rigjallërimit të ekonomisë, mjedisi ekonomik dhe financiar do të mbetet sfidues. Si autoritet monetar dhe mbikqyrës, BSH do të mbështetet tek një monitorim i afërt dhe i vazhdueshëm i zhvillimeve ekonomike dhe financiare, për të adresuar në kohë problematikat që mund të shfaqen.

Në fokus të veçantë në vitin 2021 do të ketë edhe plotësimi i kërkesave të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave” me aktet nënligjore në zbatimin e tij. BSH gjithashtu do të monitorojë në vazhdimësi ecurinë e kredive me probleme dhe në rast rritje të konsiderueshme të tyre, do të marra masat e nevojshme me qëllim adresimin e problemit. Masa të mundshme do të jenë shkurtimi i afatit të fshirjes së kredive të humbura apo zgjatja e afatit të rregullores së ristrukturimit jashtë gjyqësor të kredive të këqia në më shumë se një bankë.

Elida Lazi