Në vitin 2004, në Wujiang të provincës Jiangsu të Kinës Lindore, Chai Shanshan, i lodhur nga puna në fabrikë, mori vendim që të kthehej në vendlindjen e vet. I ati i gjeti një punë në Hubei, ku do të punonte si ndihmëskuzhinier. Por, para se të nisej treni, një shok i telefonoi, duke i prezantuar një vend pune në një postë në Shangai, me rrogë 800 juanë në muaj.

Chai Shanshan mori vendim menjëherë që të shkonte në Shangai dhe të punonte si postier.

Në dy vitet e para, punët e tij ishte që t'i mbartte pakot postare nga një vend në një tjetër. Standardi ishte mbi 3 000 pako në ditë dhe kjo ishte tepër e lodhshme. Chai Shanshan thotë: “Pasi shkarkoja të gjitha pakot, nuk rrija dot më këmbë dhe isha shumë i lodhur.”

Një gabim lidhur me vendin e dërgimit të pakove gjobitej me 50 juanë. Chai Shanshan gaboi vetëm një herë, por edhe tani pas 16 vjetësh e mban mend shumë qartë. “Ishte një pako për në Wuxi, por e ngatërrova me Jinan-in. Gjoba vetë nuk ishte ndonjë problem shumë i madh, por gabimi ndikonte në hallkat e zinxhirit të punës.”

Qysh nga ajo ditë, ai i shënonte emrat e qyteteve në një bllok shënimesh dhe i lexonte për t'i mbajtur mend pasi kthehej në shtëpi nga puna.

Ai e shfrytëzonte kohën e lirë për ngritjen e nivelit profesional. Edhe kur bisedonte me punonjësit e vjetër, pyeste shpesh për punën.

“Kur bënim shpërndarjen e pakove, nuk mund të përballoja kërkesat e punës. Prandaj mbaja shënim, duke dëgjuar fjalët e më të vjetërve në punë,” thotë Chai.

Në prill 2011, Chai dhe kolegët e tij u njoftuan të përgatiteshin për një konkurs të përgatitjes profesionale të organizuar nga kompania postare e Shangait. “Kur pamë fletët e materialeve 3-4 cm të trasha, donim të hiqnim dorë. Nuk ishte problemi që të skiconim një hartë hekurudhore ose të citonim teori. Problemi ishte që ato letra ishin të mbushura me emra qytetesh dhe qytezash. Ishte një sfidë vërtet e vështirë,” kujton Chai Shanshan.

Në ato kohë, ai studionte tërë ditën teoritë profesionale dhe bënte karta të veçanta për vetëmësim. Ai shkruante herë pas here dhe shkonte në punë edhe në ditët e pushimit për të mësuar më shumë.

Chai Shanshan nuk kishte qenë në qytetet e shënuara në materiale, por në qendrën e shpërndarjes së pakove ai mbante mend të gjitha emrat e qyteteve dhe mund t’i tregonte shpejt në hartë.

Në fazën e parë të konkursit, Chai Shanshan zuri vendin e 4-të dhe në finale, me përvojën praktike të mbledhur gjatë kohës së punës, ai arriti fitoren e madhe. Kjo ishte një pikë kthese në karrierën dhe jetën e tij.

Qysh nga ajo kohë, Chai e kuptoi më qartë që duhej të vazhdonte të mësonte dhe të përparonte. Shumë shpejt, ai u kualifikua si një punëtor i nivelit të lartë dhe përgjigjej për funksionimin e të gjitha punëve të dërgimit.

Por Chai Shanshan nuk i ndaloi hapat e përparimit. Ai pagoi për studime të mëtejshme dhe çdo javë, ndiqte studimet universitare.

“Kur u ktheva në shkollë, kuptova cilat ishin nevojat e mia dhe nuk bëja mësim pasiv si më parë,” shprehet ai.

Gjatë 16 vjetëve, Chai ka punuar edhe për Festat e Pranverës. Arsyeja në fillim ishte për më fituar më shumë para, por pastaj ai u dha pas kësaj pune.

“Kjo punë nuk mund të bëhet vetëm nga një njeri dhe kërkon bashkërendim në grup. Kështu që çdo njeri këtu është i gatshëm të ndihmojë të tjerët,” thotë Chai.

Me përdorimin e teknologjisë së informacionit, disa punonjës të postës nuk mund të përshtaten me kushtet e reja, prandaj Chai Shanshan ka printuar çdo hap të procesit në celular, duke bërë një manual për të lehtësuar punën e tyre. “Kështu, ata nuk kanë nevojë të punojnë në vend tjetër. Ata janë me moshë të madhe dhe e kanë të vështirë të bëjnë punë fizike. Kur erdha këtu, edhe ata më mësuan mua, dorë më dorë, hap pas hapi,” thotë Chai.

Në Festën e Blerjeve, 11 Nëntor të vitit 2017, posta ku punon Chai Shanshan mori vendim që të bëhet një pikë me shërbime komplekse. Chai ndërmori nismën për të formuar një ekip pilot të përbërë nga mbi 20 të rinj, duke përballuar me sukses stresin e madh të punës dhe duke sfiduar pikun vjetor të vëllimit të pakove postare.

Vjet Chai Shanshan u vlerësua si punëtor shembullor kombëtar. Ai thotë: “Në krahasim me shkencëtarët që bëjnë kërkime në mikroçipa dhe prodhojnë aeroplanë, puna ime është shumë e thjeshtë. Kjo është çfarë duhet të bëj, por gjatë punës, unë shpresoj që ta bëj edhe më mirë dhe të jap ndihmë për të tjerët brenda mundësive, sepse kur sapo fillova, mora ndihmë nga shumë njerëz. Tani që kam mundësi për t'ua shpërblyer, do të ndihmoj edhe unë.”

Chai Shanshan dhe e shoqja kanë në plan të blejnë një apartament në Shangai dhe të jetojnë të lumtur në këtë qytet. (Jiang Lei)