Për vitin 2020, investimet e huaja direkte kanë shënuar një rënie për shumicën e sektorëve që kanë dominuar vitet e fundit. Duke iu referuar të dhënave të fundit të BSH, vihet re se rënia është më e theksuar te industria nxjerrëse, ndërsa paraqitet më e kufizuar te energjitika dhe tek shërbimet bankare e financiare. Në tre mujorin e tretë, investimet në industrinë nxjerrëse ishib vetëm 26 milion euro, në rënie me 62% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa i përket bilancit 9-mujor , edhe ai paraqitet negativë, me një rënie të investimeve totale me 42%. Investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse lidhen me aktivitetin e kompanive të nxjerrjes së naftës bruto. Ky ka qenë edhe sektori që këtë vit ka vuajtur pasojat e rënies së çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, duke bërë që të ngadalësohen dhe investimet e reja. Ndërkohë sektori i energjisë dominoi investimet e huaja edhe për tremujorin e tretë me një shumë totale prej 68 milion eurosh, në rrritje me tre million euro krahësuar me tremujorin e tretë të 2019.

Sa i përket bilancit vjetor, ai është negativ, me investime totale në vlerë ne vlerën e 229 milionë eurove, 14% më pak krahasuar me 9- mujorin e 2019. Një nga burimet kryesore të investimeve të huaja vazhdon të mbetet sektori financiar, edhe në tremujorin e tretë, i cili solli 28 milionë euro investime, 18% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019. Investimet në këtë sektorë për 9-mujorin kishin vlerën e 88 milion eurove, në rënie të lehtë me 3.3% krahasuar me një vit më parë. Investimet në sektorin financiar lidhen sidomos me sektorin bankar dhe rritjen periodike të kapitaleve të injektuara nga investitorët e huaj, në funksion të rritjes së institucioneve financiare, por edhe të kërkesave rregullatore për kapital.

Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, këtë vit kanë pezulluar shpërndarjen e dividendëve dhe një pjesë e fitimeve të akumuluara mund të jenë kapitalizuar nga kompanitë e këtyre sektorëve.

Rritje për këtë vit mes sektorëve të tjerë ka regjistruar edhe industria përpunuese, ku investimet e reja arritën në 41 milionë euro, nga 33 milionë euro për 9-mujorin 2019. Investimeve në sektorin e telekomunikacioneve, që janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë dhe kanë prekur shumën e 36 milionë eurove. Rënia e fitimeve në tregjet e komunikimeve të lëvizshme në vitet e fundit I kishte ulur ndjeshëm investimet në këtë sektor. Gjatë vitit 2020 ka patur një gjallërim të lehtë, por sërish ky sektor nuk renditet më mes degëve me peshë shumë të madhe në investimet e huaja.

Në rritje paraqiten investimet edhe në degët e shërbimeve të lidhura me aktivitetet profesionale, teknike dhe shërbimet mbështetëse, që përgjithësisht mbizotërohen nga shërbimet e llojit call center.

Në rënie të ndjeshme për 9-mujorin 2020 paraqiten investimet në ndërtim dhe sektorin e pasurive të paluajtshme, çka duket në kontrast me ecurinë mjaft dinamike të këtyre sektorëve ekonomikë edhe në kushtet e krizës. Megjithatë, këta sektorë në përgjithësi dominohen nga investitorët vendas.

Për 9-mujorin 2020, Shqipëria thithi në total 691 milionë euro investime të huaja, në rënie me 13.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe për këtë vit, Holanda është investitori më i madh i huaj në Shqipëri. Për 9-mujorin e 2020, investimet në holandeze arritën vlerën e 184 milion eurove, vlerë kjo që përbën rreth 27% të fluksit total të investimeve të huaja gjatë periudhës. Gjithsesi vlera e investimeve holandeze ka rënë me 7.5% krahësuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Investimet holandeze në Shqipëri lidhen në pjesën më të madhe me kompaninë Statkraft Markets BV, pronare e shoqërisë Devoll Hydropower. Megjithse kompania mëmë Statkraf është norvegjeze, kontrolli i Devoll Hydropower bëhet përmes një shoqërie të regjistruar në Hollandë. Për këtë arsye, zyrtarisht investimet e kësaj ndërmarrje në Shqipëri njihen si holandeze.

Investitori i dytë më i madh dhe këtë vit është Zvicra, me 164 milion euro ose 8.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuria e investimeve zvicerane përgjithësisht ka qenë e lidhur me investimin e gazsjellësit TAP, shoqëri shumëkombëshe por e regjistruar në Zvicër.

Ashtu si Hollanda edhe Zvicra janë nga vendet e preferuara ne Evropë për të regjistruar kompani offshore ndaj edhe biznese të tjera në Shqipëri kontrollohen përmes kompanive të regjistruara në këto vende.

Investitori i tretë më i madh, me një fluks total prej 77 milionë eurosh gjatë 9 muajve të këtij viti është Italia. Investimet italiane kanë rënë me gati 20 milion euro ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Investimet italiane janë kryesisht të përqendruara në degët e shërbimeve, përfshi banka, kompani call center, etj.

Ndërkohë investimet turke janë paraqitur në rritje, të cilët për nëntë muaj kishin vlerën e 69 milion euro ose 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërmarrjet më të rëndësishme në Shqipëri janë grupi Calik, BKT, kompania e ndërtimit Limak dhe ajo e energjitikes Ayen Enerji.

Një rritje të lehtë të investimeve këtë vit kanë shënuar dhe edhe investimet austriake, që arritën vlerën e 39 milion euro tre million euro më shumë krahasuar me një vit më parë. Tregu i sigurimeve është ai ku investimet austriake janë të përqëndruara në Shqipëri, siç janë Uniqa dhe Viena Insurance Group dhe në sektorin e ndërtimit, me kompaninë Strabag.

Për 9-mujorin e 2020, Franca regjistroi një fluks total investimesh prej 29 milion euro, në rënie me 34% krahasuar me një vit më parë. Aktivitetet më të rëndësishme me capital francez në vendin tonë janë kompania e prodhimit të dokumentave të identifikimit ALEAT, dhe miniera e bitumit në Selenicë.

Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT, më shumë se gjysma e ndërmarrjeve të huaja që operojnë në Shqipëri i përkasin dy vendeve fqinje, Italisë dhe Greqisë. Ndërmarrjet me pronësi të huaj por edhe të përbashkët që operojnë në Shqipëri nga Italia dhe Greqia janë 53.4%. Këto ndërmarrje sigirojnë gjithashtu edhe 60.9 % të punësimit që kryejnë ndërmarrjet e huaja në Shqipëri. Kompanitë italiane dhe ato greke zënë gjithashtu edhe 53.5% të eksporteve dhe 49.2% të importeve të kryera nga kompanitë e huaja në Shqipëri.

Elida Lazi