Kreditimi i biznesit po i kthehet gradualisht niveleve të parakrizës, nga pandemia Covid -19. Gjatë 9 mujorit të vitit 2020, kredia e re për biznesin arriti në vlerën 125.6 miliardë lekë ose pak më shumë se 1 miliardë euro, bën të ditur Banka e Shqipërisë.

Kredia e re ngushtoi rënien vjetore në 3.2%, nga 11.5% që ishte rënia në fund të 6-mujorit. Por kreditimi shfaqi ndryshime të theksuara midis sektorëve të ekonomisë, ku disa paraqiten në rritje të fortë dhe të tjerë në rënie.

Tregtia është sektori me peshë kryesorë në huadhënie, por këtë vit reflektoi rënie të dukshme. Sipas statistikave kredia e re për tregtinë ra në 47.6 miliardë lekë, 25% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregtia ka qenë ndër aktivitetet më të prekura nga kriza e pandemisë, për shkak të rënies së fortë të konsumit dhe rritjes së papunësisë në tremujorin e dytë. Më pak e kredituar këtë vit rezulton të jetë edhe industria përpunuese. Huadhënia e re për këtë sektor shënoi vlerën 14.6 miliardë lekë, ose rreth 19% më pak krahasuar me vitin e kaluar.

Sektori i dytë për nga pesha në huadhënien e re, ndërtimi, nuk është ndikuar shumë nga kriza. Kredia për ndërtimin shënoi vlerën 15.5 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtat vlera me një vit më parë.

Shqipëria ofron ende shumë potenciale për zhvillimin e infrastrukturës, ndaj dhe hapësirat brenda sektorit të ndërtimit janë ende të mëdha, krahas zhvillimit që po merr tregu i pasurive të paluajtshme.

Pandemia COVID-19 nuk e ka ulur kërkesë-ofertën në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar së fundi mbi indeksin e besimit të biznesit dhe konsumatorit në tremujorin e dytë të vitit 2020, vëren se “bizneset në sektorin e ndërtimit presin një rritje të çmimit të banesave me 5,7% nxitur nga kërkesa e lartë” .

Investimet në infrastrukturë kanë zgjeruar mundësitë e sektorit të ndërtimit vitet e fundit për materializimin e ndërtimeve të rëndësishme në banesa luksoze, hotele dhe resorte në bregdet

Ndërkohë, sektori që ka regjistruar rritjen më të lartë të kreditimit këtë vit është industria nxjerrëse. Kredia në këtë sektor është rritur me 194% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2019.

Rritja e kreditimit ka impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e investimeve, prodhimit dhe të ardhurave. Statistikat e BSH-së tregojnë se industria nxjerrëse është gjithashtu sektori me flukset më të mëdha edhe të investimeve të huaja.

Investimet në industrinë nxjerrëse në tremujorin e parë të këtij viti, arritën vlerën e 76 milionë eurove, shifër kjo 50% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Finalizimi i disa prej projekteve të rëndësishme në energjetikë, ka sjellë rokadën në renditje, duke zbritur në vend të dytë energjetikën dhe ngjitur në vend të parë industrinë nxjerrëse, si sektorin që sjell vlera të larta të investimeve të huaja kryesisht në prodhimin e naftës bruto.

Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure dhe kompania SHELL është së fundi një tjetër investim madhor në fushën e naftës në territorin shqiptar.

Ndërkohë që nuk mbetet pas edhe ecuria pozitive në industrinë e përpunimit të bakrit.

Sipas statistikave, sektori minerar nga viti në vit ka rritur potencialin e tij në ekonominë e vendit, me një kontribut që shënoi nivelin e mbi 3 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

Investimet në rritjen e shfrytëzimit të burimeve të reja apo mineraleve të rinj, është një nga faktorët që ka nxitur prodhimin dhe eksportet e këtij sektori. Prodhimi i këtij sektori vitin e kaluar shënoi mbi 4,590,749 tonë minerale. Ndërkohë, prodhimi i bakrit për vitin 2019 u rrit me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shqipëria është një vend i pasur me burime të mineraleve të ndryshme. Zbulimi, shfrytëzimi dhe përpunimi i tyre përbën një aktivitet të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Tradicionalisht, industria nxjerrëse dhe e përpunimit të mineraleve si kromi, bakri, hekuri, qymyrguri, ka siguruar të ardhura të konsiderueshme

Të tjerë sektorë me rritje mbi 100% të vlerës së kredisë së re janë ai hoteleve dhe restoranteve, me 126% dhe transport-magazinimi me 107%.

