Gjatë vitit 2019-2020 investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike llogariten 65 milionë dollar, shkruan ATSH.

Investimet, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë një konference për shtyp, kanë synuar rritjen e cilësisë së transmetimit dhe shpërndarjes, sigurisë energjetike në vend dhe kanë rritur cilësinë e shërbimit për familjet.

Investimet sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfshinë ndërtimin e nënstacionit të Kombinatit dhe të 10 fiderave 20kv, rikonstruksionin e tre nënstacioneve, Farkës, Unzës së Autotraktorëve dhe të Kasharit, rikonstruksionin dhe fuqizimin e nënstacionit të Kasharit 110/20kv.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe u krye ndërtimi i 5 fidreave 20kv dhe kabinave të reja, instalimi i 3500 matësave smart në Kashar dhe Vorë dhe rikonstruksioni i 400 kabinave.

Edhe bashkia e Durrësit ka përfituar investime në rrjetin e shpërndarjes. Sipas MIE-s, në Durrës u investua në ndërtimin e nënstacionit të Gjirit të Lalzit, ndërtimin e 4 fiderave 20kv në zonën e Gjirit të Lalzit dhe në Ishëm, u investua për ndërtimin e 42 kilometrave linjë të tensionit të mesëm dhe 35 kabinave të reja në zonën e Durrësit.

Në Fier, bën të ditur MIE, u investua për ndërtimin e 5 fiderave 20kv, rikonstruksionin e nënstacionit të Pojanit dhe të Hoxharës që janë edhe dy nga sitet ku MIE ka zhvilluar parqet fotovoltaike, rikonstruksionin e linjës 35 kilovolt të TEC-it Fier-Hoxharë, rikonstruksioni i nënstacionit të Karavastasë, duke qenë se ky nënstacionin është mjaft i rëndësishëm për shkak të fillimit të punimeve atje për ndërtimin e parkut më të madh fotovoltaik, 140 megavat, që do të ndërtohet tashmë nga Voltalia, një nga kompanitë më të mëdha të energjisë në Francë.

Gjithashtu MIE thotë se ka investuar në Shkodër për ndërtimin e linjës 35kv të tensionit të lartë nga Bushati në Velipojë, ndërtimin e rrjetit 20kv në Velipojë dhe Baçallëk. Në Pogradec u investua për ndërtimin e 6 fiderave 20kv, 65 kabinave dhe 80 kilometra rrjet kabllor i tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët.

MIE investoi edhe për zhvillimin e rrjetit të tensionit të ulët dhe kabinat në zonat periferike dhe fshatrat e Tiranës, Fierit, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës, Beratit, Burrelit, Kukësit dhe Gjirokastrës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se për vitin e ardhshëm janë në proces tenderimi 35 milionë dollarë për rikonstruksionin e fiderit A8 dhe 42 kabina në Tiranë, rikonfigurimin e rrjetit 20kv në zonat e Zogut të Zi, nënstacionin e Qendrës dhe Rajonal, rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të mesëm dhe të ulët dhe kabinave të fiderit F32 në Kashar, kthimi nga 6 kilovat në 20 kilovat të fiderit 101 të nënsatcionit të Mzezit.

Gjithashtu ka nisur procesi i garimit për ndërtimin e rrjetit të tensionit të mesëm dhe kabinave të tensionit të ulët me abc në nënstacionin e Gjirit të Lalzit, rehabilitimin e tensionit të ulët me abc dhe 5 fidera në Fier.

Në Vlorë do të investohet për rikonstruksionin e kabinave si dhe rrjetit të tensionit të ulët me abc në jug, në zonën e bregdetit si një zonë ku sipas MIE-s janë përqendruar të gjitha fuqitë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore e asaj energjetike.

Në Dibër do të investohet për rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të ulët me kabull abc. Në Berat do të investohet për ndërtimin e kabinave të reja dhe shtrimin e linjës të tensionit të ulët me kabull abc. Ndërsa në Elbasan për ndërtimin e kabinave të reja dhe rrjetin e tensionit të ulët në fiderat 3,4 dhe 6 në nënstacionin e Gramshit.

Etleva Xhajanka