Industria bankare në Shqipëri vijon të konsolidojë fitimet, pavarësisht situatës së vështirë që ka krijuar pandemia covid-19, në sektor të ndryshëm të ekonomisë.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, fitimi i sektorit bankar arriti në 12.6 miliardë lekë, në fund të 10 mujorit të këtij viti. Ndërkohë që për muajin tetor 2020 fitimi i bankave tregtare në Shqipëri shënoi një rritje me 1.9 miliardë lekë.

Krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar, fitimi i bankave është ndjeshëm më i ulët, ose rreth me 26% më pak. Ndërkohë që këtë vit, rënie paraqet edhe treguesi i rentabilitetit. Sipas të dhënave kthimi nga kapitali deri në fund të tetorit llogaritej në 9.66%, nga 14.05% që ishte në tetor të 2019.

Sipas ekspertëve, provigjonet është faktori kryesor që shkakton më shumë luhatje në rezultatet financiare të bankave. Ndonëse në tetor, raporti i kredive me probleme nuk ka shënuar rritje, duke qëndruar pranë nivelit 8.3%, duket se bankat kanë vendosur të rrisin provigjionet për t’iu paraprirë goditjeve të pritshme që mund të japë kriza në cilësinë e portofolit të kredisë, ndikuar nga situata e pandemisë.

Deri në fund të 9-mujorit 2020, sistemi bankar në Shqipëri rrit shpenzimet për provigjione me tre herë e gjysmë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, deri tani, raporti i kredive me probleme ngelet i qëndrueshëm, i ndihmuar edhe nga vijimësia e kredidhënies së re.

Raporti i kredive me probleme u fiksua në nivelin 8.29%, në muajin tetor 2020 nga 8.3% që shënoi në muajin shtator të këtij viti.

Raporti i kredive me probleme është rreth dy pikë më i ulët krahasuar vitin e kaluar. Gjatë gjithë këtij viti, ky tregues ka qenë mjaft i qëndrueshëm në intervalin me 8.1% dhe 8.3%, edhe për shkak të pezullimit për pothuajse gjashtë muaj të kërkesave rregullatore për riklasifikimin e kredive.

Nga ana tjetër portofoli i kredisë, ka vazhduar të rritet, pavarësisht mjedisit të përkeqësuar ekonomik çka ka amortizuar treguesit e kredisë me probleme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tetorit portofoli kredisë shënoi vlerën e 592 miliardë lekëve ose rreth 4.8 miliardë euro.

Me bazë vjetore, kredia vazhdon të qëndrojë në rritje, me afërsisht 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga mesi i vitit, kredia e re i është afruar niveleve të vitit të kaluar, duke dëshmuar se huadhënia i është kthyer normalitetit dhe nuk reflekton shifrat e rënies së fortë ekonomike.

Veç të tjerash, vijimësia e kreditimit tregon edhe se bankat nuk vërejnë përkeqësim drastik të kërkesës apo të aftësisë paguese të huamarrësve.Vijimësia e kreditimit të ekonomisë dhe zmadhimi i portofolit është një faktor thelbësor për mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme.

Për intervalin kohor qershor-tetor, kredia e re arriti në 113 miliardë lekë, në rritje me afërsisht 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, teprica e kredisë për ekonominë është në rritje vjetore me rreth 5%.

Sipas bankierve, rritja e kreditimit të ekonomisë mund të jetë një sinjal se bankat kanë vlerësime pozitive për bilancet e huamarrësve dhe se nuk presin keqësim dramatik të portofolit të kredisë.

Krahas rritjes së kredisë për ekonominë, trend pozitiv rritje ka shënuar edhe kredia konsumatore. Bankat tregtare në Shqipëri po vijojnë kredidhënien, pa rritje të interesave apo të komisioneve, por me rritjen e kujdesit ndaj klientëve.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, bankat ofruan stimul monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi. Ndërkohë që normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, tregu është likuid nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm.

BSH nenvizon se, gjallërimi i ekonomisë në tremujorin e tretë duket se e ka përmirësuar më shpejt nga sa pritej kreditimin. Kredia e re në tremujorin e tretë u rrit me 50%, ndërsa bankierët shprehen se kërkesa ka njohur rritje graduale në të gjithë segmentet e kreditimit.

Sipas BSH-së, kredia e re konsumatore e dhënë nga kjo pjesë e sistemit financiar ka njohur rritje dyshifrore në 10 mujorin e këtij viti, megjithatë ajo pësoi një tkurrje prej 12% në mars 2020.

Teprica e kredisë konsumatore dhënë nga sistemi financiar në total përbën rreth 10% të kredisë konsumatore të dhënë nga sektori bankar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe depozitat kanë vijuar tendencën e rritjes së qëndrueshme edhe në tetor, ndonëse në ritme më të ulëta në krahasim me dy muajt e mëparshëm,

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i depozitave në fund të muajit tetor arriti një rekord historik prej 1.08 trilionë lekësh, ose 8.7 miliardë lekë, duke u rritur me 2.5 miliardë lekë (0.28%), në krahasim me muajin e mëparshëm.

Në krahasim me fundin e shkurtit, përpara se të fillonte pandemia, depozitat janë rritur me 39 miliardë lekë, ose rreth 317 milionë euro. Vitin e kaluar, shtesa e kursimeve për të njëjtën periudhë ishte 90 milionë euro, ose gati katër herë me e ulët.

Ky është zgjerimi më i madh i depozitave për periudhën në fjalë që nga viti 2012, sipas serive kohore të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Rritja nga shkurti në tetor ka ardhur në pjesën më të madhe nga kursimet në lekë, që ka ndikuar në mbi 60% të rritjes, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur depozitat në lekë kishin një ecuri të ngadaltë për shkak të normave të ulëta të interesit. Ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë shtimi i depozitave pa afat të individëve në lekë, në një tregues indirekt se individët nuk po shpenzojnë dhe po preferojnë që të mbajnë paratë e tyre në banka, ndonëse me norma interesi të papërfillshme, ose edhe pa interes. Edhe nga valuta, rritja ka ardhur nga kursimet pa afat të individëve.

Shtimi i kursimeve në kohë pandemie është një tendencë që po konstatohet në gjithë Evropën. Eurostat raportonte pak kohë më parë se kursimet në vendet e Bashkimit Evropian po rriteshin ndjeshëm, duke e argumentuar me faktin se qytetarët e këtyre vendeve nuk po shpenzonin, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Etleva Xhajanka