- Në njësinë administrative Farkë, pak kilometra larg Tiranës, 70-vjeçari Sinan Fusha me mbështetjen e fondeve nga qeveria, ka ngritur një sipërmarrje model në fushën e kultivimit të ullirit.

Me pasionin dhe dëshirën për bujqësinë, për të prodhuar në tokën e tij, pronë të trashëguar nga babai, në një sipërfaqe prej 6 mijë m2, Sinani na tregon, se vendosi të investojë në ullishtari, si një biznes me leverdi për vete dhe familjen e tij.

“Me mbështetjen financiare, subvencionin nga qeveria, unë mora fidanët e ullinjve dhe nisa punën për ngritjen e ullishtarisë sime”, thotë Sinani.

“Faktikisht, na tregon ai, mbështetja financiare prej 900 mijë lekë që mora nga qeveria më dha një impuls, që unë të ecja përpara për të investuar në ujitje, apo shërbime të tjera që kërkon zhvillimi i ullirit. Dhe sot ullishtja që kam ngritur prodhon ullinj të cilësisë shumë të mirë dhe me rendiment të kënaqshëm”, u shpreh ai.

Me ullinjtë që mbledh nga ferma e tij, Sinani, prodhon kryesisht vajin e ullirit, të cilin e përdor për konsum familjar.

“Ullirin që unë kam mbjellë, të llojit “Frantoi”, është i një cilësie shumë të mirë dhe është përshtatur mjaft mirë për t’u zhvilluar në tokën e fermës sime. Ato prodhojnë çdo vit ullinj”, thotë Sinani.

Ai na tregon se, donte të ngrinte një ullishte model sipas të gjitha standardeve më të mira dhe për këtë, që në fillim mori konsulencë dhe ndoqi këshillimet e agronomit, ndërsa investoi për hapjen e pusit dhe ujitjen me pika të ullishtarisë, që është teknologji e fjalës së fundit për vaditjen në bujqësi.

“Me përkushtimin e përditshëm tek kjo sipërmarrje, unë jam bërë thuajse dhe vetë agronom. Këtë vit parashikoj të marr deri në 20 kv ullinj. Për mirëmbajtjen e ullishtës kujdesem vetë, por kam edhe dy-tre punonjës, ndërsa sezonin e vjeljes së ullinjve marr disa punëtorë, banorë të zonës”, tha Sinani.

Vitet e fundit fermerët e Farkës kanë shtuar investimet falë edhe mbështetjes me subvencione nga qeveria, për zgjerimin e sipërfaqeve me vreshta dhe ullishta, që janë dy nga degët kryesore të ekonomisë bujqësore që zhvillohen në këtë zonë.

Ardian Tufa, kryetari i njësisë administrative Farkë tha se, “rreth 80% e fermerëve në zonën e Farkës kanë aplikuar këtë vit për të përfituar financim nga Skema Kombëtar e mbështetjes në Bujqësi apo programi IPARD II”.

Shpallja e përfituesve të parë nga subvencionet e Skemës Kombëtare, ka nxitur edhe fermerët e tjerë të kësaj zone për të aplikuar, duke shtuar ndjeshëm interesin e komunitetit rural për të zhvilluar prodhimin në tokat e tyre.

“Rreth 850 milionë lekë kanë përfituar fermerët e njësisë administrative Farkë, për mbjelljet e ullishtave dhe vreshtave”, thotë Tufa.

Sipas tij, në këtë zonë janë 28 ferma me NIPT që kultivojnë ullinj krahas aktiviteteve të tjera. Ndërkohë që në Farkë janë ngritur edhe 3 fabrika moderne të përpunimit të ullirit dhe prodhimit të vajit, që i përgjigjen zhvillimit të ullishtarisë në këtë zonë.

Ndërkohë Programi qeverisë për zhvillimin e ullirit, synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”.

Krahas këtij misioni qeveria për herë të parë po punon në krijimin dhe mbajtjen e një regjistri për ullirin.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur procesin e regjistrimit të ullinjve në Shqipëri duke nisur nga Berati, qyteti me potencialet dhe resurset më të mëdha të kultivimit të kësaj kulture.

Kadastra do t’i shërbejë më pas hartimit të politikave për zhvillimin e sektorit të ullirit dhe vajit të ullirit që është e shtrirë pothuajse në të gjithë Shqipërinë.

Sipërfaqja e ullishtave aktualisht në vendin tonë vlerësohet të jetë në rreth 50 mijë hektarë gjithsej. Aktualisht numri i ullinjve gjithsej parashikohet të jetë rreth 9 milionë rrënjë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit për vaj, mbi 170.

Sistemi i një informacioni digjital për regjistrin e ullirit do të identifikojë gjendjen aktuale të ullishtarisë dhe perspektivën e zhvillimit të saj.

Krijimi i kadastrës, do të bëj të mundur digjitalizimin e të gjitha parcelave me ullinj si dhe ato që parashikohen për tu mbjellë në perspektivë. Gjithashtu do të grumbullojë informacioni mbi pronësinë, kultivarët, rendimentin, praktikat agronomike, karakteristikat e tokës etj.

Ekspertët e fushës shprehen se, një nga problemet e evidentuara e të analizuara gjatë këtyre viteve, është mungesa e të dhënave bazë për gjendjen dhe ndryshimet që ndodhin çdo vit në ullishtari dhe në industrinë e prodhimit të vajit të ullirit.

Kjo gjendje vjen si rezultat i shumë faktorëve, prej të cilëve më kryesori është mungesa e hartave, qoftë dhe manuale, për identifikimin e parcelës, gjë të cilën merr përsipër ta zgjidhi krijimi i kadastrës për ullishtarinë.