Banka e Shqipërisë ka pritshmëri optimiste, për një përmirësim gradual në rritje të ekonomisë shqiptare në vitin 2021. Me normalizimin e situatës epidemiologjike në Shqipëri dhe shtetet partnere tregtare, Banka e Shqipërisë, vlerëson se ekonomia shqiptare i ka premisat e nevojshme ekonomike dhe financiare për rimëkëmbjen e shpejtë të aktivitetit ekonomik.

Sipas BSH-së, rimëkëmbja edhe pse është në rritje, vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të arrijë nivelin e shënuar para krizës, vetëm në vitin 2022.

Kjo sepse rreziqet potenciale për rritjen ekonomike vazhdojnë ende të jenë të pranishme nga situata që ka krijuar pandemia. Ndaj dhe Banka Qendrore sugjeron që politikat ekonomike duhet të vijojnë të jenë të kujdeshme për ruajtjen e balancës së drejtë, midis nevojës për të ofruar, stimulin makroekonomik, stabilitetin monetar dhe financiar.

Viti 2020 ishte një vit i vështirë për ekonominë shqiptare. 2020 do të mbahet mend si viti i pandemisë globale, i mbylljes së detyruar të ekonomisë, kufijve dhe distancimit social. Faktorë të cilat e çuan ekonominë shqiptare në recesion dhe testuan qendrueshmërinë fondamentale të saj, krahas rezistencës që tregoi ekonomia shqiptare.

Në planin makro, PBB u tkurr, papunësia u rrit, deficit fiskal dhe borxhi publik shënuan rritje. Ndërsa në planin mikro, familjet dhe kompanitë shqiptare u ballafaquan me rënie të të ardhurave dhe vështirësi financiare.

Goditja që pësuam ishte jo vetëm e rëndë, por edhe komplekse. Rënia e kërkesës dhe ofertës, solli reduktim të fortë e të menjëhershëm të aktivitetit ekonomik dhe të papunësisë, gjeneroi probleme likuiditeti dhe vështirësi finaciare për bizneset dhe familjet, si dhe rriti pasigurinë e agjentëve ekonomik.

Ekonomia shqiptare ra me 6.6% në gjysmën e parë të vitit. Ndërsa kompleksimi i sistuatës kërkoi adresimin e të gjithë institucioneve gjithëpërfshirëse.

Në këto kushte, politika fiskale mori rol kryesor për t’i ofruar mbështetje të drejtëpërdrejtë kërkesës agregate, duke amortizuar rënien e të ardhurave në sektorin privat, duke e mbështetur atë me likujditet nëpërmjet shtyrjes së pagesave të taksave dhe ofrimin e garancisë sovrane për kredi.

Nga ana e saj Banka e Shqipërisë rriti stimulin monetar dhe ndërmori masa rregullatore, që synonin ruajtjen e një fluksi të pandërprerë të kreditimit dhe të shërbimeve financiare dhe ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar.

Falë këtyre masave Shqipëria arriti të ruajë një ambjet ekonomik të qendrueshëm dhe stabilitet makroekonomik, ku inflacioni dhe kursi i këmbimit shënuan luhatje të lehta dhe tregjet financiare vijuan normalisht aktivitetin e tyre. Kredia për sektorin privat vijoj ritmet e rritjes, duke stimuluar konsumin dhe ekonominë.

Statistikat në tremujorin e tretë dëshmuan rikuperim të aktivitetit ekonomik dhe afektimi negative zbriti nga -10,2% në 3 mujorin e dytë në -3.5% në tremujorin e tretë të 2020.

Tendenca në rritje e treguesve dhe lajmet pozitive për shpërndarjen e vaksinës e shtyjnë Bankën e Shqipërisë ta shohë 2021 me optimizëm për ekonominë shqiptare.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se normat e ulëta dhe likuiditeti i bollshëm rritën kreditimin e ekonomisë me 6.7%, në fund të viti 2020, duke i shërbyer vijueshmërisë së investimeve dhe nevojave në rritje të ekonomisë për kapital qarkullues. Sistemi bankar ndihmoi për shlyerjen për një periudhë 6 mujore të pagesave të kësteve të kredisë për biznesin dhe familjet në vështirësi. Në total mbi 40% e portofolit të kredisë afro 2 miliardë euro, përfitoi nga shtyrja e përkohëshme e pagesës së kësteve të kredisë dhe mbi 25 mijë biznese familje shqiptare, përfituan ristrukturim të kredisë.

Me përfundimin e pandemisë situata do të shkojë drejt normalizimit të lëvizjes së mallrave, kapitaleve, njerëzve dhe shërbimeve.

Ekonomia shqiptare u shfaq rezistente ndaj goditjes së pandemisë. Megjithëse ajo solli humbje të ndjeshme në disa drejtime, stabiliteti i përgjithshëm ekonomik dhe financiar i vendit nuk u prek. Ndërkohë që në prespektivën afatmesme dhe afatgjatë ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet në një trend pozitiv zhvillimi.

BSH gjykon se, rritja ekonomike do të ndihmojë përmirësimin e të gjithë treguesve ekonomik, konkretisht rritjen e punësimit dhe të ardhurave në sektorin publik dhe privat.

Ndërkohë që faktor i rëndësishëm është edhe rënia e kredisë me probleme në nivelin 8.2% në fund të muajit nëntor 2020.

Etleva Xhajanka