Rritja e pagës minimale dhe maksimale, bërja e tatim fitimit zero për subjektet me qarkullim deri në 14 milionë lekë, rritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla deri te heqja e TVSH-së për profesionet e lira, janë ndryshimet e ligjore që hynë në fuqi nga 1 janari 2021.Nga këto ndryshime përfiton kryesisht biznesi i vogël dhe profesionet e lira, ndërsa të punësuarit, ata me paga të larta dhe të dypunësuarit do të paguajnë më shumë taksa nga paga, për shkak të rritjes së pagës minimale, ndërsa për të dypunësuarit, tatimi mbi të ardhurat do t’u llogaritet si një pagë e vetme.

Barra fiskale për të punësuarit vijon të mbetet e lartë. Individët me paga mbi 150 mijë lekë paguajnë deri në 23% tatim fitim, teksa rritja e pagës maksimale u shton atyre sigurimet. Edhe të dypunësuarit, pavarësisht nga niveli i pagës deri në prill të 2021 do të duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave dhe të paguajnë tatimin shtesë, sipas një vendimi që hyri në fuqi në 1 janar të 2020-s,dhe përcaktonte se “individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës”. Ndërkohë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në muajin dhjetor u miratua rritja e pagës minimale, e cila shkon në 30 000 lekë, ajo është e detyrueshme të zbatohet nga cdo person vendas ose i huaj.

Sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat janë 9 mijë subjekte me xhiro deri në 14 milion lekë, që përfitojnë nga heqja e tatim fitimit. Deri tani, bizneset me qarkullim vjetor nga 0 në 5 milionë lekë kanë paguar zero tatimfitim, ndërsa bizneset nga 5 në 14 milionë lekë kanë tatim të thjeshtuar prej 5%. Ndërkohë kontabilistët, audituesit, noterët, avokatët, vlerësuesit e pasurive dhe të gjithë profesionet e tjera të lira nga 1 janari, nuk do të paguajnë më TVSH-në nga zero, por mbi qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekësh, ashtu si gjithë bizneset e tjera.

Fermerët janë një tjetër kategori që përfitojnë nga ndryshimet fiskale për 2021. Nga 1 janari fermerët, në skemën e kompensimit, do paguajnë TVSh-në për qarkullim vjetor mbi 10 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që ishte kufiri minimal deri tani.

Krahas rritjes së pragut të TVSH-së nga 2 në 10 milionë lekë për gjithë bizneset e vogla në vend, vendimi ka shfuqizuar pikën 3 të nenit 11 në të cilin thuhej se prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë e kishin kufirin minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar 5 milionë lekë në vit. Sipas ekspertëve të sektorit bujqësor, vendimi është pozitiv, lehtëson fermerët dhe pritet të eliminojë NIPT-et e dubluara brenda familjes, pasi një pjesë e mirë e fermerëve kanë nxjerrë 2 deri 3 NIPT-e brenda familjes për të shmangur detyrimet.

Ndërkohë dryshimet në ligjin “Për TVSH-në” parashikojnë uljen e TVSH-së nga 20% në 6% në investimet infrastrukturore sportive, si pjesë e paketës së mbështetjes së sportit. Ky ndryshim parashikon aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, prej 6% për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive, për infrastrukturën sportive. Infrastruktura sportive rregullohet nga dispozitat e ligjit nr.79/2017, “Për sportin”. Furnizuesit e punimeve të ndërtimit, do të llogarisin TVSH–në në shitje prej 6% për qind për punimet e ndërtimit për infrastrukturën sportive, por do të zbresin të plotë TVSH-në e paguar prej 20% për blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të këtyre punimeve.

Sa i përket fiskalizimit, nga data 1 Janar 202, tashmë faturat që lëshohen për Entet Publike/Shtetërore janë Fatura Elektronike, të cilat do të shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave. Ky është hapi i parë i fillimit të zbatimit të fiskalizimit, bazuar në ligjin Nr. 87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”,që do të ndryshojë tërësisht mënyrën se si bizneset faturojnë dhe raportojnë tek tatimet.

Ndërsa, për faturat që do të lëshohen ndërmjet tatimpaguesve, këto fatura duhet që të jenë Fatura Elektronike dhe shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave duke filluar nga data 1 Korrik 2021 për tansaksionet pa para në dorë dhe nga 1 shtatori, sistemi do të fillojë të zbatohet për të gjitha bizneset në vend, pavarësisht pergjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

Nga 1 janari 2021, pragu i regjistrimit në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) është rritur në 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që ishte deri në fund të 2020-s.Tatimet sqarojnë se nga 1 janari në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

Sipas tatimeve, të gjithë personat e tatueshëm, të cilët deri në 3.12.2020 kanë pasur mallra stok (inventar) të pa-shitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme, këto mallra do të konsiderohen si furnizim kundrejt pagesës dhe personi i tatueshëm është i detyruar të llogarisë ose rregullojë TVSH-në për këtë furnizim.Personi i tatueshëm është përgjegjës për të përmbushur çdo përgjegjësi për TVSH-në që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që çregjistrohet nga TVSH-ja, sipas informacionit të tatimeve.

Elida Lazi