Edhe pse mund të kesh mbaruar shkollën e lartë, mundësia për të gjetur punë në Shqipëri është më e vështirë se sa për një person që ka vetëm arsimin 8 apo 9-vjecar. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se papunësia tek personat që janë me arsim të lartë në fund të tremujorit të tretë vitit 2020 rezulton me një normë papunësie më të lartë.


Për meshkujt arrin 11%, ndërsa për femrat kjo përqindje arrin 13.1%. Papunësia më e lartë rezulton tek ata që janë me arsim të mesëm, që për meshkujt është 13.4% dhe për femrat 14.4%. Për meshkujt me arsim 8-9-vjeçar, norma e papunësisë në fund të tremujorit të tretë 2020 ishte 9.2%, ndërsa për femrat 9.5%. Për meshkujt vihet re një ulje e kësaj norme gjatë kohës së pandemisë, nga 9.4% të regjistruar në tremujorin e tretë 2019. Ndërsa për femrat është rritur ndjeshëm, në krahasim me 7.3%, që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas ekspertëve, kjo dukuri ka lidhje me dy faktorë:

-Së pari, vendi ka si avantazh konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe si rrjedhojë, kompanitë prodhojnë dhe eksportojnë kryesisht produkte me vlerë të shtuar të ulët (si p.sh. fasoni) për të cilat nuk nevojitet fuqi punëtore e kualifikuar.

-Së dyti, personat me arsim 8/9-vjeçar janë më pak të angazhuar në tregun e punës, duke pasur një shkallë të lartë inaktivitetit dhe si rrjedhojë ata nuk konsiderohen të papunë.

Një tjetër faktor që duhet patur parasysh, sipas ekspertëve është se ekonomia e vendit është rrudhur dhe mjaft sektorë janë kufizuar në aktivitetet e tyre dhe sektorët ku veprimtarit prodhuese zhvillohen jashtë në terren, siç është ndërtimi dhe bujqësia, të cilë janë prekur më pak nga pandemia. Dhe një pjesë e mirë e këtyre njerzve me arsim 8-vjeçar punojnë në këto sektorë.

Ndërkohë një tjetër rrethanë që duhet të kihet parasysh është se një pjesë e mirë e kësaj kategorie janë prindër, kryefamiljarë dhe nuk kanë luksin të zgjedhin punën dhe punësohen pikërisht në këta sektorë. Gjithsesi shifrat se qytetarët me arsim 8 apo 9-vjeçar kanë nivel më të ulët papunësie janë të vërteta.

Sipas INSTAT, në rang kombëtar, shkalla e inaktivitetit në vend ishte 41.2% në fund të tremujorit të dytë. Më i lartë ky tregues është për ata që kanë arsim 8 apo 9-vjeçar, me 50%, më pas me arsim të mesëm (37%), ndërsa është shumë më i ulët për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë, ku vetëm 24% e tyre kanë zgjedhur të mos punojnë.

Treguesit të papunësisë ndër të arsimuarit shqiptarë tregojnë se shkolla nuk ka lidhje me tregun e punës.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjve preferojnë të studiojnë “Shkencat sociale, biznes dhe ligj”, teksa nevojat e tregut janë në shërbime, bujqësi dhe fason.

Ajo që vihet re prej vitesh është se sistemi arsimor dhe tregu i punës janë në një rreth vicioz, teksa bizneset akuzojnë qeverinë se nuk po përgjigjet me sisteme arsimore që i vlejnë tregut të punës. Nga ana tjetër mendohet se bizneset shqiptare nuk po zhvillojnë degë të ekonomisë që kërkojnë kualifikim të lartë.

Call-center është sektori ku një pjesë e madhe e studentëve apo të rinjve që mbarojnë shkollën në universitetet, punë sohen.Në një raport të vitit 2020, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016. Mungesa e vendeve të punës me vlerë të shtuar, që kërkojnë angazhimin e profesionistëve dhe paguajnë mirë, vlerësohet si një nga arsyet se pse ka një emigracion të shtuar të njerëzve të aftë. Për periudhën në fjalë, rritja e normës së emigrimit të personave me aftësi të larta në punë është 14.6 pikë përqindje, duke e renditur Shqipërinë pas Liberisë me (27.9) dhe Butanit e Moldavisë me të njëjtën normë me (15.4) pikë përqindje.

Pas Shqipërisë renditet Rumania, me rritje 11.8 pikë përqindje. Sipas raportit, Ballkanit në përgjithësi i kanë ikur intelektualët. Për Bosnjën, rritja është (11.5) pikë përqindje , ndërsa për Maqedoninë e Veriut 10 pikë përqindje.

Ndërkohë Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta, duke e pasur këtë tregues 38.1%. Emigracioni masiv i popullsisë e ka prekur Shqipërinë prej dekadash, ndërkohë që kurba e tij nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante. Duke iu referuar raportit, duket qartë që vendet e Ballkanit janë ndër burimet më të mëdha të migrantëve në Evropë. Të arsimuarit janë ata që kanë prirje për të emigruar më shumë. Zakonisht emigracioni është një fenomen që prek vendet me të ardhura të ulta dhe të gjitha shtresat e popullsisë. Nivelet e emigracionit të personave me arsim të lartë janë pothuajse gjithmon më të larta se nivelet totale të emigracionit.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, shkalla e përgjithshme e emigrimit të individëve me arsim të lartë drejt vendeve me mirëqenie të lartë është 16% ne vitet 2015-2016. Ndërsa tek të arsimuarit me arsim të mesëm është 5%. Megjithatë ka ndryshime të mëdha në të gjitha vendet e origjinës. Sa i përket vendeve me numrin më të lartë të emigrantëve të arsimuar drejt zonës së ku operon organizata, kryeson India me mbi 3 milion emigrantë me nivel të lartë të arsimit, e ndjekur nga Kina me 2 milion dhe Filipine me 1.8 milion.

Ndërkohë nga vet vendet e OECD-së ka një numër të madh të personave të arsimuar që punojnë në vende të tjera. Gati 1.4 milion gjermanë dhe 1.7 milion britanikë me diploma universitare banojnë në vendet e tjera të OECD-së. Shkalla e emigracionit, në mesin e të arsimuarve me nivel të ulët është 5.4% për burrat dhe 5.8% për gratë. Për të arsimuarit e lartë, shkalla e emigrimit të burrave dhe grave është 8.6%.

Shqipëria renditet në mesin e vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore. Ndërkohë që numri i studentëve shqiptarë në vendet e OECD u rrit me 430% në vitin 2016 në raport me vitin 2000.