Pikë e re agroturizmi në Bogë/ Me mbështetjen e AZHBR-së, Gëzim Olaj zgjeron sipërmarrjen

Gëzim Olaj në Bogë, në skajin më verior të Shqipërisë, ka investuar në ngritjen e një pike të re agroturizmi mes natyrës së mrekullueshme që mahnit këdo që shkel në ato anë.

Kulla dhe Buni i Bajraktarit në Qafë Thore janë një sipërmarrje e guximshme e njerëzve si Gëzimi dhe një shembull model, që qeveria po mbështetet në çdo kohë dhe krahinë të Shqipërisë, për nxitjen e agroturizmit, si forma më e mire për zhvillimin e fermave dhe sigurimin e të ardhurave veçanërisht për familjet që jetojnë në zonat e thella rurale.

Bujtina Buni i Bajraktarit është si një perlë e vendosur në zemër të Bjeshkeve të Nëmuna, që po ngjall gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve dhe turistëve për t’u vizituar në çdo stinë të vitit.

Gjatë qendrimit tek Buni i Bajraktarit në mes të qetësisë, ajrit të pastër dhe peizazhit madhështor të luginave dhe maleve, ferma e Gëzimit është padyshim një burim i rëndësishëm për tryezat e kësaj bujtime, që ofron kulinari tradicionale dhe bio me prodhime blegtorale të zonës, mjaft të kërkura nga vizitorët.

Gëzimi na tregon se se këtë vit përfitoi mbështetje financiare nga fondet e Skemës Kombëtare për blegtorinë dhe kjo i dha mundësi të shtojë numrin e krerëve.

Gëzim Olaj shprehet se “ka 25 vite që jeton në Londër me familjen, por prej 8 vitesh është kthyer në Shqipëri për një periudhë 3 deri në 6-mujore për të zhvilluar agroturizmin në zonën e Bogës, në Qafë Thore, në kufi me Thethin”.

“Ka dy vjet që kemi krijuar një fermë me dhi autoktone. Po mundohemi të krijojmë cikël të mbyllur agroturizmi, që çdo gjë ta marrim nga ferma të jetë bio. Edhe pse është pandemi alpet po frekuentohen. Është një vend shumë i bukur, natyrë e jashtëzakonshme”, tha ai.

Gëzimi u shpreh se “për blegtorinë dhe fermën ka një projekt të madh”. “Kam një projekt për baxhon, për dhomën e tharjes së mishit, për një thertore. Kam projekt për një stallë lopësh, një stallë derrash dhe një stallë kuajsh, që do t’i përdorim në shërbim të agroturizmit. Për momentin kemi rreth 500 krerë dhi, bashkë me kecat. Kemi fituar një subvencionim me 12 mijë lekë të vjetra për kokë për 300 dhi dhe shpresoj që në të ardhmen të aplikoj për ndihmë edhe më të madhe financiare grant nga program IPARD përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, për ndërtimin e strukturave të tjera të fermës”, tha ai.

Gëzimi po përgatitet për të aplikuar në thirrjen e tretë të programit IPARD II, që është hapur në 15 dhjetor 2020 dhe mbyllet në 10 janar 2021.

“Do të aplikojë për të kërkuar mbështetje për ndërtimin e një fabrike të përpunimi të qumështit dhe mishit”- thotë Gëzimi i apasionuar për të zgjeruar investimet në fermën e tij, nxitur edhe nga mbështetja që ka marrë nga shteti.

Zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri është sot një realitet falë politikave mbështetëse me fonde dhe lehtësi të veçanta fiskale.

Agroturizëm/ 50 aplikime investimesh në pritje për të lidhur kontratat me IPARD II

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se janë 50 aplikime investimi të përzgjedhura, në kuadër të programit IPARD II, dhe pritet të lidhen kontratat për financimin grant nga ky program.

Investimet për sektorin e agroturizmit kanë pasur një interes përtej pritshmërive, ndaj ky sektor do të ketë vëmendje të shtuar në Programin IPARD III që po përgatitet për tu hapur vitin që vjen.

Deri tani përmes programit IPARD II për masën “Diversifikimi i fermave në agroturizëm” janë lidhur 14 kontrata financimi dhe investimet përkatëse për këto projekte janë duke u kryer.

Investimet në agroturizëm përfitojnë 50% financim. Mbështetja me grante e një investimi ka impakt në formalizimin e sektorit dhe zhvillimin e tij.

Agroturizmi është kthyer në një motor zhvillimi ekonomik për zona shumë të thella bujqësore dhe blegtorale dhe politikat nxitëse janë të orientuara sipas kërkesës dhe nevojës së sipërmarrësve ruralë. Të dy programet që ka implementuar qeveria IPARD dhe Programi i Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2020, mbështesin me financime diversifikimin e ekonomisë të zonave rurale.

Masa 7 e Programit IPARD ka pasur si objektiv mbështetjen e investimeve në zonat rurale, me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e bizneseve që sjellin mundësi punësimi dhe përfshirje sociale. Nga thirrja e parë, kërkesa për fond është 9,3 milionë euro, çka tregon ndërgjegjësim të grupeve të interesit dhe kërkesën e lartë në investime që nxisin diversifikimin e zhvillimit të veprimtarive rurale dhe fermave shqiptare.

Duke parë trendin në rritje të turizmit në përgjithësi dhe kërkesat e posaçme të turistëve të huaj për aktivitete agroturistike ku turisti takohet me fermën, fermerin, bujtësin, eksploron shijen, mikpritjen, traditën dhe bukën e tokës shqiptare, fermerët dhe sipërmarrësit shqiptarë, ekspertët po kuptojnë potencialin që ka ky sektor për diversifikimin e aktiviteteve të biznesit, rrjedhimisht edhe për rritjen e të ardhurave.

Këtë mundësi të re financimi janë duke e shfrytëzuar shumë mirë fermat shqiptare, të cilat agroturizmin po e zhvillojnë si një veprimtari plotësuese të aktivitetit bujqësor. Kjo shikohet nga interesi që ata kanë, duke kërkuar të investojnë në disa aktivitete (ofrim ushqimi, akomodim, aktivitete sportive, ekoturizëm etj.).

Deri tani, përvoja ka treguar se ndërthurja e këtyre aktiviteteve me bujqësinë është një element kyç për sukses në investimet në agroturizëm.

Sipas AZHBR-së, deri tani janë mbështetur me grante konkretisht 14 investime në Agroturizëm dhe 4 Bujtina me vlerë financimi në total rreth 80 milionë lekë.

AZHBR, sot përveçse një institucion zbatues i politikave po luan një rol nxitës për komunitetin, duke udhëhequr fermerët dhe sipërmarrësit ruralë drejt shembujve të suksesit në këtë sipërmarrje fitimprurëse.

Etleva Xhajanka