Pavarësisht pandemisë së Covid-19 eksportet e produkteve bujqësore shqiptare dhe sidomos të fruta-perimeve vijojnë të kenë rritje dyshifrore. Në Berat dhe Lushnjë, dy nga pikat e grumbullimit që eksportojnë prodhime bujqësore në disa shtete evropiane, çdo ditë janë plot me produkte bujqësore që presin të shkojnë për eksport.

Kompania import-eksportit të fruta-perimeve në Kutalli të Beratit, falë mbështetjes që mori përmes fondeve nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ka rritur eksportet me jashtë duke shtrirë tregun deri në Dubai.

Vëllezërit Hatija, kanë disa vite që merren me grumbullimin e perimeve për eksport. Gjatë bashkëbisedimit me ta, dallon që janë njerëz me dëshirë të jashtëzakonshme për sukses, me ambicie të madhe dhe punë të palodhur për të shtuar prodhimin vendas së bashku me fermerët e zonës së Kutallit në Berat.

Falë dhe mbështetjes që morën nga qeveria shqiptare përmes AZHBR-së, ata kanë arritur t’i çojnë prodhimet e tyre fantastike deri në Dubai dhe në bashkëpunim me fermerët e zonës, shifrat e tyre të eksportit janë rritur në mënyrë mbresëlënëse.

Kompania “Hatija” është përfituese e një financimi prej 20 milionë lekë nga skema kombëtare përmes AZHBR-së. Me investimet që ndërmori kompania ka arritur të krijojë një cikël komplet të ri për bujqësinë .

Altini, përfaqësuesi i kompanisë na tregon se i investoi këto lekë për arritjen e kapaciteteve të duhura për të përballuar tregun, sepse siç thotë ai, “me atë magazinë që kishim më parë nuk arrinim të përballonim tregun”.

“Ne eksportojmë tani deri në 600-700 kamionë fruta-perime, diku te 13 mijë tonë. Ndërsa kemi eksportuar në Dubai domate dhe luleshtrydhe, me kargo me avion nga Tirana”, tha Altini.

Ndërsa “Rinaldi” është një prej pikave të grumbullimit në Myzeqe që eksporton çdo ditë kamionë me fruta-perime shqiptare drejt tregjeve evropiane.

Kjo pikë grumbullimi ka kontrata me rreth 500 fermerë të Lushnjës, Fierit, Roskovecit etj., dhe vijon eksportet bujqësore shqiptare drejt tregjeve të huaja.

Forcimi dhe mbështetja për pikat e grumbullimit ka qenë një politikë që po jep rezultate shumë të mira.

Nga viti në vit sektori i bujqësië po zgjeron tregjet e reja të shitjes jashtë vendit, po rrit eksportit dhe produktet made in Albania po bëhen të konkurueshme.

Nga ana tjetër edhe pikat e grumbullimit po orientojnë fermerët për llojin e kultivarit që duhet të mbjellin e që kërkohet më tepër në treg dhe për standardet që duhet të ketë produkti.

Shembull i suksesshëm i kësaj sipërmarrje, është puna dhe pasioni i Rrapi Hazizit dhe ekipit të tij, që e kanë bërë “Rinaldin” një tjetër histori suksesi në Shqipëri.

Referuar të dhënave zyrtare gjatë 9-mujorit të këtij viti, eksporti i fruta-perimeve është me 18% në sasi dhe 17% në vlerë.

Gjatë këtij viti, perimet kanë pësuar një rritje të ndjeshme të eksporteve. Vetëm për periudhën nëntë mujore eksporti i fruta-perimeve është rritur me 18% në sasi dhe dhe 17% në vlerë. Kjo është një shifër e konsiderueshme duke marrë parasysh që jemi në një vit me kufizime për shkak të pandemisë.

Ndërkohë që lehtësimi nga barra fiskale e naftës që përdoret në bujqësi duke filluar nga viti i ardhshëm do të jetë një nxitje më shumë për rritjen e prodhimit vendas dhe zgjerimin e eksporteve bujqësore.

Në buxhetin e vitit 2021 janë planifikuar 10 milionë dollarë për t’iu dhënë fermerëve naftë pa taksa.

Kjo do të thotë që nëse sot fermerët e marrin naftën me 160 lekë/litri, nga 1 janari i vitit 2021 ata do ta blejnë me 80 lekë/litri.

Produktet bujqësore më të eksportuara gjatë këtij 9-mujori nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës janë pjepër e shalqi, domate, kastraveca, speca dhe zarzavate të tjera.

Ndërkohë që për sa i takon investimeve në pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore, që nga viti 2013 e deri më sot janë 123 fermerë dhe subjekte, përfitues të fondeve qeveritare apo evropiane me një shumë totale prej 20.8 milionë euro.

Shqipëria eksporton fruta perime në 25 shtete të rajonit dhe Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Eksportet bujqësore kryesojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Itali, Gjermani, Poloni, Moldavi , Kroaci, Austri, Greqi, etj.

Etleva Xhajanka