Shumica e bankave, në fakt, adoptuan një strategji për mbështetje më afatgjatë të bizneseve që vuajtën pasojat më të rënda nga kriza. Kjo strategji përfshinte ristrukturime afatgjata të kredive, deri në dy vjet, me qëllim krijimin e frymëmarrjes për t’i mbijetuar efekteve të krizës. Por, kjo mbështetje duket se është shoqëruar edhe me financime të reja, për të rritur shanset e mbijetesës së këtyre sipërmarrjeve.

Ecuri pozitive të kredisë së re po shfaq edhe sektori i energjetikës. Kredia e re për këtë sektor gjatë 9-mujorit 2020 arriti vlerën e 7.3 miliardë lekëve, në rritje me 16.5% krahasuar me një vit më parë. Diversifikimi i investimeve në sektorin energjetik, përveç HEC-ve edhe në parqe fotovoltaike, apo eolike, është mbështetur nga zgjerimi i kreditimit.

Ndërkohë energjetika është sektori që po vijon të udhëheqë investimet e huaja direkte në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte në formën e zgjerimit të kapitalit, për gjysmën e parë të vitit, vijon të jetë i përqendruar në sektorin e energjitikës, në masën 38%, i ndjekur nga sektori i ndërmjetësimit financiar në masën 21% telekomunikacionit në masën 11% dhe sektori i hidrokarbureve me 7%.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte kapën vlerën 454 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Ndërkohë që për tremujorin e parë 2020 investimet e huaja direkte kishin vlerën e 227 milionë eurove, ku industria nxjerrëse dhe energjia sollën rreth 65% të investimeve totale.

Sektori i energjisë dominon investimet e huaja që nga fillimi i vitit 2016, falë projektit të madh në gazsjellësit Trans-Adriatik, por edhe shumë veprave të rëndësishme për prodhimin e energjisë hidrike. Shumica e këtyre investimeve tashmë janë drejt finalizimit ndërsa kanë nisur projekte të reja në këtë sektor kryesisht drejt investimeve në energjinë e rinovueshme, nga dielli dhe era.

Cikli i investimeve të mëdha në energjetikë dhe sektorin e hidrokarbureve pritet të rrisë ndjeshëm vlerën e investimeve të huaja për periudhën në vijon, shprehen ekonomistët.

Kreditimi këtë vit paraqitet në rritje edhe në sektorin e bujqësisë, me pothuajse 23% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, kredia për bujqësinë vazhdon të ketë përmasa modeste dhe zë vetëm 1.4% të kredisë të re dhënë për bizneset private. Bujqësia është sektori më i nënkredituar i ekonomisë shqiptare, po të kemi parasysh kontributin që jep ky sektor në ekonominë e vendit dhe punësimin. Madje edhe në situatën e pandemisë bujqësia ishte ndër sektorët që performoi pozitivisht në ekonominë e vendit.

Qeveria ka ndërmarrë vitet e fundit iniciativa për rritjen e financimit të këtij sektori që gjeneron rritje të prodhimit vendas. Ndër më të rëndësishmet është bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për skemën ambicioze të garancisë financiare për fermerët.

Përmes një fondi garancie, 75 milionë euro, fermerëve u është krijuar aksesi për të marrë kredi nga bankat tregtare. Ndërsa po vijojnë skemat e subvencionimit dhe programet e ndryshme me financim edhe nga donatorët, të cilat po injektojnë financim të vazhdueshëm në këtë sektor.

Sipas ekspertëve, rritja e ndjeshme e kredisë së re gjatë muajit qershor, me vlera shumë më të larta në raport me mesataren mujore të këtij sektori, është një sinjal pozitiv i trendit të rritjes ku po hyn bujqësia sot.

Etleva Xhajanka