Banka e Shqipërisë dhe institucionet financiare në Shqipëri, të asistuara nga donatorët, janë të angazhuar për të reduktuar qarkullimin e parasë cash, si një nga elementët e rëndësishëm me impakt në rritjen ekonomike të vendit.

Në vendet e zhvilluara, por edhe në rajonin tonë, teknologjia po krijon një revolucion në fushën e pagesave, duke nxitur gjithnjë e më shumë transaksionet me karta krediti, pagesa nga telefoni etj. Bankat po priren të reduktojnë shërbimet e pagesave në sportele dhe qeveritë po nxisin politika që reduktojnë pagesat cash.

Së fundi u miratua në Kuvendin e Shqipërisë, një projektligj që synon të përmirësojë shërbimet e pagesave. Shqipëria ka ende një nivel relativisht të lartë të përdorimit të parasë cash në ekonomi dhe kjo reflektohet edhe në përqindjen e ulët të popullsisë mbi 15 vjeç, që ka llogari bankare (vetëm 40% niveli më i ulët në Evropë).

Masat e marra për uljen e parasë cash lidhen kryesisht me përmirësime ligjore, të cilat në vijim, do të pasohen nga zhvillime infrastrukturore dhe nga kultivimi i kulturës financiare të popullsisë. Këto përmirësime kanë për qëllim të akomodojnë risitë teknologjike në fushën e pagesave, të rrisin efikasitetin nëpërmjet nxitjes së konkurrencës, si dhe të sigurojnë transparencë dhe mbrojtje për konsumatorin.

Banka e Shqipërisë pret që ligji i ri për Shërbimet e Pagesave të nxisë konkurrencën në treg dhe të promovojë shërbime inovative, mbështetur gjithashtu edhe me një regjim të kujdesshëm nga pikëpamja e mbrojtjes së konsumatorit. Ligji i ri synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin shqiptar, përfshirë zonat rurale.

Mirëpo ekspertët e Bankës Qendrore mendojnë se, ky objektiv nuk mund të arrihet pa një fushatë drejt edukimit financiar. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave janë angazhuar për një fushatë edukimi në të gjithë vendin, me qëllim që para se të merren masa ligjore, njerëzit të njihen me përfitimet që kanë nga pagesat jo cash.

Tashmë ligji është bërë i zbatueshëm, por nga ana tjetër edhe mbyllja e ekonomisë nga pandemia e Covid-19 ka sjellë një tendencë në rritje të përdorimit të kartave bankare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të dytë, numri i kartave aktive të kreditit arriti në 113 mijë. Ndërkohë që në fund të vitit të kaluar, numri i kartave bankare shënoi një rritje vjetore me 7.9%.

Pandemia në fakt solli sensibilizimin e konsumatorëve drejt përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave, por mbyllja dhe kufizimi i shumë aktiviteteve ekonomike ndikoi në tërësinë e numrit dhe volumin e veprimeve me karta.

Kartat e kreditit janë një produkt që e kanë ndierë më shumë efektin e mbylljes së ekonomisë, sepse përdorimi i tyre është shumë i lidhur me turizmin dhe udhëtimet.

Paralizimi i lëvizjeve ndërkufitare ka bërë që shumë karta krediti të mos rinovohen ose të mbyllen, sepse përdoruesit e tyre nuk i kanë vlerësuar si të domosdoshme në këtë periudhë. Periudha e lidhur me krizën e Covid-19 është hera e parë që numri i kartave të kreditit shënon rënie. Numri i tyre ka qenë në rritje prej 15 vitesh, edhe për shkak të një zhvillimi të vonuar krahasuar me tregjet e tjerë dhe një bazë të ulët përdorimi.

Megjithatë, pas muajit gusht, shifrat tregojnë një përmirësim të lehtë në tepricën e përdorur të overdrafteve dhe të kredisë konsumatore, çka reflektont edhe rritje të numrit të kartave të kreditit në muajin qershor të këtij viti.

Statistikat zyrtare tregojnë se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, individët kanë tërhequr më pak para cash nga arkat e bankave, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, ndryshe nga bizneset ku vihet re një rritje e lehtë e tërheqjeve cash në arkë.

Në 3- mujorin e dytë të vitit 2020, janë tërhequr 73 miliardë lekë cash nga arkat e bankave kundrejt 80 miliardë lekëve që shënohen në 3-mujorin e parë të vitit.

Sipas statistikave pagesat me kartë bankare në Shqipëri u rritën me 21% vitin e fundit, duke regjistruar një vlerë totale (blerje me karta bankare) prej 26.2 miliardë lekë.

Në përdorimin e kartave bankare dominojnë tërheqjet e parasë cash me rreth 85% të totalit të veprimeve me kartë bankare, por dinamikë zhvillimi po merr edhe blerja online.

Sistemi bankar Shqiptarë ka bërë investime të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës së pagesave me kartë dhe bankingut online.

Numri i terminaleve të pagesave POS në mesin e këtij viti arriti në më shumë se 11 500, me një rritje prej pothuajse 24% apo 2200 njësi në harkun e një viti.

Etleva Xhajanka