Rrethi i Tropojës në skajin më verior të Shqipërisë, ka masivin më të madh të gështenjave në vend me sipërfaqe mbi 2.400 ha dhe origjinë shumë të hershme. Interesi i madh që ka tregu evropian për këtë produkt të familjes arrore, vjen kryesisht si pasojë e cilësisë së lartë. Gështenja e Tropojës kërkohet shumë në Evropë, pasi është e vetmja që përmbush kriteret e cilësisë për eksport në BE. Sektori i arrorëve shihet me potencial të madh për eksport për shkak të fitimit të lartë. Rreth 4500-5000 ton gështenja eksportohen nga Shqipëria çdo vit.

Gështenjat e Tropojës janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat, që rriten dhe kultivohen në zona të tjera të Shqipërisë. Pyjet natyrale, prodhimi bio dhe freskia e Alpeve, ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije, duke i bërë konsumatorët evropianë të kenë një interes të rritje për gështenjat shqiptare.

Për shumë banorë të zonës, grumbullimi dhe shitja e gështenjave është një burim kryesor të ardhurash. Arrin në 120 pemë për ha, sipërfaqja mesatare e mbjellë me gështenja. Vëmendje po i kushtohet zgjerimit të mjelljeve me pemë të reja dhe mbrojtjes nga sëmundjet.

Tropoja ka sot një qendër moderne të grumbullimit të gështenjave, e ngritur me mbështetjen financiare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, që ndërvepron me 3 mijë familje për mbledhjen, depozitimin dhe eksportin e gështenjës në Evropë.

Ardian Çitozi, përfaqësues i kompanisë “Lea sh.p.k”, ka 12 vite që merret me eksportin e gështenjave të Tropojës dhe është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjave në Shqipëri.

Aktivitetin e kam nisur duke ardhur këtu në Tropojë, dhe pas dy viteve punë këtu jam spostuar në Shkodër, ku kam punuar prej 5 vitesh në tregun e qytetit. Më pas kam kaluar tek magazina në Durrës, ku grumbulloja gështenjat nga të gjitha zonat e Shqipërisë dhe më vonë me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ndërtova magazinën e grumbullimit në Tropojë dhe sot punoj me dy magazina të grumbullimit të gështenjës, një në Durrës dhe një në Tropojë“- thotë Çitozi.

Teksa risjell në kujtesë hapat e parë të biznesit të tij, Adriani tregon se gështenjat e kanë intriguar dhe idenë e biznesit j aka propozuar një miku italian, i cili në momentin e parë ishte dyshues për cilësinë e gështenjave shqiptare. Por në fund arriti ta bindte se ia vlente t’i hynin këtij biznesi, pavarësisht vështirësive dhe risqeve.

E nisëm duke eksportuar sasi shumë të vogla dhe tani ja kemi dalë të eksportojmë pjesën më të madhe të gështenjave në Itali. Ndërsa vitet e fundit i kemi zgjeruar eksportet e gështenjës shqiptare, edhe në Slloveni, Serbi, Kosovë e Hungari.”- shprehet Çitozi.

Sipas tij, gështenjën e kërkon më shumë tregu industrial.

Kjo ishte dhe arsyeja, shpjegon ai, që unë të investoja në dy kalibrator, për ta ndarë gështenjën kokërrvogël (eksport për industrinë) dhe gështenjën kokërrmadhe, eksport për konsumatorët e huaj”,shpjegon sipërmarësi Çitozi.

Kompania “Lea sh.p.k” eksporton gështenjën shqiptare me certifikatë bio sipas standardve më të mira. Ndërsa eksportet kapin shifrën e 1800-2000 ton gështenja në sezon, nga rreth 5000 ton që eksportohen në total në Shqipëri.

Sipërmarrësi Adrian Çitozi tregon se me mbështetjen financiare nga AZHBR ka arritur të investojë në ngritjen dhe pajisjen e magazinave me teknologji bashkëkohore, ku kryhet i gjithë procesi i pastrimit dhe paketimit të gështenjave, duke plotësuar kështu të gjithë zinxhirin e prodhimit sipas standardeve më të mira për eksport. Ardiani thotë se kërkesa për gështenjën është e lartë dhe e sheh si një sektor shumë premtues në afatgjatë. Ai sugjeron që, skemat e mbështetjes të qeverisë, duhet të adresojnë financime në mbjelljet e reja me varietete të tjera, përveç atyre autoktone, që kërkon edhe tregu evropian.

Në Shqipëri aktualisht ka shtatë operatorë të mëdhenj dhe tregu pritet të zgjerohet. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2019 janë eksportuar drejt Italisë 100 kamionë me gështenja ose 3500 tonë.

Në Shqipëri gështenja gjendet në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë. Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha.

Brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë eksponenciale numrin ekzistues, duke i dhënë një zhvillimtë ri këtij sektori dhe një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave.

Përgjithësisht sektori i arrorëve (arrat, lajthitë, gështenjat dhe bajamet) shihet si një sektor me potencial të lartë për eksport për shkak të shumë avantazheve klimaterike. Ndërsa rritja e shpejtë e drurëve frutorë dhe nxitja që po i jep qeveria, tregojnë se fermerët shqiptarë kanë inters të shtuar në adoptimin e teknologjive moderne të prodhimit të gështenjës dhe zhvilimin e këtij biznesi familjar.

Etleva Xhajanka