Në nëntor, Kina publikoi një tjetër shifër pozitive të tregtisë ndërkombëtare. Eksporti i përgjithshëm i vendit arriti në 268 miliardë dollarë amerikanë, ose 21.1 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje e mprehtë vjen nga dy aspekte.


Së pari, eksporti i përgjithshëm në nëntor arriti në 1.8 trilionë juanë ose 14.9 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke pasur parasysh që mallrat e eksportuara prodhohen në Kinë, monedha vendase është një njësi matëse më e mirë e sasisë aktuale të mallrave të eksportuara. Ndërkohë, ndërsa kursi i këmbimit të juanit është vlerësuar fuqimisht ndaj dollarit amerikan muajt e fundit, nëse eksporti i përgjithshëm matet në dollarë amerikanë, ne mund të shohim një përqindje edhe më të lartë të rritjes.

Arsyeja që Kina po eksporton kaq shumë mallra ka ardhur për shkak të dobësisë së ekonomisë globale dhe ndërkohë që vendet po vuajnë rëndë nga pandemia COVID-19 vështirë se mund të pranojnë porosi të ngjashme.

Tkurrja e ekonomisë botërore mund të shihet nga të dhënat e ulëta të importit të raportuara nga Kina në nëntor. Ndërsa mallrat e eksportuara arritën 1.8 trilion juanë, mallrat e importuara ishin 1.29 trilion juanë, ose 0.8 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019.

Kjo rezultoi në një sasi të lartë të suficitit tregtar për Kinën në nëntor 2020, e cila është 507 miliardë juanë, ose 92.6 për qind më shumë se një vit më parë.

Kërkesa e lartë për mallra kineze në kohën e pandemisë globale rezultoi në një forcim të monedhës kineze. Nga ky maj deri në nëntor, kursi i këmbimit USD-RMB ra nga 7.16 në 6.53. Kjo tregon kontributin e rëndësishëm të veçantë që ekonomia kineze po i jep botës gjatë luftimit kundër virusit.

Një vështrim i hollësishëm i të dhënave tregtare të Kinës tregon se rëndësia e ekonomisë amerikane për Kinën tani po zvogëlohet. Ndërkohë, rëndësia e ekonomive të tjera të mëdha, të tilla si ASEAN dhe Bashkimi Evropian, po rritet.

Në 11 muajt e parë të vitit 2020, shuma e përgjithshme e tregtisë midis Kinës dhe ShBA-së ishte 3.65 trilionë juanë. ShBA-ja renditet e treta në mesin e partnerëve kryesorë tregtarë të Kinës.

Partneri më i madh tregtar i Kinës është ASEAN-i, ku vlera totale e tregtisë midis dy ekonomive arriti në 4.24 trilionë juanë gjatë së njëjtës periudhë. Partneri i dytë më i madh tregtar i Kinës është Bashkimi Evropian, ku vlera e tregtisë midis Kinës dhe BE-së arriti në 4.05 trilionë juanë. Japonia dhe Koreja e Jugut renditen përkatësisht në vendin e 4-t dhe 5-të si partnere tregtare të Kinës.

Me të dhënat e hollësishme të tregtimit të industrive specifike, ne mund të gjejmë informacione më të dobishme.

Për shembull, në 11 muajt e parë, tekstili që Kina eksportoi në pjesën tjetër të botës arriti në 989 miliardë juanë ose 33 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërsa maskat e përdorura kundër COVID-19 përfshihen në këtë artikull tregtar, kuptohet që fabrikat kineze kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në vijën e frontit kundër virusit në botë.

Ndërkohë, sasia e përgjithshme e telefonave celularë të eksportuara nga Kina është 771 miliardë juanë, ose 0.7 për qind më e ulët se 11 muajt e parë të vitit 2019. Kjo, nga njëra anë, tregon se sanksionet tregtare të ShBA-së kundër Huawei-t e kanë dëmtuar vërtet këtë prodhues gjigant të smartfonëve, ndërsa nga ana tjetër, kjo tregon gjithashtu qëndrueshmërinë e industrisë së telefonisë celulare të Kinës që edhe me një sanksion kaq të ashpër, kjo industri ende eksportoi pothuajse të njëjtën vlerë të mallrave krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, vlera e përgjithshme e përpunuesve të të dhënave që Kina eksportoi në 11 muajt e parë të vitit 2020 arriti në 1.3 miliard juanë ose 10.7 për qind më shumë se një vit më parë. Këto janë të dhëna shumë të rëndësishme pasi tregojnë se artikujt eksportues të Kinës po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar dhe me vlerën e shtuar.

Një industri tjetër që regjistroi rritje të fortë të eksporteve në 11 muajt e parë është industria e mobiljeve.

Vlera e përgjithshme e mobiljeve të eksportuara në 11 muajt e parë arriti në 365 miliardë juanë ose 11.2 për qind më shumë se një vit më parë.

Përsa i takon importit, në 11 muajt e parë të vitit 2020, Kina importoi 504 milionë tonë naftë bruto dhe 90 milionë tonë gaz natyror, respektivisht 9.5 për qind dhe 3.9 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, Kina importoi 265 milionë tonë qymyrgur, ose 10.8 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019. Kjo tregon se Kina po punon më tej drejt uljes së konsumit të qymyrit me industrinë e saj të energjisë.

Në përgjithësi, tregtia ndërkombëtare e Kinës është shumë premtuese në këtë moment. Të dhënat e fundit tregojnë se tregtia e Kinës jo vetëm që po i jep mbështetje të fortë ekonomisë kineze por gjithashtu po i jep mbështetje solide ekonomisë botërore në një kohë të vështirë pandemie si kjo që po kalojmë. (Albana/ Foto nga CFP)