Skemat e mbështetjes në Bujqësi kanë sjellë nga emigracioni mjaft qytetarë të cilët kanë vendosur të punojnë dhe nxjerrin fitime nga toka e tyre. Kështu është rasti i Ilirjanit nga Drithasi i Korçës dhe Lencit nga Berati, dy histori suksesi që me mbështetjen e Programit IPARD kanë krijuar sipërmarrje model në zonat e tyre për grumbullimin e fruta-perimeve.
Në Drithas të Korçës, Ilirjani, është një nga përfituesit e programit IPARD, që me mbështetjen financiare nga shteti, arriti të investojë në një sipërmarrje të re për sektorin e bujqësisë, në atë të grumbullimit të fruta-perimeve.
Gjatë një vizite në fermën e Ilirjan Pengut, u njohëm nga afër me investimin që ndërmori ai pas kthimit nga emigracioni, ku përshtati eksperiencën e fituar jashtë vendit në biznesin e tij privat.
Investimi për ngritjen e kësaj pike te re grumbullimi kap shifrën e 179 mijë euro nga të cilat 109 mijë euro Ilirjani i përfitoi grant nga programi IPARD. Kjo pikë aktualisht mbledh prodhimet bujqësore të mbi 30 fermerëve të zones, por kapaciteti i saj është edhe për më shumë.
“Që pas kthimit nga emigrimi, fillova të merrem me bujqësi duke kultivuar kryesisht patate dhe qepë. Në vitin e parë kisha 1.2 dynymë të mbjella dhe sot hapësira e kultivuar ka shkuar në 120 ha të mbjella”, – shprehet Ilirjani.
Ai tregon se, gradualisht me shtimin e prodhimit bujqësor, i lindi nevoja edhe për një qendër të grumbullimit të produkteve. Pasi siç thotë ai, “jo të gjithë sasinë e prodhimit arrinte ta shiste në kohë të shpejtë dhe duke u rujatur në ambjente jo të përshtatshme, një pjesë e produkteve edhe prishej e shkonte dëm”.
Nëpërmjet mbështetjes së AZHBR përmes programit IPARD, Ilirjani ka ngritur një pikë të re grumbullimi në fermë, e cila i siguron ruajtjen e produktit me ambiente të përshtatshme për ta seleksionuar dhe paketuar dhe për ta nxjerrë në treg në standardin e kërkuar.
“Kështu menduam që të investonim kursimet tona nga emigracioni, në ngritjen e një pike grumbullimi, duke marrë shkas edhe nga mbështetja financiare që ofronte programi IPARDII. Sot krahas prodhimit bujqësor në tokat tona, kemi ngritur edhe qendrën e re të grumbullimit të prodhimit bujqësor, që i sherben jo vetëm familjes tone por dhe fermerëve të zones, të cilët grumbullojnë produktet tek kjo pike, që siguron standarde ruajtje dhe paketim- ambalazhim ashtu siç e kërkon tregu vendas dhe ai i huaj”- thotë Ilirjani.
Aktualisht pika e re e grumbullimit po përpunon me ambalazhim patate, që është nga prodhimet tradicionale të zonës së Korçës, që furnizon tregtarë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë.
Ndërsa Lenci nga Berati është një fermer tjetër, që ka ngritur jo vetëm një biznesi të suksesshëm në grumbullim dhe përpunimin e fruta- perimeve, por ka dhe një vizioni të qartë në analizën që i bën sektorit të bujqësisë, mbi potencialet e qytetit të Beratit.
Lenci e ka nisur angazhimin me punët e bujqësisë pas vitit '95 kur u kthye nga emigracioni dhe sot falë përkushtimit dhe investimeve të vazhdueshme, dhe mbështetjes financiare që ka marrë nga programi IPARD II, drejton një ndër kompanitë më të mëdha në vend për përpunimin dhe prodhimin e frutave dhe perimeve të konservuara.
Në sipërmarrjen e tij, Lenci ka të punësuar 60 punonjës. Qendra e grumbullimit të fruta perimeve “Sidnej” sot ka krijuar markë të vërtetë në eksportet që realizon në vendet e rajonit e ato të BE-së.
Mbi 150 fermerë të zones së Beratit kanë kontratë me kompaninë “Sidnej” për grumbullimin e produkteve bujqësore, ku ndër më kryesoret janë specat e kuq, specat jeshil, trangujt, domatet, dhe perimet e tjera.
Ai tregon për situatën e vështirë me të cilën ishte përballur gjatë periudhës së mbylljes së ekonomisë në kohën e pandemisë, ku rënia ishte e ndjeshme dhe kostot e prodhimit ishin rritur, ndërkohë që ndikonte edhe mungesa e prodhimit të ambalazheve në vend apo dhe konkurrenca me mallrat e importit.
Gjithsesi, ndonëse në vështirësi sikundër të gjithë sipërmarrësit përballë situates së vështirë që krijoi pandemia, Lenci nuk është ndalur. Ai sot ka arritur të rrisë prodhimin bujqësor të përpunuar në shifrat pothuajse sa në periudhën para pandemisë, ndërsa synon zgjerimin e tregjeve të huaja për eksportin e produkteve bujqësore të përpunuara shqiptare.
Bujqësia është një sektor i rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë.
Rreth 40% e popullsisë së Shqipërisë jeton në zona rurale. Sektori i agroushqimit kontribuon 20% të PBB-së së Shqipërisë dhe mbledh pothuajse gjysmën e krahut të punës së Shqipërisë.
Bashkimi Evropia dhe qeveria shqiptare kanë vënë në dispozicion 100 milionë euro për të mbështetur modernizimin e bujqësisë gjatë 10 viteve të fundit. Madhësia e këtij investimi e bën BE-në mbështetësin më të madh të sektorit agroushqimor të Shqipërisë.
Përmes programit IPARD janë vënë në dispozicion të bujqësisë 94 milionë euro si grante të drejtpërdrejta për të mbështetur investimet e fermerëve dhe agrobiznesit.
IPARD vlerësohet tashmë si një sukses shumë i madh në bujqësinë shqiptare. Nga dy thirrjet e këtij programi që janë realizuar në këto dy vite janë kryer mbi 700 aplikime dhe janë lidhur kontrata me 242 ferma të cilat kanë përfituar nga fondet e BE-së, ndërsa Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vijon procesin e shqyrtimit të aplikimeve të tjera.
Megjithëse ka qenë një vit i vështirë eksportet e fruta -perimeve shqiptare janë rritur në shifra dyshifrore dhe ky është fryt i mbështetjes dhe politikave qeveritare per nxitjen e bujqësisë. Por një faktor i rëndësishëm pa dyshim është edhe mbështetja e financiare e BE -së përmes IPARD-it.
Programi IPARD synon të ndihmojë fermerët dhe sipërmarrësit në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri. Thirrja e tretë e këtij programi që është çelur në datën 10 dhjetor 2020 deri më 25 janar 2021, me vlerë 29.1 milionë euro adreson mbështetje me grante deri në 70% të vlerës së investimit për dy masa: Investime në ferme për sektorin e qumështit, mishit, vreshtat dhe masa e dytë për sektorin e përpunimit të fruta-perimeve.
Etleva Xhajanka