Në një raport të fundit të Bankës së Shqipërisë thuhet se tremujori i katërt i vitit të kaluar ka shënuar një përmirësim të besimit të bizneseve në ekonominë shqiptare. Sipas raportit, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 6 pikë në krahasim me tremujorin e tretë, duke arritur në 81.1%. Ky tregues, sërish mbetet shumë poshtë mesatares historike, me gjithë përmirsimin e shënuar, kjo si pasojë e bllokimit të ekonomisë gjatë periudhës tremujore Mars-Maj për shkak të pandemisë Covid-19.

Sektorët e tregtisë dhe industrisë rezultuan pa një përmirësim në treguesin e ndjesisë ekonomike. Kjo kryesisht për shkak të rritjes së prodhimit si dhe kontratave porositëse. Ndërkohë sektori i shërbimeve, i cili ishte një ndër më të goditurit e krizës ka parë përmirsim si rrjedhojë e ecurisë së bizneseve e kërkesës, teksa janë më optimistë edhe për tremujorin e ardhshëm mbi ecurinë e punësimit si dhe shfrytëzimit të kapaciteteve. Sektori i ndërtimit, i cili nuk e ka ndalur punën as gjatë karantinës, pa një rënie të lehtë të besimit në ekonomi në periudhën Tetor-Dhjetor, edhe pse pati një përmirsim gjatë tremujorit të tretë.

Ndërkohë bësimi i konsumatorëve ka vijuar të ketë rënie edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar me dy pikë përqindje kundrejt tremujorit të mëparshëm. Kjo pasi qytetarët ndryshe nga biznesi vazhdojnë të pasqyrojnë një pasiguri të madhe për gjendjen e tyre ekonomike. Kjo është ndikuar kryesisht nga rënia e blerjeve të mëdha si ato për banesa, makina apo mallra të tjera që nuk lidhen me produktet e domosdoshme për jetesën, teksa shprehen pesimistë edhe për pjesën e parë të vitit 2021.

Kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe kufizimet për të frenuar përhapjen e saj kanë ndikuar negativisht në aktivitetin e bizneseve, sidomos atyre të vogla, duke çuar në mbylljen e tyre. Të dhënat nga Drejtoria e Tatimeve të publikuara në faqen e saj, tregojnë se, që nga 1 maji deri në 31 dhjetor, subjektet që kanë kaluar në status pasiv janë rritur me 38% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithsej janë rreth 6,600 subjekte që rezultojnë të shtuara në listën e subjekteve pasive në periudhën në fjalë, nga rreth 4800 për maj-dhjetor 2019. Më të goditura mbeten rajonet që mbështeten tek turizmi. Të dhënat, sipas drejtorive rajonale tatimore, të përpunuara nga “Revista Monitor”, tregojnë se rajonet që e kanë të bazuar aktivitetin te turizmi kanë dhe rritjen më të lartë të mbylljeve të bizneseve për periudhën janar-dhjetor 2020, në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, kur dhe turizmi arriti në kulmin e vet.

Në Vlorë, bizneset e kaluara në status pasiv për periudhën në shqyrtim janë 107% më të larta se një vit më parë. Në Sarandë, mbylljet janë rritur me gati 60%, në Shkodër me 64%, në Korçë me 56%. Në Kukës, ku përfshihet dhe Tropoja, që vitet e fundit ka zhvilluar turizmin malor, pezullimet e subjekteve janë rritur me 74%. Më i favorizuar ka qenë Durrësi, ku bizneset për shkak të afërsisë me Tiranën dhe fluksit të lartë të shtetasve nga Kosova në shtator-tetor duket se kanë arritur të rezistojnë disi. Mbylljet e subjekteve, sipas Drejtorisë tatimore Rajonale Durrës janë rritur me 16% me bazë vjetore, në maj-dhjetor 2020.Krizës nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti, ku veprojnë rreth 40% e subjekteve të regjistruara në vend.

Numri i bizneseve të kaluara në status pasiv në Tiranë është rritur me 35% për periudhën në shqyrtim. Të dhënat e tatimeve tregojnë se në të gjitha rajonet, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me ritme dyshifrore, me përjashtim të Lezhës (+7.6%) dhe Dibrës, që është e vetmja ku numri i subjekteve të mbyllura është më i ulët se në 2019-n (-10.4%).

Në rritjen e numrit të të papunëve në vend ka ndikuar edhe nga mbyllja e bizneseve. Të dhënat nga INSTAT, që u referohen të dhënave administrative tregojnë se, numri i të punësuarve ka rënë me gati 30 mijë persona gjatë 9 muajve të 2020-s, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Nga numri total prej 29 mijë e 600 personash, që kanë humbur punën gjatë një viti, mbi 10 mijë i takojnë sektorit privat, 17 mijë sektorit bujqësor dhe 1600 persona, sektorit shtetëror. Në 6-mujorin e parë, sipas të dhënave administrative, por dhe atyre nga Anketa, dolën të papunë rreth 50 mijë persona, si rrjedhojë e karantinës së ashpër, që detyroi mbylljen e qindra bizneseve dhe goditjes që eksportuesit morën nga rënia e porosive nga partnerët e tyre jashtë.

Ndërsa në 3-mujorin e tretë, të dhënat administrative tregojnë një rimëkëmbje të dobët, ku 30 mijë persona ende janë jashtë tregut të punës. Në rajonet ku mbylljet e bizneseve kanë qenë më të lartë, ndikimi në shtimin e papunësisë ka qenë edhe më i lartë. Qarqet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës panë rritjen më të lartë vjetore të papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare që referohen nga Anketa e Forcave të Punës. Në ana tjetër Dibra dhe Gjirokastra shënuan rënie të normës së papunësisë në raport me një vit më parë përkatësisht me 3 dhe 1.9 pikë për qind.

Më shumë se sa përmirësimi i tregut të punës në këto qarqe ka ndikuar tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë në Dibër dhe plakjes së popullsisë në Gjirokastër.

Më tej normat e papunësisë në tremujorin e tretë shënuan rënie vjetore edhe në qarkun e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Kukësit. Ndërkohë qeveria vazhdon të prezantojë programet e nxitjes së punësimit , dhe fton cdo biznes të interesuar të aplikojë përmes portalit e-albania për të qenë përfitues i këtyre programeve. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se përmes programeve të punësimit qeveria subvencionon kostot mujore të sigurimeve të detyrueshme në masën 100%, të llogaritura mbi pagën minimale 30 mijë lekë.

Aplikimi për regjistrim në programet e nxitjes së punësimit është një shërbim elektronik i cili u mundëson subjekteve të aplikojnë online për t’u regjistruar në programet e nxitjes së punësimit. Tipologjitë e programeve të nxitjes së punësimit që mund të aplikohet janë: aplikim për programet e nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e Covid-19 – Aplikim për programet e nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale. Periudha e vlefshmërisë për të aplikuar është pa afat ndërsa kosto është zero.

Elida Lazi